Greva kundër gjendjes së plehrave në Napoli
21 Tetor 2010
Edhe pse Napoli, qyteti i tretë i Italisë për nga madhësia ka vite që vuan prej problemit të plehrave dhe mbetjeve urbane, banorët e tij dhe të rrethinave e kundërshtojnë ndërtimin e depove të plehrave. Mosmarrëveshjet për ngritjen e një depoje të re për përpunimin e plehërave u përshkallëzuan gjatë orëve të para të ditës së enjte, në përleshje në rrugë. Demonstruesit i qëlluan trupat e policisë me gurë dhe lëndë plasëse si dhe i vunë zjarrin një makine policie.
Administratë jo efikase dhe firma të dyshimta
Protestat vazhduan edhe gjatë paradites dhe policia përdori kundër qindra demonstruesve gaz lotsjellës. Prej përleshjeve janë thyer xhamat e vitrinave të shumë dyqaneve.
Rrugët e Napolit janë të mbushura me pirgje të mëdha plehërash. Kryetarja e bashkisë, Rosa Russo Lervolino i bëri thirrje qeverisë së Berluskonit që të ndërhyjë. Problemet me plehërat nuk janë kërcënuese vetëm për shëndetin e popullsisë, por edhe për sigurinë publike. Kjo jo vetëm prej demonstratave, por sepse i gjithë procesi i grumbullimit dhe i eleminimit të plehërave në këtë zonë të Italisë së Jugut është në dorë të mafias dhe të kriminalitetit të organizuar. Problemet ashpërsohen edhe më tej prej administratës lokale, e cila nuk punon me efektivitet, prej oportunizimit politik si dhe prej një sërë firmash të dyshimta që merren me mënjanimin e plehrave.
Autor: Catherine Hornby/Pandeli Pani
Redaktoi: Auron Dodi