1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gripi i shpendëve është rrugës për Shqipëri

Odise Kote15 Shkurt 2006

Drejtoritë rajonale të bujqësisë në jug të vendit marrin masa për mbrojtjen e popullatës. Krahas importit të shpendëve e produkteve të tyre kërkohet mbyllja e pularive dhe frigoriferëve dhe dezinfektimi tyre.

Fotografi: AP

Alarmi për mbërritjen e virusit të gripit të shpendëve H5N1 ka mbërritur i plotë në jug të Shqipërisë. Në dy prej zonave jugore, në Berat e Sarandë janë shfaqur shenjat e para të plota të këtij fenomeni, kur janë gjetur prej banorëve shpendë të ngordhura. Në Berat janë gjetur në qytet shpendë të egjër shtegëtarë të ngordhur, ndërsa në lagunën e kanalit të Cukës rreth 60 pula janë gjetur të ngordhura në fermën e disa banorëve të zonës.

Këto fakte kanë shkaktuar panik përpos kërshërisë si dhe kanë vënë në lëvizje të gjitha strukturat e drejtorive të bujqësisë e ushqimit, të spitaleve rajonale si dhe të specialistëve të veterinarisë. Kampione të shpendëve të ngordhura janë dërguar me urgjencë në laboratorin qëndror në Tiranë për ekspertizën e mëtejshme.

Kryeveterineri drejtorisë rajonale të bujqësisë e ushqimit në qarkun e Gjirokastrës Shamet Lagji, megjithatë pohon se situate është ende nën kontroll dhe se po merren masat e para ndaj këtij virusi. Kryeveterineri Lagji thotë se "ende nuk kemi vatra të mirëfillta të virusit, por vetëm bartës të tij të ardhura nga vendi fqinj,Greqia".

Sipas kryeveterinerit Lagji ndonëse janë marrë disa masa, popullata është e pambrojtur pasi mungojnë si medikamentet e plota ashtu dhe kultura e masave
mbrojtëse individuale. Virusi gripit të shpendëve duket se do të prekë edhe Shqipërinë, pasi që edhe masat mbrojtëse janë jo profesionale, dhe teknologjia
që përdoret është jo në parametrat e kërkuar.

Lajmi për shpendë të ngordhur e të prekur nga virusi gripit të shpendëve ka shkaktuar panik të madh edhe tek popullata e tregëtarët. Importet, por edhe produktet vendase të shpendëve janë abandonuar krejt, ndërkohë që në pularitë dhe frigoriferët e qyteteve jugore kërkohen të merren masa të forta të dezinfektimit dhe masa mbrojtëse nga përhapja e virusit.