Greqi: Zjarret nxehin konfliktin qeveri-opozitë
28 Gusht 2007
Vetëm me fjalën holokaust mund të përshkruhet ajo ç`kanë lenë pas flakët për të gjashtën ditë me radhë kryesisht në Peloponez, por edhe në zona të tjera të Greqisë, siç tregojnë edhe statistikat e para edhe pse siç dihet nuk mund të përcjellin gjithë të vërtetën: 63 të vdekur, qindra shtëpi dhe 1.000.000 dynym me pyje dhe plantacione të djegura, 1.5 miliardë euro dëme meteriale. Mjafton të themi se u ngrit edhe kampi i parë i refugjatëve dhe siç thonë ekologët “Peloponezi” piktoresk, por edhe turistik dhe vend i preferuar i emigracionit, shtojmë ne, “nuk ekziston më”.
Por dëmet dhe plagët do të jenë shumë më të mëdha në qoftë së bashku me shuarjen sa më të shpejtë të flakëve të zjarrit nuk do tu pritet rruga zjarreve të një lloji tjetër, që fituan terren me spekullimet “për komplot të organizuar” dhe teorinë e “rreziqeve asimetrike” të mbrojtura kryesisht nga ministri i Rendit dhe të iniciuara, sic thotë opozita, nga fjalët e vetë kryeministrit në mesazhin drejtuar kombit kur tha se “kaq shumë zjarre në të njejtën kohë dhe në kaq shumë zona nuk mund të jenë rastësi”.
Me aktivizimin edhe të vetë Shërbimit Informativ Kombëtar në kërkim të fillit të komplotit, qeveria akuzohet “për gjueti shtrigash” në përpjekjen e saj për të fshehur dështimin në menaxhimin e krizës. I ashpër ishte mbremë vonë reagimi i kryetarit të opozitës socialiste Jorgos Papandreu: “Kërcënimet asimetrike janë budallallëqe asimetrike, por kur ato adoptohen nga Karamanlisi, kryeministri i vendit, atëhere bëhen të rrezikshme për institucionet demokratike të vendit” tha Papandreu për tu mëshuar në vijim pasojave të mëdha në imazhin e vendit dhe ekonominë turistike dhe për të pranuar si të vetëm zjarrëvenës të mundshëm "mafien e tokës".
Tonet e ashpra dhe reagimi i menjëhershëm i Papandreut pothuajse në të njejtën linjë me atë të së majtës që kishte folur më parë për kopjim të kursit Bush dhe Athnar pas sulmeve terroriste të 11 Shtatorit dhe Madritit, befasoi qeverinë që disa orë më parë nëpërmjet zëdhënësit të saj ishte munduar të mbante tone të ulëta përballë terrenit rreshqitës por pa hequr dorë nga vlerësimi i saj: “Harku i fronteve dhe vështirësive është shumë i madh, por nuk mund të jetë i rastësishëm. Kjo është pikëpyetja e çdo qytetari grek” tha Rusopullos duke deklaruar se partia e tij nuk dëshiron ballafaqim elektoral për këtë çështje.
Klima e “armiqve të padukshëm” është ajo çka muk i duhet vendit në këto momente. Hija e dyshimit ashtu siç hidhet mbi kundërshtarët politikë të pastisë së PASOK-ut, që ka filluar që muaj më parë me zjarret e para, siç tha Papandreu, mund të hidhet edhe mbi emigrantet aq më tepër kur ndonjë nga pjesëtarët e tyre ndodhet në mesin e qytetarëve të arrestuar apo të fotografuar si të dyshimtë. E keqja edhe në një rast të tillë nuk është vështirë të parashikohet.
Ajo çka del në pah në këto momente është dekurajimi i njerëzve nga politika. Tre në çdo katër qytetarët e anketuar nuk pranuan të përgjigjen për zgjedhjet e 16 shtatorit, duke u dhenë kështu një mesazh të qartë politikanëve se cili duhet të jetë prioriteti por edhe për trajtën krejt të paparashikueshme të hartës politike të vendit pas zgjedhjeve.