1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Glover: Interesat e zgjedhësve nuk u konsideruan sa duhet

Ani Ruci'
1 Korrik 2019

OSBE/ODIHR-it prezanton gjetjet nga Lokalet 2019 në Shqipëri. Misioni vëzhgues ka edhe kritika serioze ndaj procesit por edhe ndaj bojkotit.

Albanien OSCE- ODIHR Wahlbeobachtung Audrey Glover
Fotografi: DW/A. Ruci

Misioni i vëzhguesve ndërkombnëtarë të OSBE/ODIHR-it paraqiti në pasditen e të hënës, (1/07/) gjetjet paraprake nga vëzhgim i procesit zgjedhor, të zhvilluar në Shqipëri për Lokalet 2019 që u zhvilluan të dielën (30/06).

Drejtuesja e këtij misioni, Ambasadorja Audrey Glover, në një konferencë për shtyp, vendosi në krye të gjetjeve paraprake, klimën politike dhe sjelljen e politikanëve ndaj zgjedhësve.

„ Në një klimë ngërҫi politik, zgjedhjet lokale të 30 qershorit në Shqipëri, u mbajtën pa marrë shumë në konsideratë interesat e zgjedhësve", tha ambassadorja Glover.

Fotografi: DW/Ani Ruci

Zgjedhësit nuk patën mundësi të zgjidhnin

Ambasadorja Glover vuri  në dukje se opozita vendosi të mosmarrë pjesë, por pavarësisht nga ky vendim i saj, qeveria ishte e vendosur t'i zhvillonte zgjedhjet. Kjo pati si pasojë që kandidatët për kryetarë bashkie në 31 bashki, nga 61 që ka gjithsej në Shqipëri, garuan pa kundërshtarë.

„Ndonëse një sërë koalicionesh, partish dhe grupe qytetarësh dolën me kandidatë, mungesa e partive kryesore të opozitës në zgjedhje kufizoi ndjeshëm mundësinë e zgjedhjes së kandidatëve nga votuesit", tha ambasadorja Glover.

Zgjedhësit në presion nga partitë politike

Një gjetje tjetër e misionit të vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it është presioni nën të cilin u vunë zgjedhësit nga ta dyja palët.

Fotografi: Prime Minister Secretary

„Ne pamë prova se zgjedhësit u ndodhën nën presion nga të gjitha palët politike. Kjo së bashku me fokusimin nga një media e polarizuar tek kriza politike dhe jo tek ofrimi i informacioneve të paanshme rreth kandidatëve, pengoi disa votues të votonin të lirë dhe të bënin zgjedhje të mirë informuara”, tha ambasadorja Glover.

Pasiguri juridike nga përplasjet politike

Klima e tensionuar dhe përplasja politike, vëren misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it, krijuan pasiguri juridike.

"Shumë nga vendimet e administratës zgjedhore u morën duke patur parasysh si objektiv garantimin e mbajtjes së zgjedhjeve. Fokusi kryesor gjatë fushatës ishte mospjesëmarrja e partive kryesore opozitare dhe data e zgjedhjeve dhe jo ҫështjet lokale”, theksoi Glover.

Fotografi: Democratic Party

Zhvillim i votimit - qetë dhe paqësisht

Ambasadorja Glover konsideroi gjetje pozitive faktin e zhvillimit të votimit "qetë dhe paqësisht”.

" Më shumë se 3, 5 milion vetë ishin regjistruar për të votuar dhe 21,6 % prej tyre votuan në 5.410 qëndra votimi në të gjithë vendin. Në 61 bashkitë u regjistruan 97 kandidatë për kryetarë bashkie, ndër to 11 gra dhe 544 kandidatë në listat për këshillat bashkiake,  të ekuilibruara nga pikpamja gjinore në përputhje me Kodin Zgjedhor”, përfundoi Ambasadorja Glover prezantimin e gjetjeve paraprake të misionit të vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it.