Gratë dhe fëmijët, viktimë e dhunës në familjet në Maqedoni
2 Maj 2009Dhuna në familje, në veçanti ndaj gruas dhe fëmijëve, në Maqedoni ka aritur shifra alarmante. Ministria e Punës dhe Politikës Sociale njofton për mbi 600 raste të dhunës së regjistruar në familje, prej tyre në 528 raste viktima janë gratë, ndërsa në 72 raste fëmijët. Pjesa më e madhe e tyre ka përjetuar dhunë fizike dhe psiqike, ndërkohë që ka pasur edhe dhunë seksuale. Të gjitha viktimat kanë nevojë për mbëdshtetje.
Hapja e këshillimores së parë për viktimat e dhunës në familje, është hapi i parë konkret i hedhur në mbrojtjen e kësaj kategorie të qytetarëve në Maqedoni. Kjo këshillimore do të ofrojë përkrahje socio-psikologjike për të gjitha viktimat e dhunës në familje. Do të ofrohet edhe ndihma e profesionistëve, që do ta shoqërojnë viktimën gjatë procesit duke e forcuar vetëbesimin në marrjen e vendimeve të duhura. Preventiva, këshillat dhe intervenimi post traumatik do të jenë format e ndihmave konkrete për viktimat, thotë drejtoresha e shoqatës “ESE”, Jasmina Frishiq.
“ Çdo e dyta femër është viktimë e dhunës psikologjike, çdo e pesta e dhunës fizike ndërsa çdo e dhjeta grua është viktimë e dhunës seksuale. Frika, depresioni mungesa e vetëbesimit janë arsyet më të shpeshta për rritjen e numrit të viktimave” thotë Frishiq.
Identifikimi i dhunës mundëson zhdukjen e saj
Arlinda Istrefi është koordinatore në Qendrën për të drejtat e gruas. Ajo vikitimave të dhunës në famijle u ofron ndihmë përmes këshillave juridike, mbrojtje dhe promovim te zhvillimeve sociale juridike e politike ku të drejtat themelore të njeriut janë të respektuara, e veçanrisht ato të gruas janë të mbrojtura. Sipas Arlinda Istrefit shkaqet kryesore të paraqitjes së dhunës në familje janë: “Papunësia, alkoholi, përdorimi i lëndëve narkotike si dhe koncepti tradicional i të kuptuarit se mashkulli është koka dhe fuqia e familjes“.
Sipas saj dhuna në familje është një faktor shumë i zhvilluar në kohën e fundit në Maqedoni, jo për faktin se ajo tani është në dukje por është pikërishtë për shkak të asaj se tani ajo po identifikohet dhe flitet për te.
Si të luftohet dhuna në familje?
Ministri i punës dhe politikës sociale Xhelal Bajrami, thotë se dhuna në familje është në rritje, andaj duhet marrë masa urgjente për parandalimin e saj. “Shifrat janë shqetësuese, në veçanti dhuna ndaj gruas dhe fëmijëve”, pohon ai.
Në Qendrën për të drejtat e gruas vlersojnë se në zhdukjen e fenomenit të dhunës në familje do të ndihmonte “bashkëpunimi i aktorëve kryesor në këtë problem - qendrave për punë dhe politikë sociale, policisë dhe organizatave joqeveritare, që merren me të drejtat e gruas.
Prej të gjitha rasteve të denoncuara të dhunës familjare në Maqedoni, vetëm 64 prej tyre jane procesuuar në seanca gjyqësore.
Autor: Fatos Musliu
Redaktor: Bahri Cani