1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Greqi: “Kontribut” i madh i të huajve në rritjen e indeksit të krimit?

12 Maj 2009

Ajo që deri më sot besohej se ishte mit, tani është realitet? Kështu u përcoll në median greke një studim i Qendrës Kombëtare të Studimeve Sociale që ngjalli përshtypje të madhe në opinion.

Metroja e Athinës
Sipas të dhënave, të huajt në Greqi kryejnë pjesën më të madhe të krimit ordiner, vendasit në krimet ekonomike.Fotografi: Nikos Pilos

Drejtoresha e Studimeve Sociale të Qendrës që ka publikuar studimin, Ioana Tsiganou, flet në mikrofonin e DW duke korrigjuar median vendase se nuk është "plotësisht ashtu". Gjithsesi ajo shpjegon shkaqet e rritjes së indeksit të krimeve të të huajve, që ushqen stereotipet ksenofobe në vend dhe tregon rrugën e luftimit të fenomenit.


Një vështrim i shpejtë mbi të dhënat statistikore nuk le asnjë dyshim për “kontributin” e madh të të huajve në rritjen e indeksit të krimit në Greqi që nga periudha e ardhjes së tyre, në fillim të viteve 90-të, nga vendet ballkanike post-komuniste por edhe ato afroaziatike. Konkretisht, vitet e fundit të huajt kanë kryer 36.36 përqind të vjedhjeve nga 13.53 përqind, në fillim të viteve 90-të. Në vjedhjet bile pa dhunim të banesave nga 3.45 përqind në vitin 1990 arriten në 37.55 përqind në vitin 2007. Një rritje shqetësuese vihet re dhe në krimet e rënda. Në vrasjet me paramendim, edhe pse rekordin e mbajnë vendasit, në 32.46 përqind të akteve të shënuara gjatë vitit 2007, autorë janë të huajt. Ndërkohë të huajt kanë pjesëmarrje më të madhe në arratisjet nga burgu, me 56.31 përqind të rasteve të vitit 2007, krahasuar me vetëm 43.69 përqind të kryera nga grekët.

Të dhënat e kriminalitetit evidentojnë defiçitin në politikën mbi imigracionin.Fotografi: Nikos Pilos

Me të dhëna të tilla mesazhi mund të kalonte lehtë, siç edhe ndodhi, se të huajt janë shkaku kryesor i rritjes së indeksit të krimeve në vend. Aq më tepër, që të dhënat statistikore në fjalë nuk vijnë nga policia, si në fillim të viteve 90-të, kur u krijuan edhe stereotipet ksenofobe në një masë të konsiderueshme të opinionit. Kësaj radhe ishte një studim i Qendrës Kombëtare të Studimeve Sociale, mbi të dhënat e të cilit fokusoi me forcë ajo pjesë e medias, që i pa si rast për konfirmimin e mitit të “harruar” të fajësimit të të huajve për krimet në vend.

Kaluam më në fund nga miti në realitet? pyetëm fillimisht në bisedën për Deutsche Welle drejtoreshën e studimeve të Qendrës Kombëtare të Studimeve Sociale Ioana Cinganu. “Nuk është pikërisht ashtu. Nuk mund të themi se të huajt zënë vendin e parë. Sigurisht, konstatojmë disa tendenca në rritje. Si për të huajt, po ashtu edhe për vendasit. E theksoj, se gjendja nuk është veçanërisht shqetësuese në Greqi. Ndodhemi në radhët e fundit përsa u përket ritmeve të rritjes së krimit në krahasim me vendet perëndimore”.

Të huajt nuk kanë mbrojtjen dhe garancitë ligjore që ka qytetari grek, thotë Ioana Tsiganou.Fotografi: Nikos Pilos

Por si duhet parë atëherë çështja e rolit të të huajve në rritjen e kurbës së krimit të viteve të fundit nga gjetjet e padiskutueshme të studimit? “Përqindjet e krimit të të huajve shënohen në raste shkeljesh që janë më shumë të dukshme, në krimin ordiner ose në krimin e rrugëve. Vendasit nga ana e tyre, kanë përqindje të konsiderueshme në kategori të tjera krimesh, siç janë krimet ekonomike, p.sh., ose të ashtuquajturat krimet e “kollarës së bardhë”. Një mundësi që u jepet kryesisht vendasve, të cilët dinë edhe lojën e korrupsionit. Të huajt rreken drejt kontrabandës, shkeljeve të ligjit mbi drogën apo armëmbajtjen pa leje, po të flasim për krimet e rënda».

Bashkëbiseduesja jonë ka shpjegimin e saj, pse në disa lloje krimesh të huajt kanë pothuajse jo vetëm përparësinë, por edhe “monopolin”, që bëhet edhe shkak për krijimin e një profili të tyre të shtrembër në opinion. “Do të thoshja, se fizionomia e kriminalitetit të të huajve afirmon edhe strukturën e kryerjes së një krimi. Psh. kryejnë fajin e falsifikimit, që diktohet nga vetë pozita e tyre e brishtë sociale, pasi zvarritet akordimi i lejeve, vonohet legalizimi i tyre. Në një përqindje të madhe të gjithë ata, që synojnë të mbeten në vend, dhe të mos e përdorin si transit, kryejnë fallsifikime. Në mos gaboj, rreth 73.5 përqind e rasteve të falsifikimeve të vitit 2007, u kryen nga të huajt.

Të dhënat e kriminalitetit nxisin stereotipet, sidomos kur keqpërdoren nga mediat.Fotografi: Nikos Pilos

Një arsye tjetër është mungesa e një Sistemi të Kompletuar të Pritjes së të huajve, informimit të tyre, pasi një pjesë e madhe e shkeljeve u dedikohet padijes, kuadrit krejt tjetër kulturor edhe institucional që kemi në krahasim me vendin e tyre. Mos harrojmë, dhe kjo ka rëndësinë e saj të madhe, se të huajt nuk kanë mbrojtjen dhe garancitë ligjore që ka qytetari grek. Kjo ka si rezultat përballjen e tyre më të shpeshtë me drejtësinë, por edhe burgimin e tyre në përqindje më të mëdha».

Në thelb studimi evidenton një defiçit të madh në politikën mbi imigracionin që diktohet edhe si rrugë e përballjes së fenomenit. “Në qoftë se u ofrojmë struktura imigrantëve ose të huajve, që dëshirojnë të mbeten në vend ose të integrohen më shpejt, duke u dhënë njëkohësisht, po ato të drejta që kanë edhe qytetarët grekë, besojmë se ky profil i tyre do të reduktohet ndjeshëm”.


Sa për frikën që të dhënat e studimit të përforcojnë stereotipet ksenofobe? “Duam s’duam ekzistojnë. Riprodhim i stereotipeve po bëhet” thekson në fund zonja Cinganu pa fshehur pezmatimin e saj për “mënyrat se si pasqyrohen disa raste nga media”.

Autor: Niko Anagnosti
Redaktoi: Aida Cama