Greqia mund të marrë frymë lirisht! Kredia vjen përmes videokonferencës
2 Korrik 2011Ministrat e Financave të eurozonës vendosin t'ia japin Greqisë një pjesë të kredisë së planifikuar një ditë më herët. Livrimi ishte planifikuar në takimin e së dielës të ministrave të eurozonës. Tashmë gjithçka do të kryhet përmes videokonferencës. 12 miliardë euro janë urgjente për Athinën.
Vendimi për zhvendosjen e takimit erdhi nga kryetari i eurogrupit, Jean-Claude Juncker. Debati për ofrimin e paketës së re për Greqinë prej 120 miliardë eurosh do të zhvillohet më 11 Korrik, tha Juncker, në takimin normal të ministrave të Financave. Por ende nuk dihet nëse do të ketë një ujdi për këtë paketë.
"Evropa qëndron nga solidariteti dhe ndihma për ata që janë në vështirësi"
Ish-presidenti i Parlamentit Evropian, sot drejtues i Fondacionit Konrad Adenauer, Hans-Gert Pöttering u shpreh të shtunën se duhet të shohim atë që është pozitive brenda Evropës, solidaritetin brenda saj." Nuk kemi pasur kurrë një situatë të tillë më parë në Evropë, ku popuj së bashku rreth 500 milionë vetë të jenë kaq të lidhur me njëri-tjetrin. Duhet të vendsim atë që është pozitive në qendër. Sigurisht kushtet brenda BE-së për shkak të krizës së borxheve janë të vështira, unë kam mirëkuptim për njerëzit që demonstrojnë. Ka dy gjëra që qëndrojnë së bashku. Solidariteti brenda Bashkimit Evropian dhe ndihma për ata që janë vështirësi. Por edhe ata që janë në vështirësi duhet të bëjnë përpjekjet e tyre. Nuk duhet t'i nxisim kundër njëri-tjetrit shtetet e Bashkimit Evropian", tha Pöttering.
Megjithatë Greqia mund të marrë frymë lirisht për sa kohë. Pjesa e premtuar e kredisë prej 12 miliardë eurosh, do t'i shkojë shpejt Athinës. Parlamenti grek arriti megjithë valën masive të protestave të miratojë një paketë të ashpër kursimesh dhe privatizimesh që ishte edhe kushti i vënë nga Bashkimi Evropian dhe FMN-ja për të dhënë kredinë.
Autor: AG/Esat Ahmeti
Redaktoi: Lindita Arapi