1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Grindje për paratë në Konferencën Botërore të Klimës

21 Nëntor 2024

Rrezikon të dështojë samiti i klimës në Baku, Azerbajxhan? Për çështjet financiare ende nuk ka progres. Por të paktën ka një ujdi për turizmin e butë ndaj klimës.

Njerëz në hollin e konferencës në Baku
Konferencë Botërore e Klimës në BakuFotografi: Sean Gallup/Getty Images

Edhe pas dhjetë ditë diskutimesh në Konferencën Botërore të Klimës në Baku puna ngec tek paratë, sa do të jenë ndihmat financiare të vendeve të industrializuara. Në konferencën e OKB-së për klimën në Baku janë prezantuar (21.11) propozime të reja për financimin e mbrojtjes së klimës dhe përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike. Megjithatë se cilat përmasa do të ketë kuadri i ri financiar të planifikuar janë lënë të hapura në draftin e vendimeve, ose thjesht janë vënë përballë njëra-tjetrës si çështje të kontestueshme.

Konferenca duhet të vendosë kuadrin e ri financiar për vitet 2025-2035. Por në vend të një shume konkrete, në një version të deklaratës gjen një hapësirë ​​bosh, në një version tjetër shuma minimale është thjesht prej 100 miliardë eurosh në vit, shumë që vendet e industrializuara janë angazhuar t'ua paguajnë vendeve në zhvillim për vitet nga 2020 e në vazhdim. Në një version tjetër, kërkohet një pagesë kompensimi për faktin se ky synim u arrit vetëm në vitin 2022. Por sipas një grupi të pavarur ekspertësh të OKB-së nevoja e ndihmës financiare kap një trilionë dollarë amerikanë në vit deri në vitin 2030 - dhe madje 1.3 trilionë deri në vitin 2035, pra deri në 13 herë më shumë se shuma aktuale e ndihmës për klimën.

Për një gjë u ra në ujdi në Baku. Mbi 50 shtete ranë dakord për një turizëm të butë. "Në COP29 kemi sot arritje historike”, tha Drejtoresha Ekzekutive e OKB-së për Turizmin, Zoritsa Urosevic, para gazetarëve. Për herë të parë, është përfshirë një turizëm miqësor ndaj klimës në objektivat e OKB-së. Industria e turizmit zë tre për qind të produktit të brendshëm global bruto, por shkakton 9% të emetimeve të gazrave serrë. Vendet që kanë rënë dakord për marrëveshjen duan që të respektojnë më shumë mbrojtjen e klimës në turizëm Për këtë do duhet të vendosen qëllime specifike.

Komisioneri i BE-së për Klimën, Wopke Hoekstra në konferencë shtypiFotografi: Amr Alfiky/REUTERS

BE nuk pranon draftin e konferencës

BE nuk i ka pranuar vendimet e draftit të deklaratës të përpiluara nga presidenca e Azerbajxhanit të paraqitura të enjten në konferencën e OKB-së për klimën në Baku. "Kjo është qartësisht e papranueshme siç është tani," tha komisioneri i BE-së për Klimën, Wopke Hoekstra në konferencën COP29. Nuk ka "asgjë për të zbukuruar". BE thekson se do të ofrojë shuma konkrete vetëm pasi të jenë sqaruar çështjet e tjera kyçe. "Përndryshe përfundoni me një shportë me produkte me një etiketë çmimi, por nuk e dini saktësisht se çfarë ka në të," tha komisioneri i BE-së për Klimën, Wopke Hoekstra. Sekretarja gjermane e shtetit për klimën, Jennifer Morgan tha se "ne do të japin kontributin tonë”. Megjithatë, më parë, ajo e kishte quajtur "jorealiste" që vendet e industrializuara do të mblidhnin triliona ndihmë financiare nga buxhetet e tyre të rregullta.

Pavijoni i Kinës në BakuFotografi: Dominika Zarzycka/SOPA Images/Imago Images

Kina vend në zhvillim?

Berlini zyrtar po këmbëngul që vende si Kina dhe shtetet e pasura të Gjirit, të cilat kanë fituar shumë para nga nafta, gazi dhe qymyri, të kontribuojnë gjithashtu në pagesat ndaj vendeve të tjera. Sipas një klasifikimi 30-vjeçar të OKB-së, ato - si India - konsiderohen ende shtete në zhvillim dhe për këtë arsye vende përfituese. Nuk ka mirëkuptim për këtë. Ministri nigerian i Mjedisit Balarabe Abbas Laëal i tha Guardian: "Kina dhe India nuk mund të grupohen në të njëjtën kategori si Nigeria dhe vendet e tjera afrikane". Edhe ministrja e Mjedisit e Kolumbisë, Susana Muhamad, i tha gazetës se kategoritë e vjetra ishin "të vjetruara". Deklarata si këto mund të rrisin presionin ndaj Kinës.

Ministria kolumbiane e Mjedisit, Susana MuhamadFotografi: Peter Dejong/AP Photo/picture alliance

Dokumenti paraprak në Baku gjithashtu thekson nevojën për përpjekje të mëtejshme për të kufizuar rritjen e temperaturës globale nën dy gradë, dhe nëse është e mundur në 1.5 gradë Celsius. Duke i referuar debatit financiar, theksohet se një kufi i tillë do të reduktonte ndjeshëm rreziqet dhe dëmet e shkaktuara nga ndryshimet klimatike. Konferenca për klimën përfundon zyrtarisht këtë të premte, por ka të ngjarë të zgjatet deri në fundjavë.

Spanjë: Katastrofa e vërshimeve me përmasa apokalipsi

03:58

This browser does not support the video element.

 

 

la/apf/zdf/rtr