1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Greqi: Protesta paqësore jo partiake, por thellësisht të politizuara

3 Qershor 2011

Në Greqi vazhdon për të dytën javë me radhë lëvizja e të revoltuarve, me protesta të përnatshme dhe të larmishme paqësore në sheshet qëndrore të Athinës dhe Selanikut.

Protesta në Greqi
Protesta në GreqiFotografi: DW

I hipur mbi një podium të shkurtër, sa për t'u dalluar nga grumbulli i madh i njerëzve rreth tij, oratori, profesori i Ekonomisë Janis Varufaqis, nuk merrte “frymë” nga pyetjet, që pasonin njëra tjetrën për krizën dhe borxhin. “Nuk kemi prerë asnjë, asnjë. Secili vjen me qetësi, merr mikrofonin dhe pyet”, i qetëson të pranishmit një djalë i ri, organizatori i debatit, që zhvillohet për natë prej orës 9 dhe deri në 1-2 pas mesnate. Janë mbledhjet e hapura popullore, që zhvillohen përnatë në sheshin Sintagma, i cili vazhdon të “përqafojë” të gjithë të revoltuarit grekë të shesheve qe prej 10 ditësh, kur nisën me apel elektronik protestat paqësore antiqeveritare.

Nëpër sheshe po rilind demokracia direkte

Protestuesit Konstandinos Maqedhonas dhe Jorgjis IkonomopullosFotografi: DW

Është parlamenti “tjetër”, që nën dritën e praruar të natës ngjan si një gravurë e dalë prej antikitetit grek të demokracisë direkte, me Agoranë dhe oratorët anonimë popullorë. “Kjo është demokracia direkte, mbledhjet popullore, ku merren vendimet nga populli dhe për popullin”, thotë për DW ndërtuesi, Argjirios Marinaqis, i cili nxiton të sqarojë se me ato, që ndodhin këto ditë, “nuk lind, por rilind demokracia, që funksionoi për 300 vjet në Greqinë e lashtë.”

“Populli e di mirë se çfarë kërkon”

Muratori Argjirios MarinaqisFotografi: DW/N. Anagnostis

Mbledhjet popullore zhvillohen në mënyrë të përsosur dhe transmetohen live në web radio, facebook dhe tuitter. Respektohet me fanatizëm 3 minutëshi i kohës në dispozicion për secilin, kurse disaprovimi shprehet vetëm me gishtin tregues të drejtuar në tokë dhe aprovimi me gishtin tregues drejt qiellit. Të 13 komisionet e ngritura bëjnë, që gjithçka të punojë si sahat në një shesh, që ka dhe çadra, por ndrin në mëngjes nga pastërtia, që buçet nga thirrjet dhe parullat, shumë herë edhe ekstreme, por nuk trazohet nga asnjë incident. Një sfidë, që i bën të tepërta dizaprovimet dhe munxosjet ndaj parlamentit përballë, që ndërkohë nga një pjesë shihen si të natyrshme. “Munxa dhe blasfemia është minimalja e asaj, që duhet bërë. Populli e di mirë se çfarë do. Sistemi, që e qeverisi e vodhi, e tradhëtoi, e injoroi” thotë Janis Gallanopullos dhe kthen sytë jo pa nëntekst nga banderola, që kërkon largimin e qeverisë.

Protestat nuk janë kalimtare dhe as “modë elektronike”

Shkrimtari Jorgos IerodiakonosFotografi: DW/N. Anagnostis

Sa për të “revoltuarit”, që të dielën e 29 majit arritën pothuajse në 100.000 vetë, duket se nuk janë kalimtarë, apo “modë elektronike”, siç u shprehën qeveritarët. “Jam këtu që ditën e parë, kur filluam, kur ishim 60 vetë dhe do të mbetem, deri sa të jepet zgjidhja. E cila nuk është tjetër veçse largimi i tyre nga parlamenti”, thotë Jorgos Ierodiakonos, që e shikon rrënjën e së keqes tek “sistemi politik” dhe kërkon ndryshim. Si shkrimtar që është, rend nëpër histori për t'iu përgjigjur pyetjes, nëse ndryshime kaq të mëdha mund të vijnë nga një lëvizje spontane, për të cilën, me gjithë masivitetin e saj, nuk janë pak ata, që mbajnë “shport të vogël”. “Gjithnjë historia shkruhet me kryengritje. Kjo po ndodh dhe tani”, përgjigjet Jorgos, i cili nuk ka asnjë iluzion se “do të duhet mund i madh në vazhdim për të ndërtuar një shtet modern”. Cili mund të ishte titulli i faqes së historisë, që shkruhet këto ditë nëpër sheshe? “Sovranitet kombëtar, demokraci direkte”, përgjigjet Jorgos, që largohet nxitimthi me një këngëtar, që kërkon një mikrofon për të kënduar një këngë.

Të papranueshme ekceset, por të mundshme në një lëvizje popullore

I riu Kristo dëshiron një të ardhme më të mirëFotografi: DW/N. Anagnostis

Banderola për “judë të shitur për 30 aspra”, apo pankarta për “hajdutë” dhe “tradhtarë”, ashtu si edhe sharjet ndaj politikanëve, nuk janë sigurisht të pranueshme dhe as në etikën e një “revolucionit paqësor”, term, që u dëgjua për herë të parë në mitingun para Universitetit. Por nuk mund të përjashtohen në një revoltë popullore. “Na marrin jetën, na e prishin. Për këtë po ndodh ky reagim”, thotë Lica Uzunoglu, që ajo e quan “spontan, burimor”, që e shfrytëzojnë ndërkohë “në mënyrë tinzare edhe politikanët për t'u treguar caqet tregjeve dhe bankierëve”.

“Ndryshimi të fillojë nga poshtë”

Analisti Dhimitris KazaqiFotografi: DW/N. Anagnostis

Të rinjtë si Kristoja i gëzohen mungesës së simboleve partiake. Ai kërkon që “ndryshimi të fillojë për secilin në radhë të parë nga vetja e tij”. “Kjo mund të mos jetë mënyra, që do të sjellë përmbysjen. Shpresojmë në diçka më të mirë. Ndryshimi të vijë nga poshtë, nga masa dhe pastaj të sanksionohet me ligje. Shpresojmë në një jetë më të mirë për brezin e ri dhe të gjithë brezat e tjerë”, thotë Kristoja, që do të donte një pasqyrim më objektiv të protestave dhe nga media. Mjaft rezerva ka edhe për qëndrimin e partive, që e kuptojnë se “nuk kanë për të marrë asnjë votë nga të revoltuarit” dhe se u rrezikohet monopoli i përfaqësimit të popullit.

Populli kuk është apolitik

Pamje nga një miting protesteFotografi: DW/N. Anagnostis

Por ç' të ardhme mund të ketë një lëvizje e tillë, me një përbërje heterogjene, pa program dhe simbole partiake, që shumë nxituan ta pagëzojnë si apolitike? “Është tmerrësisht e politizuar kjo lëvizje, por jo partiake”, siç thotë shkurt Gallanopullos. “Populli nuk është apolitik, sepse nuk vjen këtu për të ngrenë salçiçe dhe fara luledielli, por për të sfiduar pushtetin. Një lëvizje, që sfidon pushtetin, është prej natyre një lëvizje politike. Thjesht nuk u pëlqen pushtetarëve”, thotë për DW analisti Dhimitris Kazaqis dhe shton se gjithçka filloi si “lëvizje të revoltuarish, por tani është shndërruar në një lëvizje mbarëpopullore, që mund të shpaloset në caqet e një sheshi, por ka me vete shumicën e popullit”.

Autor: Niko Anagnosti

Redaktoi: Angjelina Verbica