1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Greqia duhet të tregojë rezultate

Andreas Noll/Auron Dodi28 Janar 2014

Asnjë vendim për t'i dhënë kredi të reja ndihmëse Greqisë, vetëm një raport jopërfundimtar i trojkës verifikuese. Ministrat e financave të Euros janë të pakënaqur me Athinën, sepse Athina dëshiron të fitojë kohë.

Fotografi: dapd

Ministri grek i Financave, Giannis Stournaras donte në fakt që punët të kishin ecur më tej. Kur Greqia mori në fillim të vitit presidencën e Bashkimit Evropian, Stournaras tha se në takimin e ministrave të Financave të 18 shteteve të euros të hënën duhej të merreshin vendime për Greqinë. "Përndryshe nuk mund ta ushtrosh normalisht presidencën", tha Stournaras. Por vendime nuk pati. Eurogrupi hë për hë nuk dëshiron t'i zhbllokojë kreditë e ndihmës për Greqinë, bëri të ditur kryetari i vendeve të Euros, ministri i Financave i Hollandës, Jereon Dijsselbloem. Ministrat e financave po presin ende raportin vendimtar verifikues të trojkës, pra të përfaqësuesve të Komisionit të BE, të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Qendrore Evropiane. "Tani është e rëndësishme që të përfundojë verifikimi dhe të livrohet ajo që qe premtuar më parë. Por kjo nuk ka ndodhur deri tani. Do t'i kthehemi më vonë kësaj çështjeje," tha Dijsselbloem.

Jeroen DijsselbloemFotografi: DW/B. Riegert

Trojka kontrollon e ngarkuar nga ministrat e Financave shifrat e qeverisë greke për buxhetin dhe jep rekomandime, se cilat reforma janë në radhë. Por për momentin, shumicën e herëve trojka dhe qeveria grinden në Athinë në diskutimet javore në nivel nëpunësish. Kryetarët e trojkës u larguan në dhjetor në një atmosferë protestash nga Greqia dhe do të kthehen pas pak ditësh në Greqi. Aktualisht bëhet fjalë për boshllëqe të pambuluara në buxhet në shumën dy miliardë euro, që trojka i sheh për vitin 2014. Qeveria e përbërë nga konservatorët dhe socialistët flet për 500 milionë euro të pambuluara në buxhet.

Përparime, por ende shumë për të bërë

Gjendja e buxhetit në Greqi ndërlikohet edhe më tepër nga fakti se gjykata më e lartë administrative e vendit i shpalli të pavlefshme me fuqi prapavajtëse shkurtimet e rrogave për policët dhe ushtarët. Kjo mund ta rëndojë buxhetin e shtetit edhe me 500 milionë euro të tjera. Të gjithë ministrat e financave në Bruksel u kërkuan kolegëve grekë që t'i zbatojnë reformat dhe të bashkëpunojnë me trojkën. Kritikën ndaj trojkës, e cila vetëm kontrollon bilancet dhe përgatit vendimet politike të ministrave të Financave, ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schäuble nuk e kupton. "E Zot i madh! Po kjo është procedura normale. Greqia ka bërë shumë përparime, por Greqia ka ende shumë për të bërë. Edhe këtë e dimë." Prandaj trojka duhet të shkojë rregullisht në Greqi, në mënyrë që të vazhdojë rruga e suksesshme, u shpreh Schäuble.

Giannis StournarasFotografi: AP

Veçanërisht urgjente Greqia nuk e sheh punën, sepse paketa e ardhshme e borxheve prej nëntë miliardë euro duhet të trajtohet vetëm në maj. Megjithatë, që prej fundit të vitit, Greqisë nuk i janë paguar 4,9 euro nga fondi i ndihmës, sepse trojka dhe qeveria nuk kanë rënë dakord me njëra-tjetrën. Reforma dhe direktiva të tjera, presidentja e radhës e BE, Greqia, me sa duket i refuzon, thuhet në qarqet e KE. Deri tani Greqia ka marrë 250 miliardë euro kredi. Prej muajsh përmendet një nevojë tjetër prej rreth 10 miliardë eurosh.