1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gratë moderne nuk do të gjejnë më burra modernë

Aslan Khassan18 Janar 2007

Studimi i Shell-it për rininë në Gjermani mbi rolin e gjinive

Tendence Lifestyle nga Sandra Weinmann Forma për pjekjen e biskotave në formë burri
Tendence Lifestyle nga Sandra Weinmann Forma për pjekjen e biskotave në formë burriFotografi: AP

Prej më shumë se 50 vjetësh koncerni i naftës Shell financon një studim të vlerave dhe mënyrës së sjelljes së të rinjve në Gjermani. Në vjeshtën e vitit 2006 u publikua i ashtuquajturi studimi i 15-të i koncernit Shell. Pikërëndesa e studimit aktual ishte pyetja e brezave: "të rinj dhe të moshuar". Veç kësaj janë studiuar edhe zhvillime të reja dhe tendenca tek të rinjtë: rezultatet përmbanin edhe njohuri të habitshme mbi vetë perceptimin dhe rolin e dy gjinive.

Vajzat në Gjermani janë moderne, të vendosura, të motivuara dhe fleksibile pra të përgatitura për shoqërinë globale. Djemtë përkundrazi sillen më shumë në mënyrë konservative. Në moshën 18 vjeç vetëm pak prej tyre dëshërojnë të jenë të pavarur. Atyre u pëlqen "hoteli mama". Ky dhe rezultate të tjera të studimit Shell bëjnë të qarta perspektivën e roleve të djemve dhe vajzave në Gjermani: vajzat orientohen më shumë prej stereotipit fleksibël dhe pjesa më e madhe e tyre kanë perspektivën e qartë për të kombinuar profesionin me familjen. Ndryshe nga to djemtë e rinj i përmbahen më shumë se vajzat stereotipeve tradicionale brenda familjes. Vajzat e reja fitojnë më parë pavarësinë dhe synojnë më shpesh se djemtë arsimin e lartë. Në përgjithësi vajzat rezultojnë më performuese dhe të motivuara se djemtë.

Për studiuesin e rinisë nga Bielefeld-i Klaus Hurrelmann që ka drejtuar studimin, këto zhvillime nuk kanë shkaqe gjenetike por sfond shoqëror dhe pedagogjik: "Arsyeja qëndron në impulset shoqërore dhe natyrisht impulset formuese. Çfarë nxitjeje merr një i ri apo e re për organizimin e studimit, si ndërtohet motivacioni, si sillen ata me zhgënjimet. Çfarë objektivash kanë të rinjtë. Dhe e gjitha ka të bëjë natyrisht me përfytyrimin për gjininë. Pra çfarë dua të bëj unë më vonë si burrë apo si grua. Bëhet pra fjalë për stereotipet, konceptimin e tyre, me qëndrimin ndaj gjinisë respektive dhe xhonglimin me performancën, profesionin dhe familjen."

Rezultatet e studimit aktual tregojnë qartë, mendon Hurrelmann, se mbështetja e grave dhe vajzave në fushën e arsimit filluar në vitet '60 ka sjellë rezultate të mira. Por në këtë proçes është anashkaluar me sa duket gjinia mashkullore dhe fakti që gjithnjë e më shumë djem të rinj kanë nevojë për nxitje specifike. Djemve të rinj u mungojnë vlera të tilla si aftësia performuese, rezistenca personale, këmbëngulja. Shkak për këtë sipas Hurrlmann është pjesëmarrja e pakët e gjinisë mashkullore në edukim: kopështi është në pjesën më të madhe të rasteve çështje grash e veçanërisht në ciklin e ulët ka më shumë mësuese dhe në shumë familje baballarët shpesh nuk janë të pranishëm. Në kopshtet gjermane vetëm një ose dy përqind e personelit pedagogjik janë meshkuj thotë Hurrelmann.

Për këtë arsye në këto institucione duhet menduar tani për futjen e një kuote të detyruar personeli të gjinisë mashkullore, propozon studiuesi nga Bielefeld-i: "Eshtë e rëndësishme që të dyja gjinitë të jenë të përfaqësuara në mënyrë të tillë që fëmijëve djem ose vajza t'u tregohen respektivisht modelet për rolet e ndryshme të gjinive. Nëse në institucionet pedagogjike ka vetëm personel femëror atëherë djemve u mungojnë modelet për t'iu dhënë përgjigje pyetjeve të tilla si: si t'i përgjigjem kërkesave, si të sillem me forcën time fizike, me agresivitetin e lindur i cili tek djemtë është ndryshe nga vajzat, si t'i zgjidh konfliktet sipas mënyrës sime."

Kërkesën e tij për një kuotë personeli mashkullor në shkolla dhe kopshte Hurrelmann nuk e sheh në konflikt me diskriminimin ende ekzistues të grave në shumë profesione dhe fusha pune. Një shoqëri nuk mund të pranojë që djemtë të zhvillohen me ngadalë se vajzat. Pasojat janë të qarta: dikur gratë moderne nuk do të kenë më partnerë modernë.

Hurrelmann nuk i druhet as kundërshtimit nga organizatat e grave kundër një kuote të tillë pasi propozimi i tij mbështetet në një ide pedagogjike:"Do të ishte shumë e gabuar të mendohej që mbështetja e grave dhe ajo e burrave janë dy institucione konkurruese. Ato janë impulse specifike, mënyra të veçanta pune pedagogjike që marrin parasysh qysh herët karakteristikat e veçanta të të mësuarit, të sjelljes dhe të menduarit të të dyja gjinive. Kështu mund të vihen në rrugë proçese të mira zhvillimi në planin mësimor dhe personal tek fëmijët. Kush e sheh këtë ndryshe nuk ka kuptuar asgjë nga pedagogjia."