1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gripi i derrave- çfarë e bën atë kaq të rrezikshëm?

27 Prill 2009

Shkencëtarët kanë paralajmëruar për mundësinë që një virus i gripit të shkaktojë epidemi të reja. Si pasojë e "Gripit të Spanjës", në vitet 1918 dhe 1919 vdiqën mbi 20 milionë vetë. Tani njeriu kërcënohet nga derrat.

Njerëzit pajisen me maska mbrojtëse në Meksikë
Njerëzit pajisen me maska mbrojtëse në MeksikëFotografi: AP

Gripi i derrave ndryshon nga gripi i shpendëve

Edhe derrat mund të sëmuren nga gripi dhe madje nga gripi i vërtetë. Ndërkohë që virusi që shkakton këtë sëmundje është ngjitës dhe mund të kalojë shumë lehtë tek njeriu. Kjo sëmundje dallohet nga gripi i shpendëve.

A ekziston gripi i derrave edhe te derrat e Evropës?

Në kushtet normale ky virus nuk është asgjë i veçantë dhe i rrezikshëm. Gati çdo i dyti derr në zonat e Amerikës, prej nga edhe vjen kjo sëmundje, ka pasur kontakt me këtë virus dhe ka krijuar imunitet. Sëmundja ndërkohë duhet të jetë përhapur edhe në Evropë, por pronarët e derrave nuk janë të obliguar të lajmërojnë për të. Prandaj nuk dihet me saktësi, nëse kjo sëmundje me të vërtetë ekziston edhe në Evropë.

Janë dy gjëra që shqetësojnë mjekësinë e sotme: Së pari, në kohën e pandemisë së vitit 1918, e njohur edhe si "Gripi i Spanjës", kishte një valë infektimesh të derrave nga gripi. Dhe së dyti, derri njihet si bartës i virusit, ku virusët shumëzohet dhe përzihen me virusë të tjerë.

Rrezik përbën përzierja e viruseve

Shkencëtarët mendojnë se pikërisht një përzierje e tillë virusesh ka ndodhur në vitin 1918, në vitin 1957 me gripin aziatik dhe në vitin 1968 me gripin e Hongkongut. Pra viruset e gripit të shpendëve dhe viruset aspak të rrezikshëm të njerëzve janë përzier dhe kanë kaluar në derra, duke prodhuar kështu një virus të rrezikshëm.

Organizata Botërore e Shëndetësisë pohon se virusi më i ri në Meksikë është një tip i ri i virusit H1N1, i cili paraqitet tek njerëzit, shpendët dhe derrat.

Derrat në Bali i vaksinojnëFotografi: picture-alliance/ dpa

Virusi ka prekur të rinjtë dhe kjo sinjalizon pandemi

Fakti që në Meksikë më shumë janë goditur njerëzit e moshës 20 deri 40 vjeç, të kujton pandeminë e vitit 1918, sepse në kushtet normale, fëmijët dhe të moshuarit janë ata të cilët preken më shumë prej virusit të gripit. Në rastet e fundit, virusi ka sulmuar njerëzit e kësaj moshe.

Ekspertët prej kohësh presin një pandemi, pra një valë gripi që do të përfshinte tërë botën. Mirëpo nuk llogaritet me një numër të madh vdekjesh, si në kohërat e kaluara. Si pasojë e "Gripit të Spanjës" kanë vdekur të paktën 20 milionë njerëz. Sipas disa të dhënave të pakonfirmuara, nga pasojat e këtij gripi kanë vdekur madje dyfish më shumë njerëz, por duhet ditur se në ato kohëra të luftës dhe urisë, imuniteti i njerëzve ishte shumë më i dobët. Valët e tjera të gripit më vonë nuk kanë pasur kurrë këto përmasa, në sajë të masave më të shpejta mjekësore dhe medikamenteve më të mira.

Autor: Werner Eckert/ Bahri Cani

Redaktoi: Auron Dodi