080911 Griechenland Karlsruhe
8 Shtator 2011„Ne nuk jemi indiferentë, por shpesh na mungon koha për t'i ndjekur të gjitha zhvillimet! Masat e kursimit të qeverisë na mbajnë të gjithë pezull! E vetmja gjë që unë ndjek çdo ditë, janë lajmet 30 minutëshe në televizion.“ Kështu si kjo 75-vjeçare, e cila siç thotë ende punon, mendojnë shumë grekë. Vendimin e Gjykatës Kushtetuese gjermane për pjesën e Gjermanisë në kreditë për shpëtimin e Greqisë, ata nuk e kanë regjistruar thuajse fare.
Shoferët e taksive, të cilët janë sërish në grevë, protestat e studentëve kundër ligjeve të reja për universitetet, taksa mbi vlerën e shtuar në gastronomi, e cila sapo u rrit - janë këto gjërat për të cilat diskutohet këto ditë në Greqi. Vendimi i gjykatësve kushtetues në Gjermani? Jo dhe aq i rëndësishëm. E megjithatë lehtësimi, pas shqiptimit të vendimit pozitiv, ndiehet qartë. Që të mërkurën pasdite, shumë medie greke kishin në faqet e tyre në internet një foto të gjykatësve në Karlsruhe, nën titullin "Padia hidhet poshtë - ndihma për Greqinë në përputhje me ligjin".
„Unë i ndjek të gjitha këto në internet. Jemi të gjithë të prekur: bëhet fjalë për kreditorët tanë dhe janë pikërisht ata prej të cilëve presim ndihmë", shprehet një vreshtar grek. I pyetur se çfarë mendon për kërkesat e disa politikanëve dhe lobiistëve në Gjermani, të cilët kërkojnë ndalimin e ndihmave për Greqinë, 40-vjeçari përgjigjet:„Këtë unë nuk e kuptoj. Gjermanët në fund të fundit kanë shumë më tepër për të humbur sesa ne! Nëse izolohen, gjermanët nuk do të shesin dot më produktet e tyre të eksportit në Evropën Juglindore. Edhe sikur grekët të fusin sërish monedhën e tyre, dhraminë, kjo do t'i dëmtonte eksportet gjermane."
Ministri grek i Financave Evangelos Venizelos, ka njoftuar ndërkohë se qeveria do të rrisë ndjeshëm ritmin e reformave. Ai përmendi edhe emra konkretë firmash shtetërore, të cilat do të privatizohen së shpejti. Të prekura janë për shembull dy firma të gazit dhe naftës si dhe një organizatë për sportin e hipizmit. Edhe pjesa shtetërore në aeroportin ndërkombëtar të Athinës do të shitet sa më shpejt të jetë e mundur.
Kontrollorët ndërkombëtarë të BE-së, Bankës Qendrore Evropiane dhe FMN-së, në fund të javës së kaluar tërhoqën vëmendjen për zbatimin e shpejtë të reformave të miratuara. Që qeveria e kryeministrit Papandreu nuk e ka arritur këtë deri tani, nuk e habit këtë punonjës banke në Athinë:„Unë nuk besoj se politikanët në pjesën tjetër të Evropës veprojnë ndryshe nga këtu tek ne. Secili përpiqet të kënaqë klientelën e tij. Kancelarja gjermane kujdeset për zgjedhësit e saj, presidenti francez gjithashtu, dhe edhe qeveria greke kërkon t'i kënaqë të gjithë. Për fat të keq ajo nuk ka asnjë zgjidhje.“
Autor: Stefan Wurzel / Eliana Xhani
Redaktoi: Elert Ajazaj