Gjykata Supreme anulon vendimet e Boris Johnsonit
24 Shtator 2019Gjykata më e lartë britanike e ka anuluar vendimin e kryeministrit Boris Johnson, për dërgimin në pushim të detyrueshëm të Parlamentit. Qeveria nuk ka ndonjë justifikim bindës për këtë masë ekstreme, vlerësoi Supreme Court në Londër. Kryetari i Parlamentit e ka tani në dorë se si duhet të veprohet.
Kritikët kërkojnë dorëheqjen e Johnsonit
Kryetari i Parlamentit John Bercow kumtoi menjëherë pas publikimit të vendimit, se deputetët e Dhomës së Ulët duhet të mblidhen menjëherë. Ai ka bërë të ditur se menjëherë do të fillojë edhe konsultimet me shefat e partive politike. Shefi i nacionalistëve skocez ka kërkuar dorëheqjen e Johnsonit. Shefi i laburistëve Jeremy Corbyn kërkoi nga kryeministri të rimendojë edhe njëherë pozitën e tij për këtë post dhe të shpallë zgjedhje të reja. Avokatët e Johnsonit kumtuan, se kryeministri do të respektojë vendimin e gjykatës më të lartë.
Johnsoni ka kërkuar që deputetët të shkojnë në pushim të detyrueshëm me 10 shtator për pesë javë, dhe jo dy javë siç është e zakonshme. Vendimi është pezulluar tani nga gjykata, e cila ka debatur tri ditë për këtë vendim. Gjykatësit vendosën që pushimi i detyrueshëm është një "masë ekstreme", në kundërshtim me Kushtetutën. Parlamenti ka të drejtë që të thotë mendimin e vet, në një periudhë kaq të rëndësishme, siç është dalja e planifikuar nga BE, me 31 tetor. Gjykatësit thonë se këtu bëhet fjalë për një vendim të veçantë, që nuk ka ekzistuar më parë dhe "ndoshta nuk do të ekzistojë më kurrë".
Vendimet e instancave të tjera
Vendimi i gjykatës është marrë pas vendimeve të instancave më të ulëta. Gjykata më e lartë skoceze ka konstatuar se kryeministri Boris Johnson ka dashur të mashtrojë me vendimin e vet mbretëreshën Elizabeth II. Ai ka dashur të përjashtojë deputetët nga vendimmarrja, me qëllim që t'i realizojë planet e veta për Brexit-in.
Ndërsa High Court (Gjykata e Lartë) në Londër e ka hedhur poshtë një kërkesë për anulimin e vendimit të Johnsonit. Të dy këto vendime i ka marrë në konsideratë Supreme Court, para se të marrë vendimin përfundimtar.
bc/uh/ww (dpa, rtr, afp)