1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Grupi Negociator u mblodh në Prishtinë

Bekim Shehu10 Gusht 2006

Grupi Negociator i Kosovës, u shpeh sot, se në pjesën veriore të Kosovës nevojitet një stabilitet i përgjithshëm, ndërsa, për qytetin e Mitrovicës do të gjendet zgjidhja më e mirë, një qytet dy komuna.

Fatmir Sejdiu
Fatmir SejdiuFotografi: AP

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, i cili udhëheq grupi negociator të Kosovës tha se pala kosovare do të bëjë ç'është e mundur që të përmbyllë më sukses çështjet e mbetura deri në zgjidhjen e statusit përfundimtar.

Dy takimet e fundit që u zhvilluan në Vjenë, ai për decentralizimin dhe për të drejtat e pakicave edhe pse nuk pati ndonjë marëveshje, megjithatë pala kosovare nga ana e saj i cilëson të sukseshme. Presidenti Sejdiu thotë se, pala kosovare ka paraqitur qëndrimet që nuk bien ndesh edhe me kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare. Grupi
negociator garanton se të gjithë qytetarët e Kosovës do të kenë të drejta të barabarta pas zgjidhjes së statusit.

Presidenti Sejdiu, tha se sa i përket çështjes së pjesës veriore të Kosovës pala kosovare në asnjë rrethanë nuk do të lejojë ndarjen e saj, ndërsa, në kuadër të procesit të decentralizimit do të gjejë zgjidhjen më të mirë për qytetin e Mitrovicës.

Udhëheqësi i grupit negociator të Kosovës, presidenti Fatmir Sejdiu, tha se për palën kosovare është e rëndësishme që të ofrojë zgjidhje serioze për çështjet e diskutuara deri tash në Vjenë, ndërsa, shprehet i sigurtë se statusi përfundimtar i Kosovës do të jetë pavarësia.

Sidoqoftë, bisedimet e deritashme teknike ndërmjet autoriteteve kosovare dhe atyre serbe të Beogradit, nuk kanë rezultuar me asnjë marrëveshje. Është decentralizimi, trashëgima kulturore dhe fetare, çështjet ekonomike dhe të drejtat e pakicave, çështjet që do të vazhdojnë të bisedohen ndërmjet palëve. Në të njejtën kohë, ekspertët e zyrës së ndërmjetësit ndërkombëtar, do të udhëtojnë vazhdimisht në Beograd dhe Prishtinë në përpjekje për të përafruar qëndrimet e palëve në bisedime, në mënyrë që Marti Ahtisari ta ketë më lehtë të propozojë para KS-it, në fund të vitit zgjidhjen për statusin përfundimtar të Kosovës.