1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjuha e urrejtjes në Bullgari

30 Janar 2012

Parrulla raciste në stadiumet e Bullgarisë për fat të keq ka shpesh. Për këtë arësye Shoqatës Bullgare të Futbollit dhjetorin e kaluar iu desh të paguajë 40.000 euro gjobë.

Fotografi: picture-alliance/Pressefoto UL

Asosiacioni Europian i Futbollit UEFA e ndëshkoi rastin gjatë ndeshjes mes Anglisë dhe Bullgarisë për eliminatoret e Kampionatit Europian në Sofje. Në stadium u dëgjuan fare qartë këngë përqeshëse kundër dy lojtarëve me ngjyrë nga ekipi i ftuar.

Racizëm dhe jo zhargon

Gjuha e urrejtjes në tribunën e tifozëve gjen përdorim edhe në media: Javën e shkuar gazeta e sportit "7 ditë sport", më e madhja në Bullgari, botoi një artikull për lojtarët e ri të blerë nga një ekip i kategorisë së parë. Titulli ishte: "Të sapoardhur tek "ZSKA Sofja": Një italian, një suedez dhe një negër."

"Titulli është absurd dhe racist", kritikoi menjehëre Komiteti bullgar i Helsinkit në një letër të  hapur drejtuar gazetës. Në këtë organizatë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut kanë mbërritur qindra letra me ankesa. Komiteti i Helsinkit i bën thirrje gazetës, që ta ndryshojë titullin në internet, si dhe të kërkojë falje me shkrim në numrin e saj të ardhshëm.

Por kryeredaktori i "7 ditë sport", Juliy Moskov, hedh poshtë çdo kritikë. Titulli nuk është aspak racist, pretendon ai duke u prononcuar për mediat. "Fjala negër është e papërshtatshme, sepse kemi të bëjmë me një fjalë rruge", thotë Moskov duke shprehur keqardhjen, që me këtë ka fyer lexuesit. Megjithatë ai nuk sheh në këtë mes as racizëm dhe as mungesë tolerance.

Ashley Young i Manchester UnitedFotografi: dapd

Një rast për gjykatën

"Ky është një ofendim me motive raciste. Titulli përcjell përçmim, urrejtje dhe mungesë tolerance", thekson Krassimir Kanev, kryetar i Komitetit bullgar të Helsinkit në intervistë për DEUTSCHE WELLE:  "A duhet të jetë kjo mënyra se si u shprehet njerëzve mirëseardhja, ende pa shkelur në tokën bullgare?", pyet Kanev. T'i quash "negër" dy lojtarët afrikanë nga Kameruni dhe Mali është e paimagjinueshme për një shoqëri demokratike. Perveç kësaj kjo përbën shkelje të ligjit për mbrojtjen nga diskriminimi. Në rast se gazeta nuk kërkon ndjesë, gazetarët dhe redaktorët duhet të përgjigjen para komisionit për mbrojtjen nga diskriminimi, tërheq vëmendjen Kanev.

Titulli është në kundërshtim jo vetëm me etikën gazetareske, por nxit edhe racizmin e diskriminimin, shprehen njëzëri edhe përfaqësuesit e "Lidhjes europiane të Gazetarëve në Bullgari". Ata i kërkojnë prokurorisë, që ta ndjekë rastin. Në bazë të ligjit të mbrojtjes nga diskriminimi kërcënon një gjobë deri në 1000 euro, ose një masë më ashpër dënimi. Edhe Avokati i Popullit në Bullgari i është drejtuar prokurorisë me një kërkesë të ngjashme.

"Unë nuk e di, se si do të reagojë prokuroria, sidoqoftë jam skeptik, sepse ajo nuk ka përvojë në përndjekjen dhe ndëshkimin e të tilla krimeve", thotë Kanev. Përvoja e Komitetit të Helsinkit në bashkëpunimin me prokurorinë deri më tani është jo e mirë. "Ndaj nuk besoj, se kësaj here do të bëhet diçka."Në rast se gjykatat bullgare nuk e trajtojnë konform rastin, Kanev nuk e përjashton mundesinë, që padia mbi këtë rast të ngrihet pranë Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Gazeta bullgare "7 ditë sport", faqja onlineFotografi: "7 Tage Sport"

Politikë e dyshimtë redaksionale

Përmes Twitter është përballur me kritika për shkak të këtij artikulli edhe njëri prej autorëve, Simeon Kichukov. Ai deklaroi, se natyrisht nuk do ta tolerojë racizmin, sepse njëri prej miqve të tij është nga Tanzania. Ai si autor mban bashkëpërgjegjësi, por sa i përket përzgjedhjes së fjalëve në titull ky ka qenë një vendim redaksional. "Gazeta ka politikën e saj redaksionale dhe gazetarët, që punojnë atje, duhet ta respektojnë atë", shkruan ai në Twitter.

Në të vërtetë fjala "negër" është përdorur shpesh në gazetën "7 ditë sport", kur është raportuar për sportistë me ngjyrë. Por tani për herë të parë redaktorët i kanë lejuar vetes ta përdorin këtë fjalë edhe në titull. Ndërkaq është ndryshuar titulli i artikullit në internet: "Udine sjell një italian, një kaamerunas, një suedez dhe një malez në Sofje". Por në arkivin e internetit ende mund të lexohet titulli skandaloz i kësaj gazete.

Autor: Blagorodna Grigorova / Viktoria Ivanova (vfb)

Redaktoi: A Verbica