1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Greqi: Zgjedhje të parakohshme

Niko Anagnosti17 Gusht 2007

Më 16 shtator në Greqi do të zhvillohen zgjedhje të parakohshme parlamentare. Qeveria e djathtë në pushtet motivoi mbajtjen e tyre me "vazhdimin e reformave", që vihen në rrezik nga një fushatë e zgjatur paraelektorale

Kostas Karamanlis, kryeministër i GreqisëFotografi: AP Photo

Gjashtë muaj para ezaurimit të mandatit të saj 4 vjeçar, që nga 7 marsi i vitit 2004 kur erdhi në pushtet, qeveria e djathtë e Kostas Karamanlis shkon në zgjedhje të parakohshme më 17 shtator. "Reformat kanë filluar dhe shumë nga ato po japin frytet e tyre. Para popullit, në betejen kritike që po vjen, do të ballafaqohemi me veprën tonë, me urtësi dhe argumente, larg acarimeve të së kaluarës," deklaroi zëdhenësi i qeverisë Theodhoris Rusopullos, duke paralajmëruar zgjedhjet e reja parlamentare, që formalisht shpallen me takimin e sotëm të kryeministrit Karamanlis me presidentin e vendit Papulias dhe dekretin e posaçëm për shpërndarjen e parlamentit.

"Zgjedhje ekspres" i cilësoi me dy fjalë media opozitare, të shpallura në mes të beharit dhe me elektoratin nëpër plazhe, pa mundësinë e një ballafaqimi të vërtetë programesh elektorale, duke shprehur në këtë pikë opinionin kritik të mbarë opozitës, veçanërisht të asaj socialiste të Papandreut e cila kujtoi "mbretin lakuriq" dhe foli për "eskalim rrugësh pa krye" si arësyen e vërtetë të zgjedhjeve të parakohshme. Motivimi i qeverisë se "periudha e gjatë paraelektorale do të vinte në rrezik reformat" dhe se thellimi i tyre kërkon një mandat të ri nuk tingëllon aspak bindës për opozitën e cila kritikoi si amoral edhe faktin e shpalljes së tyre në sfondin e dekorit të zjarreve të periferisë verilindore të Athinës.

Pritet një fushatë e ashpër elektorale me strumbullar kryesisht axhendën sociale, ku qeverisë do ti duhet të bindë elektoratin për paketën e premtimeve të javëve të fundit: për lirimin nga barra fiskale të shtresave të ulëta apo për rritje rrogash të kategorive të ndryshme dhe pensioneve të bujqëve. Argumenti i saj se "kemi venë rregull në ekonomi" dhe se ato janë vetëm "frytet e para" kundërshtohet si jo i sinqertë nga opozita, e cila e akuzon për "politikë favorizuese ndaj kapitalit dhe shtresave të privilegjuara" ashtu siç vlerëson si jo real indeksin e uljes së papunësisë nga 12 përqind në 8.5 përqind, e kritikon për mungesë transparence dhe e bën përgjegjëse për dy skandalet e mëdha të mandatit të saj: atë të përgjimeve telefonike dhe abuzimeve me depozitat e arkave të kursimit.

Axhenda e nxehtë sociale detyron qeverinë por edhe opozitën socialiste që të mbajnë tone të ulëta për çështje kombëtare si ajo e konfliktit për emrin e Maqedonisë në qoftë se duan që të evitojnë "hemoragjinë" në elektoratin e tyre të Greqisë veriore, bastionin e dy partive nacionaliste Alarmi Orthodoks Popullor dhe Rilindja Demokratike që do të përpiqen për të kundërten me shpresën që të bëhen forcë parlamentare. Ajo që nuk ofrohet aspak për spekullim elektoral –ndryshe nga vitet 90të- është çështja e emigracionit, të çliruar nga ankthet e ekstradimeve dhe të pajtuar me hapat e vogla të përmirësimit të statusit të tij, kur rreth tij ekziston dhe një konsensus social dhe politik. Spektatorë edhe të kësaj gare elektorale dhe pa mundësi votimi mbeten edhe pjesëtarët e minoritetit grek të Shqipërisë, pasi edhe ata që mundën të marrin nështetësinë greke nuk kapin afatet e regjistrimit në listat e votimit.

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW