1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Greqia krah për krah me Amerikën

J. Papadimitriou/Lindita Arapi22 Korrik 2013

Ministri amerikan i Financave, Lew lëvdoi Greqinë për kursin e reformave. Nga ana tjetër ai u shpreh për më shumë bashkëpunim mes SHBA-së dhe Europës.

Jack Lew dhe Antonis Samaras në AthinëFotografi: Pantelis Saitas/AFP/Getty Images

Vetëm pak ditë pas vizitës së ministrit gjerman të Financave, Wolfgang Schäuble ishte ministri amerikan i Financave, Jacob Lew që vizitoi të dielën Athinën (21. Korrik). Ai lëvdoi kursin e reformave të qeverisë greke, por pa harruar të përmendë mes rreshtave, se ka ende shumë punë për të bërë. "Ne e dime se ju po punoni shumë që Greqia të futet në rrugën e rritjes ekonomike dhe të sigurojë të ardhmen e gjenerateve të tjera." Pas bisedimeve me kryeministrin grek, Antonis Samaras, ministri amerikan i Financave theksoi se pas këtyre arritjeve, e di "se ju do ta çoni deri në fund këtë detyrë."

Rritja ekonomike dhe vendet e punës si pikërëndesë

Ministri amerikan i Financave, Jacob Lew përmendte vazhdimisht nocionin rritjes ekonomike duke gëzuar me këtë mikpritësit e tij. Lew kërkoi një bashkëpunim më të madh me Europën. Për palën greke këto deklarata ishin një konfirmim i shpresës që ka Greqia, se SHBA do të ushtrojë presion për zbutjen e strategjisë së Bashkimit Europian për konsolidimin e buxheteve dhe zëvendësimin e saj me iniciativat për rritjen ekonomike. Madje më shumë se kaq: SHBA mund të ofrojë një kundërmodel, ndryshe politika strikte gjermane, mendon analisti politik Dimitris Tsiodras.

"Gjermanët mund të kenë fuqinë në eurozonë, por SHBA mbeten fuqi ekonomike botërore dhe kanë zërin kryesor në FMN", mendon Tsiodras. FMN ka ushtruar shpesh presion ndaj europianëve për çështjen e faljes së borxheve të Greqisë dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë edhe në të ardhmen, pavarësisht se gjermanët janë kundër kësaj, mendon eksperti grek. Kujtojmë se ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schäuble në vizitën e para disa ditëve në Athinë e kishte refuzuar qartë faljen e borxheve. Megjithatë ai la të kuptohet se nga viti 2014 do të ketë lehtësime në malin grek të borxheve, në rast se qeveria Samaras vazhdon kursin e reformave.

Kundërmodel i politikës gjermane?

Mediat athinase përmendin herë pas here konferencën e përbashkët të shtypit të ministrit gjerman, Schäuble dhe atij amerikan në Prill 2013. Asokohe ministri amerikan Lew u shpreh qartë "për forcimin e kërkesës brenda vendeve që i kanë kapacitet për këtë", ndërkohë që Schaüble u kundërpërgjigj se nuk ndihmon aspak "që të jepen publikisht këshilla apo të ushtrohet cencurë." Madje edhe paraardhësi amerikan Timothy Geithner kishte kritikuar se "europianët po injorojnë koniunkturën e brendshme."

Jack Lew - Ministri amerikan i FinancaveFotografi: Pantelis Saitas/AFP/Getty Images

Megjithatë si Schäuble ashtu edhe Lew janë të mendimit se në Europën jugore reformat që po bëhen tani duheshin bërë shumë kohë më parë. Ndërkohë që Gjermania përkrah qëndrimin se reformat duhet të zhvillohen paralel me kursin e kursimeve, amerikanët e drejtojnë më shumë vëmendjen tek rritja ekonomike. Analisti Dimitris Tsiodras shpehet se nuk bëhet fjalë që të dhurohen para në jug, por duhet forcuar kërkesa e tregut të brendshëm në vendet e veriut europian, si edhe duhet ngritur një program për rimëkëmbjen e ekonomisë në jug, me qëllim që të mundësohet rritja eknomike.

Athina ka shpresë tek Amerika. Këtë e konfirmoi edhe ministri grek i Financave, Jannis Stournnaras në një intervistë për gazetën e së dielës "To Vima". Ai dëshiron një dialog të frutshëm me SHBA dhe pret që SHBA të përkrahë Greqinë, "për sa kohë kjo të jetë e mundur."

Wolfgang Schäuble në bisedë me Antonis Samaras, para se të vinte në Athine LewFotografi: Reuters

Konsultimet greko-amerikane do të vazhdojnë

Analistët grekë theksojnë se qeveria amerikane nuk është shumë e interesuar për ekonominë greke, por për stabilitetin e eurozonës. "Bashkëpunimi me Europën mbetet për mua prioritet kryesor, sepse punësimi dhe rritja eknomike në SHBA janë të pandara nga rritja ekonomike dhe mirëqenia e Europës", theksoi ministri amerikan i Financave në Athinë. Nga ana tjetër rritja ekonomike në Europë dhe Azi është me peshë edhe në ekonominë botërore.

Konsultimet greko-amerikane do të vazhdojnë pa humbur kohë. Më 8 gusht kryeministri grek, Samaras së bashku me ministrin e Financave, Stournaras do të takojnë presidentin Obama në Shtëpinë e Bardhë. Sipas mediave greke, ministri amerikan ka kërkuar nga grekët që të paraqesin projekte konkrete që mund të zgjojnë interes tek investitorët amerikanë.