1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Greqi: Shpresa dhe urime në sfondin trishtues të krizës

30 Dhjetor 2011

Fundviti i sivjetshëm në Greqinë e krizës së thellë ka ngjyra të zbehta festive. Jo vetëm për vendasit, por edhe për imigrantët një pjesë e të cilëve marrin rrugën e kthimit në atdhe me bileta “one way”.

Pamje simbolike
Pamje simbolikeFotografi: Fotolia/fuxart

Vetëm 200.000 euro akordoi Bashkia e Athinës për dekorin dhe aktivitetet festive të këtij fundviti, aq sa vitet e tjera kushtonte vetëm stolisja e pemës së Vitit të Ri në sheshin Sintagma. Por kriza e thellë, që vazhdon të telendisë Greqinë, e ka lënë penelatën e saj të trishtueshme jo vetëm mbi dekorin e vakët festiv të fundvitit. “E papunë, për fat të keq, e papunë qe në korrik” i thotë DW-së Maria Kostarellu tek sodiste vitrinën e dyqanit të këpucëve në kryqëzimin e rrugëve Asklipiu dhe Panepistimiu. Por brenda nuk hynte. Është “zakoni” i përftuar me krizën, kur xhiroja nëpër dyqane ka rënë 40% në krahasim me vitin e kaluar. Rruga e kalldremtë Ermu, me dyqanet luksoze, me lumin e njerëzve që kryesisht shetisin dhe pak blejnë, ngjan më tepër me një shetitore shqiptare të kohës së monizmit se sa me një rrugë tregtare.

Pa ëndrra të mëdha dhe me urimin për një punë

“Punë” e krizës, jo thjesht e zakonit festiv, është edhe numri i shtuar sivjet i vogëlushëve shqiptarë që dolën rrugëve për kolendrat për të mbushur “kumbaranë” e tyre. Por pa bereqetin e viteve të tjera. “Më pak para, sepse ka krizë” thotë nxënësja Alesia Gjymshana, urimi i së cilës përcjell shqetësimin e gjithë moshatarëve të saj: “Të marri babi punë” thotë Alesia me vështirësinë e njohur gjuhësore të fëmijve të emigracionit. “Uroj që të shkojmë në një vend më të mirë dhe të kemi lekë” thotë shoqja e saj Isidora Multo, që do një “punë më të mirë” për prindërit e saj pasi janë intelektualë dhe punojnë si furrtarë. Të veshura mirë dhe me një greqishte brilante u “tradhtuan” si shqiptare nga shoqëruesi i tyre, që i ndiqte në distancë, babai i Alesies, Adrian Gjymshana që afrohet dhe hyn në bisedë. “Qe nga muaji korrik e deri tani nuk kam bërë asnjë ditë pune. Jemi vetëm me një rrogë 800 euro të gruas, kam dy fëmijë, paguaj kurset, qiranë e shtëpisë. Nuk ia dilet, shumë vështirë” thotë ndërtuesi i papunë Gjymshana që e sheh ndërkohë të vështirë kthimin në vendlindje se “aty duhet filluar gjithçka nga e para”. Nuk bën, siç thotë, “ëndrra të mëdha” dhe urimi i tij për Vitin e Ri është i thjeshtë dhe jetësor: “Të hapen vende pune dhe shteti të bëj diçka për ne që jemi këtej!”.

Në foto nga e majta Isidora Multo & Alesia Gjymshana dhe babai i Alesias, Adrian GjymshanaFotografi: DW

Mirëkuptim për krizën dhe pezmatim për burokracinë

“Me sinqeritet u uroj gjithë shqiptarëve, kudo që janë, në çdo cep të botës, të kenë sa më shumë të ardhura, të kenë shëndet dhe lumturi në familje” është urimi i Jani Bobit nga Lazarati, babait të tri vajzave dhe të vetmit krah pune në familje, “që kaloi një vit shumë të vështirë”. Krenar për kontributin e bashkatdhetarëve të tij, “që me punën e tyre treguan vlerat e kombit”, por edhe “mirënjohës për mikpritjen e vendasve”, Jani sikur tregon mirëkuptim për krizën që e cilëson “gjithëpërfshirëse”. Por jo edhe për burokracinë që pas kaq vitesh, qe në vitin 1996 që zbriti nga rrëza e Malit të Gjerë në tokën helene, i nxjerr vajzën 24-vjeçare si të paligjshme për shkak të mossigurimit të pullave të siguracionit. “Një burokraci që nuk ka të shoqe, i rrëzoi dokumentet vajzës vetëm dhe vetëm se nuk siguroi numrin e ensimave”, thotë Jani me pezmatim që pagoi kot avokatin 800 euro dhe tani përvit nga 150 euro për rinovimin e kartës.

Në foto, Jani BobiFotografi: DW

“Problemi më i madh është e ardhmja e fëmijve”

I “mbrapshtë” ishte edhe për Mimoza Qeramën viti 2011, që i nxori dy vajzat nga puna dhe e la vetëm me të ardhurën e saj prej 600 eurosh nga puna si kamariere në hotel. I duhet të paguajë edhe kredinë e shtëpisë që për fat të mirë ia ulen për një vit e gjysëm, se ishte 650 euro në muaj, sa të gjejnë vajzat punë. “Por unë kam pak shpresa, nuk ka punë, nuk rregullohet lehtë tani Greqia kur bizneset mbyllen njeri pas tjetrit. Për mua problemi më i madh është e ardhmja e fëmijve”, thotë Mimoza me një ndjenjë të përzier pesimizmi por edhe optimizmi për vitin 2012: “E shoh që edhe viti 2012 do të jetë një vit shumë i varfër, por shpresoj që të jetë një vit i mbarë për gjithë imigrantët shqiptarë, që duhet të jenë pak optimistë dhe të presin vetem nga vetvetja, nga duart e tyre”.

Në foto, Mimoza QeramaFotografi: DW

Imigrantët kthehen për të riprovuar fatin në atdhe

Me këtë optimizëm, qoftë edhe të “paktë”, mijëra imigrantë marrin përditë këtë fundvit rrugën e kthimit në atdhe, një pjesë me bileta “one way” dhe mendimin se “një derë mbyllet, një tjetër hapet”, ose më saktë rihapet në vendlindje. “Fluksi përseri është i madh por sivjet ka një ndryshim, një pjesë e pret biletën për të mos u kthyer më” thotë gazetari i imigracionit Kujtim Vani kur media vendase flet për “20% imigrantë shqiptarë të riatdhesuar për shkak të krizës”. “Ikin dhe kthehen ndoshta dhe të zhgënjyer nga Shqipëria” mendon pronari i kompanisë së transportit “Top line” Athinë-Tiranë Artur Bibe, i cili e konsideron “mit” kthimin masiv të shqiptarëve kur pesë autobusat e tij shkojnë dhe kthehen plot dhe nuk ka një statistikë të saktë. Transporti, sipas tij, “lulëzon” si shans i krizës.

Në foto, Artur BibeFotografi: DW

Imigrantët duhet të jenë “pjesë e optimizmit” për kapërcimin e krizës

“Problemi nuk është të zesh fundin, por mos të të vejë poshtë fundi” thotë doktor Vasil Llajo, i cili uron që imigrantët të “bëhen pjesë e optimizmit” për kapërcimin e krizës. “Zgjidhjet nuk janë kolektive që të presësh nga shoqëria apo nga politika, nga punëdhënësi apo sipërmarrësi. Zgjidhjet janë individuale dhe këtu duket vlera e gjithësëcilit” thotë administratori njëkohësisht i klinikës laboratorike “Intermedica” në Tiranë. Një realizëm “egoist”, por që e bën më të rrokshëm urimin për një Vit të Ri të mbarë.

Në foto, Vasil LlajoFotografi: DW

Autor: Niko Anagnosti

Redaktoi: Esat Ahmeti