1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Greqia në prag të shkëputjes nga eurozona?

Vilma Filaj-Ballvora26 Maj 2012

Pas tri javësh grekët sërish do të votojnë. Nëse ata vendosin për kundërshtarët e masave të kursimit, bëhet edhe më e mundur dalja nga eurozona. Pasojat për Greqinë do të ishin fatale dhe për BE-në të paparashikueshme.

Fotografi: picture-alliance/chromorange

Nga perspektiva evropiane janë shqetësuese shifrat që komunikohen nga Athina: Në bazë të anketimeve aleanca e radikalëve të majtë, Syriza, në zgjedhjet e 17 qershorit mund të dalë me 30% të votave forca më e madhe në parlament. Se çfarë do të thotë kjo, këtë kryetari i Syriza Alexis Tsipras e ka bërë të qartë: anullimi i kursit të kursimeve.

Por është paradoksale që më shumë se gjysma e grekëve mendojnë diçka tjetër, e po kështu edhe Janis Emmanouilidis nga qendra evropiane e Brukselit "Think Tank European Policy Centre" (EPC): "Skenari më i mundshëm është, që të krijohet një qeveri, e cila të drejtohet nga konservatorët e partisë Nea Dimokratia." Konservatorët do ta vazhdonin kursin e kursimeve dhe të reformave.

Të nevojshme reformat afatgjata

Një shpjegim për rezultatet e ndryshme të anketimeve mund të jetë, që zgjedhësit nuk kanë kurajo, ta thonë hapur, se ndoshta ato vërtetë do të votojnë për partitë e vjetra, të cilat çuan në situatën e mjerueshme aktuale, mendojnë vëzhguesit. Por ndoshta zgjedhësit duan edhe të vazhdojnë të ushtrojnë presion ndaj partive të vjetra dhe Evropës.

Eksperti i BE-së, Janis A. Emmanouilidisnga qendra e Brukselit "Think Tank European Policy Centre" (EPC)Fotografi: DW

Sidoqoftë qeveria e re të paktën do të duhet të hyjë në bisedime me troikën e përbërë nga BE-ja, Banka Qendrore Evropiane dhe FMN-ja. Nëse ky vend duhet drejtuar, që të dalë nga kriza, atëherë reformat janë të pashmangshme, thekson Janis Emmanouilidis nga EPC. E këto reforma do të zgjasin me vite dhe do të kenë si karakter ekonomik, ashtu edhe politik e social: "Greqia duhet të reformohet në mënyrë radikale, në të kundërt ajo nuk do të mund të dalë nga kriza."

Dalja nga kriza presupozon qëndrimin në eurzonë e këtë e dëshiron më shumë se 80% e grekëve. Njëkohësisht gati dy të tretat e grekëve janë kundër masave të kursimeve. Edhe ky një rezultat paradaksal nga këndvështrimi i BE-së. Vendi ndodhet në recesion, gati një e katërta e popullsisë së aftë për punë janë të papunë. Por grekët nuk duan ta mbështesin kursin e kursimeve, nëse ai nuk shoqërohet nga programet për rritjen ekonomike. Deklarata e populistit të majtë Alexis Tsipras, se BE-ja bën blof me paralajmërimin për shkëputjen e Greqisë nga BE-ja, gjen terren pjellor.

"Të dyja palët bëjnë blof"

"Të dyja palët bëjnë blof. Kjo është vetëm një lojë negociatash", vëren Janis Emmanouilidis. BE-ja argumenton, se mund ta përballojë daljen e një vendi nga unioni monetar. Kësisoj përgatitet dhe testohet skenari i shkëputjes eventuale. Këtë e bëjnë si bankat e ndërmarrjet, ashtu edhe politika: "Vetëkuptohet, që ne duhet të përgatitemi për të gjithë skenarët e mundshëm, sepse ndryshe nuk do ta bënim si duhet detyrën tonë", deklaroi shefi i grupit të eurozonës Jean Claude Juncker në samitin e BE-së të mërkurën (23.05.2012).

Në Greqi kundërshtarët e masave të kursimeve, mendojnë se troika as që mund t'i parashikojë pasojat e shkëputjes së vendit nga eurozona dhe prandaj ato duhet ta mbështesin atë edhe në qoftëse nuk u përmbahet marrëveshjeve. Ky është një argument i gabuar, për këtë është i bindur Janis Emmanouilidis nga EPC: Sepse nëse një vend largohet nga eurozona, atëherë ekzistojnë gjithmonë rreziqe, thotë eksperti i BE-së. "Por të besosh njëkohësisht, se partnerët do të vazhdojnë ta mbështesin afatgjatë Greqinë, edhe nëse ajo nuk u përmbahet marrëveshjeve, kjo është e gabuar." Kjo lojë është e rrezikshme për të dyja palët, nënvizon Emmanouilidis.

Shkëputje e shtrenjtë

Që dalja nga unioni monetar do të ishte fatale për Greqinë, këtë askush nuk e vë në dyshim. Se çfarë pasojash do të kishte kjo, është një çështje që diskutohet në mënyrë kontroverse. Disa e parashikojnë një fund me tmerr, që mund të shkaktojë një vatër evropiane krize, të tjerë - si shefi i Bundesbank Jens Weidmann –paralajmërojnë për pasoja të paparashikueshme për Evropën. Vazhdimisht bëhet fjalë për efektin domino, përmes së cilit edhe vende të tjera në krizë mund të hasin në vështirësi. Janis Emmanouilidis tërheq vëmendjen gjithashtu, se dalja nga unioni - juridikisht e parregulluar dhe praktikisht e vështirë për t'u organizuar - do të kushtonte: Sepse një vend është i gatshëm të dalë vullnetarisht vetëm përmes konpensimeve përkatëse të negociuara.