1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

120911 EU Außenministerrat

13 Shtator 2011

Në Bruksel u mblodhën (12.9.) ministrat e jashtëm nga vendet anëtare të BE-së. Në qendër të takimit të ministrave ishte monedha e përbashkët evropiane dhe Greqia, por edhe tensionet e kohëve të fundit në Lindjen e Afërt

Qendra e institucioneve evropiane në Bruksel
Qendra e institucioneve evropiane në BrukselFotografi: DW

Krizës akute të euros aktualisht nuk i shpëton dot asnjë takim ministrash, s'ka rëndësi se për çfarë teme mblidhen zyrtarisht. Gjatë fundjavës (10/11.9.), u bënë më të lartë zërat, para së gjithash nga Gjermania, që shprehinin dyshime nëse Greqia do të jetë ndonjëherë në gjendje të plotësojë kushtet për kursime. Kryetari i liberalëve gjermanë (FDP) Philipp Rösler, futi në diskutim madje një falimentim të administruar të Greqisë. Por në Bruksel ministri i shtetit në Ministrinë e Jashtme gjermane Werner Hoyer, u distancua nga kryetari i partisë së tij.

Ministri i shtetit në Ministrinë e Jashtme gjermane Werner HoyerFotografi: dapd

„Nëse ne në BE do të kishim prej vitesh një instrument të mirë për një falimentim të administruar të një shteti anëtar të unionit monetar, atëherë do të ishim ndoshta një hap më tutje. Për këtë arsye rëndësia e temës nuk duhet injoruar, rreziku që të kemi një efekt domino është thjesht shumë i madh. Dhe për këtë arsye: edhe në këtë rast është e rëndësishme të zgjidhen fjalët."

Kristiansocialët për përjashtimin e Greqisë nga eurozona

Nje tjetër mundësi përmendi kryetari i Partisë Kristiansociale Horst Seehofer, e pikërisht përjashtimin e Greqisë nga unioni monetar. Për ministrin e Jashtëm të Austrisë Michael Spindelegger, edhe kjo është e gabuar. „Nëse e mendojmë nga pikëpamja teorike duhet të pranojmë se në marrëveshje një zgjidhje e tillë nuk është e parashikuar. Kjo do të thotë që duhet të gjehet një zgjidhje kontraktuale me Greqinë, por siç duken punët aktualisht, ajo nuk ka shumë dëshirë të dalë nga unioni monetar."

Kryetari i Partisë Kristiansociale Horst SeehoferFotografi: picture-alliance/dpa

Spindelegger dhe Hoyer duan të presin konkluzionet e Trojkës nga BE, ECB dhe FMN. Ajo u largua në fillim të muajit nga Greqia, e zemëruar për mungesën e përparimeve nga qeveria e Athinës. Por tani përfaqësuesit e Trojkës do të kthehen, deklaroi presidenti i Këshillit të BE-së Herman Van Rompuy. Pas një këmbimi mendimesh me kryeministrin polak Donald Tusk, van Rompuy tha para gazetarëve se tani gjithçka varet nga qendrimi i palës greke. „Ata (grekët) duhet të zbatojnë programin e kursimeve, për të cilin është rënë dakord. Nëse janë mbrapa, duhet të bëjnë sa më shpejt dhe në mënyrë të besueshme korrigjime."

Ministrat: Zhvillimet në Lindjen e Afërme shqetësuese

Sa i takon politikës së jashtme, ministrat i shqetëson aktualisht situata e tensionuar mes Izraelit dhe Egjiptit e Turqisë. Ministri i Jashtëm i Austrisë Spindelegger, sheh para së gjithash në sulmin ndaj ambasadës izraelite në Kajro nga një turmë njerëzisht një sinjal të rrezikshëm. „Nga pikëpamja ime është veçanërisht shqetësuese kur një vend nuk mbron më si duhet përfaqësitë diplomatike. Ky është një parakusht për të pasur marrëdhënie diplomatike. Ajo që duhet bërë tani është të ulet toni i replikës për t'u rikthyer në themelet mbi të cilat ngrihet bashkësia ndërkombëtare, e pikërisht respekti i ndërsjellë, përfaqësimi i ndërsjellë, zgjidhja e problemeve në tryezën e bisedimeve dhe jo me dhunën e rrugës."

Ngjarjet rëndojnë edhe marrëdhëniet e BE-së me udhëheqjen e re në Egjipt. BE do të pyesë veten nëse Egjipti pas rrëzimit të Hosni Mubarakut, ka hyrë vërtet në një rrugë drejt demokracisë dhe shtetit ligjor.

Një tjetër situatë rëndon mbi rajon: mosmarrëveshjet mes Izraelit dhe Turqisë. Në fillim të muajit Turqia dëboi nga vendi ambasadorin izraelit. Ishte kjo pika kulmore e një zënke rreth sulmit izraelit mbi një flotilje ndihmash për Rripin e Gazës, në të cilin humbën jetën disa shtetas turq. Ministri gjerman i shtetit Hoyer u bëri thirrje të dyja palëve të tregohen të moderuara: „Kjo është tejet shqetësuese. Ne e dimë mirë rëndësinë e madhe të bashkëpunimit mes Izraelit dhe Turqisë në të kaluarën dhe unë shpresoj që të rivendosen marrëdhënie të mira, pasi ato do të ishin shumë të dobishme për të gjithë rajonin.“

Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle, ndodhet aktualisht në Lindjen e Afërt për bisedime. Edhe e ngarkuara e BE-së me politikën e jashtme Catherine Ashton, ndodhet në rajon, e pikërisht për bisedime në Kajro.

Autor: Christoph Hasselbach / E. Xhani

Redaktoi: Elert Ajazaj