1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gratë në Kosovë

Miriam Steger16 Shkurt 2006

Gratë në Kosovë jetojnë në periferi të shoqërisë dhe jeta e tyre e përditshme karakterizohet prej diskriminimit dhe pengesave.

Fotografi: AP

"Unë luftoj, jam e re, jam femër dhe jap mësim në një universitet të dominuar prej burrave. Kjo është një sfidë, por sfidat më pëlqejnë." - thotë Linda Gusija, 26 vjeç, e cila është pedagoge e sociologjisë në degën studimet gjinore pranë Universitetit të Prishtinës.

Nita Ljuci lufton në një front tjetër për të drejtat e femrës. Një herë në javë ajo moderon një emision radiofonik gjatë të cilit mund të marrin në telefon edhe dëgjuesit.

"Titulli i emisionit është "Për sa kohë nuk ka shumë feminizëm... " Kur po punonim për këtë emision më thanë, të njohim ty, për sa kohë nuk ka shumë feminizëm, dhe kështu lindi ideja për t'i vënë këtë emër këtij emisioni."

Ndërgjegjia e femrave në Kosovë për realitetin në të cilin jetojnë nuk është tepër e zhvilluar. Ato vuajnë si prej gjendjes politike edhe prej gjendjes ekonomike të vendit, thotë Linda Gusija.

"Gratë këtu janë në periferi të shoqërisë, ato vuajnë nga pikëpamja ekonomike prandaj nuk mund të shkojnë në shkollë. Për këtë shkak edhe numri i femrave të papuna është rreth 70%. Po ashtu postet më e paguara më mirë i marrin burrat".

Në Kosovë ka shumë vetë që besojnë se djemtë mund të gjenë më lehtë punë se sa vajzat. Për këtë këto i largojnë nga mosha 17 deri 18 vjeç prej shkollës. Femrat nuk mungojnë vetëm nëpër bankat e shkollës, por edhe nëpër librat e shkollës, në të cilët himnizohen më tepër ushtarët dhe luftëtarët.

"Të tilla gjëra nxitin tek fëmijët agresivitetin dhe dominancën e burrave. Dhe në rast se fëmijët në shkolla nuk mësojnë asgjë prej shkrimtareve apo poeteve femra, atëhere kjo natyrisht që ua ndryshon këndvshtrimin ndaj botës." - thotë sociologia.

Këndvështrimin ndaj botës e kanë ndryshuar edhe hyrja në Kosovë e organizatave fetare që nuk kanë qenë më parë të pranishme në vend, thotë Nita Ljuci, e cila po punon për një disertacion në fushën e antropologjisë.

"Ka organizata islamike të cilat përshembull u paguajnë femrave apo baballarëve të tyre para që ato të mbulohen. Po ashtu ka disa kisha, që përpiqen të konvertojnë sa më shumë njerëz. Unë mendoj se mënyra se si bëhet kjo është tepër problematike.

Edhe në politikë femrat dhe problemet e tyre nuk luajnë ndonjë rol. Politikanët në punën e tyre mbeten abstraktë dhe flasin për romantikë nacionale në vend që të merren me probleme konkrete, jo vetëm ato të grave, por edhe përshembull të elektricitetit që është problem për të gjithë Kosovën.

Mendimi dhe veprimi politik në Kosovë dominohet prej nacionalizimit dhe idesë së pavarësisë. Dhe në këtë mes nuk ndryshon asgjë fakti se parlamenti ka vendosur një kuotë prej 30% për praninë e femrave.

"Shumica e femrave në parlament kanë funksion dekorativ. Shpresoj që kjo të ndryshojë. E di se në të ardhmen do të kemi në politikë femra që do të jenë vërtet bindëse dhe të mos e mbajnë këtë apo atë funksion vetëm se i ka zgjedhur kryetari i partisë, ose sepse ai e di se ato janë të bindura."