Greqi: Vaj luledielli u shit dhe eksportua si vaj ulliri
27 Nëntor 2017![Olivenöl Löffel Salat](https://static.dw.com/image/19234146_800.webp)
Prokuroria greke bëri të ditur të dielën (26.11), se në Greqi janë shitur shumë tonë vaj luledielli si vaj ulliri. Ajo akuzoi shtatë persona, që e kanë ngjyer vajin e lulediellit të verdhë në ngjyrë të gjelbër, në mënyrë që të duket si vaj ulliri. Ky vaj i falsifikuar është eksportuar edhe në Gjermani.
Policia arrestoi të dyshuarit - një familje me katër anëtarë dhe tre të afërm - në qytetin Larissa. Vaji i falsifikuar u është shitur në enë pesëlitroshe konsumentëve grekë dhe është eksportuar në mbajtëse një tonëshe vaji, kryesisht në Gjermani. Policia gjeti në vend pesë tonë vaj të falsifikuar, i cili nuk qe paketuar ende dhe dymbëdhjetë mbajtëse, të destinuara për eksport.
Produkti shitej si "Vaj ulliri ekstra i pastër, direkt nga prodhuesi". Në Greqi, një vaj i vërtetë i tillë kushton nga 26 deri 30 euro. Policia pati arrestuar më parë rreth 60 tregtarë të vajit të falsifikuar dhe vetëm më vonë konstatoi se ku ndodhej qendra e dyshuar e mashtrimit.