1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Grindje për South Stream në Bullgari

Alexander Andreev/ Auron Dodi12 Qershor 2014

Bullgaria i ndërpreu njëherë për njëherë punimet në projektin rus të furnizimit me gaz South Stream duke iu bindur kështu presionit të BE. Vendimi e ka dëmtuar qeverinë e Sofies, mendojnë ekspertët.

Fotografi: dapd

Javën e kaluar, Komisioni i BE nisi një procedurë penale kundër Bullgarisë. Shkaku: rezervat që porositë e ndërtimit për South Stream-in nuk janë dhënë në përputhje me të drejtën e BE. Koncerni rus, Gazprom kontrollon 50 përqind të të gjithë rrjetit South Stream, e në këtë kuadër tubacionet në Bullgari. Kjo bie ndesh me të ashtuquajturën Paketë e Tretë Energjetike e BE. Këtu bëhet fjalë për kërkesën e BE që prodhimi i gazit të ndahet nga transporti dhe shpërndarja e tij, për të mos dëmtuar konkurrencën. Veç kësaj, porosia e ndërtimit në Bullgari iu dha një konsorciumi të afërt me sipërmarrjen ruse Stroytransgaz - dhe Stroytransgaz nuk është vetëm një bijë e Gazpromit, por ndodhet edhe në listën e sipërmarrjeve që preken nga sanksionet e SHBA.

Pas një bisede me tri senatorë të SHBA, kryeministri i Bullgarisë, Plamen Oreshanski shpalli ngrirjen e South Stream-it, për aq kohë sa nuk janë sqaruar rezervat e BE. Njëkohësisht me këtë zhvillim, dy partitë në qeveri, socialistët e BSP dhe Partia e minoritetit turk, DPS - janë shprehur për zgjedhje të parakohshme parlamentare - vetëm një vit pas marrjes së postit nga Oresharski.

"Shantazh" në dëm të Bullgarisë?

Pjesëmarrja në South Stream hap pikërisht për Bullgarinë mundësinë e përfitimit nga rabatet e gazit rus. Veç kësaj, meqenëse gazsjellësi do ta anashkalojë Ukrainën, për Bullgarinë rritet siguria e furnizimit. Sepse Bullgaria është e varur për plotësimin e 90 përqind të nevojave të saj me gaz nga Rusia dhe mosmarrëveshja për gazin midis Rusisë dhe Ukrainën ka shkaktuar në Sofje shqetësimin se mund të krijohen sërish vështirësi. Nga South Stream bullgarët shpresojnë të kenë një investim gjigand prej miliarda eurosh dhe në përputhje me këtë edhe shumë vende pune të reja.

Të gjitha këto shkaktojnë në vendin më të varfër të BE një mbështetje të gjërë për projektin dhe një pakënaqësi që shprehet me zë gjithmonë më të lartë ndaj Perëndimit. Një vëzhgues i njohur politik, i cili nuk dëshiron të përmendet me emër shprehet kështu: "BE nuk ka para, që ta mbështesë Ukrainën në grindjen për gazin me Rusinë. Pikërisht për këtë Brukseli do që ta frenojë South Stream-in, për t'i bërë Moskës shantazh dhe për ta ruajtur kalimin e gazit tranzit në Ukrainë. Ata që paguajnë çmimin në fund janë bullgarët. South Stream me siguri do të ndërtohet, por përmes Turqisë, e cila nuk preokupohet për presionin e BE". Për shantazh flet edhe zëvendëskryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme të Dumës ruse, Leonid Kalashnikov. Me bllokadën, Perëndimi ka një as në dorë, i cili është më i fortë se të gjitha sanksionet e deritashme kundër Rusisë, thotë politikani rus.

Kufoma në qilar?

Qeveria bullgare lëshoi shumë shpejt pe në mosmarrëveshjen për South Stream-in, mendon politologu Ognjan Minçev, kryetar i seksionit bullgar të Transparency International. Minçevi është i bindur se qeveria bullgare ka shumë kufoma në qilar përsa i përket negociatave me rusët për South Stream-in. Prandaj nuk pranon t'i publikojë dokumentat. Minçevi dhe të tjerë që e vështrojnë në mënyrë kritike projektin mendojnë se këto dokumenta janë formuluar qëllimisht në mënyrë të tillë, që të lënë vend për korrupsion në ndarjen e porosive publike.