Grusht i rëndë kundër El-Kaidës
25 Mars 2010Rrjeti ishte specializuar për të luftuar policinë dhe shërbimin sekret, tha zëdhënësi i ministrisë së Brendshme saudite, Manosur al-Turki për radion al-Arabiya. Tek personat e arrestuar janë gjetur armë, kamera, kompjuterë dhe dokumentacion.
"Ne kemi gjetur gjurmë që grupi të cilin e kemi arrestuar kishte planifikuar sulme kundër pjestarëve të forcave të sigurimit në vende të ndryshme të Arabisë Saudite", theksoi ai
Bëhet fjalë për 47 sauditë, 51 jemenitë, një eritrez, një somalez dhe një bengalez. Të huajtë, siç duket, kanë shfrytëzuar trazirat në kufirin saudito-jemenit për t'u futur ilegalisht në Mbretërinë Saudite.
Veriu i Jemenit, vendstrehim terroristësh
Veriu i Jemenit ka kohë që konsiderohet si rajon tërheqjeje dhe strehimi për esktermisët sauditë. Në gushtin e kaluar, një luftëtar i Al Kaidës ka provuar të vras ekspertin anti-terror të ministrisë së Brendshme, Muhammed bin-Naief. Atentatori saudit është kthyer nga Jemeni me qëllim kinse për t'iu dorëzuar forcave të rendit, ka takuar politikanin dhe me atë rast ka aktivizuar masën shpërthyese të fshehur në trupin e tij. Bin-Naief ishte plagosur lehtë, atentatori kishte vdekur në vend. Sipas gazetarit saudit Abdallah al-Arifij, nuk është rastësi që edhe grupi i arrestuar ditën e mërkurë ka lidhje të ngushta me Jemenin.
"Operacioni i sotëm zbulon përpjekjen e fundit të El Kaidës për të ngritur një rrjet të ri brenda Arabisë Saudite. Në grup janë më shumë jemenitë se sa sauditë. Kjo tregon se këtu bëhet fjalë për një iniciativë që vjen nga Jemeni", pohon Arifij.
Arrestohen edhe dy komando
Përveç qelizës së madhe të El Kaidës forcat saudite të sigurimit kanë arrestuar të mërkurën edhe dy komando të dyshuara kamikaze, secila me nga gjashtë anëtarë. Ato po ashtu dyshohet se janë në lidhje me rrjetin terrorist të El Kaidës. Policia ka konfsikuar me këtë rast armë dhe mjete elektronike. Zëdhënësi i ministrisë së Brendshme njoftoi se komandot po planifikonin sulme ndaj industrisë së naftës në krahinën lindore të vendit.
Autor: . Esther Saoub/Esat Ahmeti
Redaktoi: Bahri Cani