1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Grindja për Brexitin kalon në raundin tjetër

18 Maj 2019

Laburistët ndërprenë bisedimet për Brexitin pa asnjë kompromis. Partia Laburiste Britanike dhe kryetari i saj, Jeremy Corbyn me sa duket presin orën e tyre.

Jeremy Corbyn
Jeremy Corby, kreu laburistFotografi: Getty Images/A. Devlin

Në përpjekjen për të arritur një kompromis për Brexitin, kreu i Partisë Laburiste i ndërpreu negociatat me qeverinë. Bisedimet avancuan "aq larg sa ishte e mundur", shkroi Jeremy Corbyn në një letër drejtuar kryeministres Theresa May. Ai nuk beson se mund të arrihet një marrëveshje me kryetaren e qeverisë, autoriteti i së cilës është i cënuar edhe brenda partisë.

May kërkoi bisedime me Laburistët në fund të marsit. Më parë, ajo pati dështuar tre herë në parlament, me marrëveshjen e Brexit-it të negociuar nga ajo. Për në fillim të qershorit, May ka shpallur një votim të katërt në Dhomën e Poshtme të Parlamentit - këtë herë përmes rrugës tërthore të një procesi legjislativ. Kryetarja e qeverisë donte të arrinte një kompromis me Corbyn-in, sepse i mungojnë votat e nevojshme në partinë e saj.

Theresa May e vetmuarFotografi: picture-alliance/ZUMAPRESS.com/T. Nicholson

Kryetari i Laburistëve besohet se ka ambicie për postin e kryeministrit. Megjithatë, jo më larg se janari Corbyni dështoi me një votë mosbesimi kundër Mayt në parlament. Njësoj si konservatorët, edhe laburistët janë të ndarë përsa i përket Brexit-it: disa duan divorc nga BE, të tjerët i qëndrojnë besnikë Brukselit. Nga njëra anë, shumë anëtarë të partisë bëjnë thirrje për një referendum të ri, të tjerët janë prerazi kundër tij. Corbyni vetë manovron mes pozicioneve të ndryshme, në mënyrë që të mos lëndojë asnjërin nga krahët e partisë.

Oreks i madh për më shumë

Por edhe May ndodhet nën një presion të konsiderueshëm. Jo më larg se e enjtja ajo pati rënë dakord të vendosë këtë verë planin kohor për pasardhësin e saj, pavarësisht nga suksesi i marrëveshjes së saj të Brexit-it. Te konservatorët, para së gjithash është ish-Ministri i Jashtëm Boris Johnson, që është përgatitur për Downing Street 10. "Natyrisht që do të kandidoj," tha Johnsoni i njohur si mbështetës i Brexit-it të ashpër. Ai tha se ka oreks të madh "për ta ndihmuar vendin të ecë në rrugën e duhur".

Britania e Madhe duhej të largohej nga Bashkimi Evropian më 29 mars. Për të parandaluar një dalje të ashpër nga BE, bashkësia ndërkombëtare e zgjati afatin për daljen e Britanisë deri në fund të tetorit.

 

jj/sti (dpa, afp, rtr)