Grevë 24 orëshe në Athinë
19 Tetor 2012 Të enjten (18.10) sindikatat në Athinë organizuan përsëri protesta kundër programit të kursimit të qeverisë, ndërkohë që liderët e BE-së janë mbledhur në një samit për të biseduar për krizën në eurozonë. Rreth 50 mijë njerëz iu përgjigjën thirrjes së sindikatave dhe vërshuan në rrugët e Athinës për të protestuar kundër masave të reja shtrënguese të qeverisë së kryeministrit Samaras. Qendra e protestuesve ishte sheshi Syntagma nga ku nisën edhe përleshjet e ashpra me policinë. Manifestuesit hodhën gurë, bomba molotov dhe sende të tjera të forta ndaj forcave të sigurisë, ndërsa këto të fundit iu kundërpërgjigjen me gaz lotsjellës dhe shkopinj gome.
Greva paralizoi pothuajse gjithë vendin
Greva e cila u përfshi me veprime të dhunshme mes protestuesve dhe forcave të rendit paralizoi pothuajse gjithë vendin. Spitalet punonin vetëm për raste urgjentet, ndërsa bankat, mësuesit, pedagogët, farmacistët, sektori i sigurimeve etj. i janë bashkangjitur grevës. Po ashtu në këtë grevë morën pjesë edhe punonjësit e porteve dhe anijeve, ndërkohë që kontrollorët e trafikut ajror e ndërprenë punën për 3 orë, duke shkaktuar kështu shtyrjen e fluturimeve. Dyqanet gjatë gjithë ditës kanë qëndruar të mbyllura. Raportohet për një të vdekur 65 vjeç, por shkak ishte një atak në zemër. Sipas burimeve nga policia ka pasur edhe shumë të lënduar ndëkohë që disa persona janë prangosur nga policia.
Kriza e Greqisë në fokus të bisedimeve në Bruksel
Në më pak se një muaj janë zhvilluar dy greva të tilla ndërkohë që papunësia në Greqi ka kaluar 24 për qind-shin dhe recesioni vazhdon. Protestat në Athinë vijnë kur kancelarja gjermane, Angela Merkel bëri thirrje për të ndërhyrë në buxhetet e vendeve të BE-së, ku thyhen rregullat. Edhe në samitin që po mbahet në Bruksel, kriza e Greqisë është në fokus të diskutimeve.