1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Grupi Negociator diskuton strategjinë e ardhëshme në Vjenë

Bekim Shehu24 Shkurt 2006

Delegacioni i Kosovës që mori pjesë në takimin e Vjenës, insiston që takimi i radhës me palën serbe të mbahet para datës 17 Mars. Pas çdo takimi me autoritetet e Beogradit, delegacioni do të raportojë para komisionit parlamentar

Prishtina
PrishtinaFotografi: DW

Grupi Negociator i Kosovës, që është niveli më i lartë politik i krijuar për bisedimet për statusin, është mbledhur në Prishtinë, për të vlerësuar takimin e Vjenës, paraqitjen e palës kosovare dhe planin për decentralizimin. Në takimin e sotëm, po diskutohen poashtu edhe hapat e mëtejshëm në procesin e statusit, ndërsa, njoftohet se do të shqyrtohet edhe një kërkesë e grupit të Prishtinës, i cili ishte në Vjenë, që takimi i radhës me palën serbe të Beogradit të mund të mbahet edhe para datës 17 Mars.

Blerim Shala, koordinator i grupeve punuese të Prishtinës në bisedimet për statusin: Ne do të insistojmë që takimi të mbahet më herët, siç kemi thënë edhe në takimet me zotin Ahtisari. Ne dëshirojmë, që ky proces të kryhet sa më parë, jemi të gatshëm të ofrojmë materiale shtesë, për të gjitha çështjet që do të diskutohen.

Pala kosovare do të qëndrojë prapa dokumentit të Prishtinës, me të cilin parashihet reforma e pushtetit lokal në Kosovë. Nuk do të ketë ndryshime, ndërkohë që grupi i Prishtinës është i gatshëm të ofrojë edhe argumente shtesë nëse kërkohen për këtë proces. Këtë e pohon edhe kryesuesi i delegacionit të Prishtinës për decentralizimin, ministri i pushtetit lokal, Lutfi Haziri: Ne kemi treguar gatishmërinë tonë që në çdo kohë e çdo rrethanë do të përballemi me të gjitha kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare dhe do t'a arsyetojmë bindshëm programin e Kosovës, i cili parasheh rirregullimin e pushtetit lokal në Kosovën e pavarur. Besojmë se jemi të gatshem të vazhdojmë me sukses të plotë ashtu siç kemi dëshmuar bashkarisht në takimin e Vjenës me një rol konstruktiv dhe pozitiv.


Në Kosovë vazhdon të komentohet në mënyra të ndryshme takimi i Vjenës dhe bisedimet me palën serbe për decentralizimin. Ajo që është e përbashkët në shumë analiza dhe komente, përmendet fakti që takimi i Vjenës u zhvillua në një atmosferë konstruktive dhe shënoi një fillim të mbarë të bisedave për statusin. Përgjegjësia e palës kosovare në këtë proces thuhet se do të jetë e përbashkët megjithë fërkimet dhe mospajtimet që u shënuan në Prishtinë para takimit të Vjenës. Për këtë arsye, pas çdo takimi që autoritetet e Prishtinës zhvillojnë me autoritetet serbe të Beogradit, grupi i Prishtinës do të raportojë para komisionit parlamentar të kuvendit të Kosovës. Kështu është vendosur në seancën e fundit të parlamentit.