Gjuha e rinisë si pasqyrë e shoqërisë multikulturore
16 Dhjetor 2013
Gjuha e përdorur nga të rinjtë në Gjermani i vë shpesh përpara gjëegjëzave mësuesit dhe prindërit. Fjalë si "Swag", "Selfie" (autoportret i bërë me smartphone) apo "YOLO" (You Only Live Once) i dëgjon rëndom nga të rinjtë. E re është që edhe fjalë nga turqishtja dhe arabishtja si "Yallah" (Nxito!) po hyjnë në gjuhën e përditshme të të rinjve.
Vetëm pak kohë më parë shtëpia botuese e fjalorëve Langenscheidt pas votimesh të gjata në internet bëri të ditur fjalën e rinisë për vitin 2013- "Babo"- e cila sipas të dhënave të shtëpisë botuese është shumë në modë aktualisht. Fjala vjen nga turqishtja dhe ka pak a shumë kuptimin "kryetar". Vëmendjen ndaj kësaj fjale e tërhoqi një këngë rapp (nga "Haftbefehl"). Po si hyjnë në fjalorin e të rinjve gjermanë fjalë të tilla?
Gjuha e rinisë është e rëndësishme për përkatësinë në grup
"Të rinjtë duan të flasin një gjuhë tjetër, për t'u dalluar. Ata ndihen kështu më 'cool' se të rriturit dhe mësuesit", thotë Eva Neuland, studiuese e gjuhës në Universitetin e Vupertalit, në intervistë me DW. Dallimi në këtë rast është më shumë i pavullnetshëm. Në vitet '70 kjo formë e të qenit ndryshe ka qenë shpesh e dukshme edhe në pamje të jashtme, si p.sh. në lëvizjen punk. "Sot gjuha e të rinjve lidhet shumë më tepër me përkatësinë në një grup. Me anë të gjuhës bëhet dallimi i qartë mes grupeve dhe përkatësisë në grup." Kjo bëhet e qartë edhe në një anketim në gjimnazin Friedriech-Ebert në Bonn. Çdo grupmoshë tek të rinjtë ka gjuhën e vet: "YOLO" për shembull përdoret vetëm nga 12-vjeçarët.
"Ne nuk e përdorim, jemi të mëdhenj për të", thotë Jasmina 14-vjeçare. Gjuha e rinisë është pra një shenjë dalluese për grupin ku bën pjesë.
Ndikimi i fortë i larmisë së gjuhëve
Por në fjalët në modë të grupeve të caktuara pasqyrohet edhe larmia e shoqërisë, pasi plurilinguizmi po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm. Të rinjtë migrantë nga Evropa Lindore, rajonet arabe apo nga Afrika fusin gjithnjë e më shumë fjalë të gjuhës amtare në mjedisin e tyre. Pikërisht kjo pritet mirë nga shumë të rinj të cilët pastaj i bëjnë të tyret këto fjalë, thotë Eva Neuland: "Kur në shkollë ulesh pranë një shoku turk, regjistron herë pas here fjalë të cilat tingëllojnë interesante." Kështu ndodh që mësuesit dhe prindërit shpesh nuk arrijnë të kuptojnë se çfarë thonë fëmijët. Po pikërisht kjo u jep të rinjve ndjenjën se janë ndryshe, të veçantë. Në gjimnazin në Bonn shpesh në oborrin e shkollës fjalë nga turqishtja, spanjishtja, portugalishtja apo anglishtja ndryshohen nga fëmijët dhe bëhen pjesë e gjuhës së përditshme të tyre.
"Fjalët arabe dhe turke do të mbeten në gjuhën e të rinjve - një herë për një herë"
Në rrethana të caktuara fjalë nga turqishtja dhe arabishtja mund të fitojnë një ndikim aq të fortë në gjuhën gjermane sa p.sh. ato nga anglishtja dhe frengjishtja. Por nëse kjo mund të ndodhë vërtet dhe kur, studiuesit e gjuhës nuk mund ta parashikojnë saktë. "Parashikimi im është që do të jetë një përqindje shumë më e vogël", thotë Neuland. Fenomeni ka më shumë tipare të një tendence mode. Fjalë si "Yallah" apo "Babo" do të mbeten një herë për një herë vetëm në fjalorin e të rinjve, thotë studiuesja e gjuhës.
Por nuk janë vetëm gjuhët e huaja që ndikojnë përzgjedhjen e fjalorit të të rinjve. Edhe interneti apo ngjarje me jehonë mediatike, u ofrojnë të rinjve një burim të pasur për krijimin e fjalëve të reja. Krijime si "wulffen", fjalë që shpreh sjelljen e gabuar të ish presidentit gjerman Christian Wulff, apo "griechen" si shprehje e re për varfërinë, janë vetëm disa shembuj të marrë nga gjuha gjermane. "Këto fjalë janë më shumë pjesë e fjalorit të studentëve dhe jo aq të nxënësve të shkollave. Nëse nxënësit i përdorin ato, do të dëshëroja që prindërit dhe mësuesit të diskutonin kontekstin politik me ta, në mënyrë që ta kuptojnë si duhet", kërkon Neuland. Në të njëjtën kohë edhe të rinjtë kanë detyrimin t'u shpjegojnë njerëzve më të moshuar krijimet më të reja të fjalëve nga kultura e internetit, thotë studiuesja.