GTZ-ja gjermane mbështet zhvillimin e turizmit në Shqipëri
15 Janar 2009![](https://static.dw.com/image/2742714_800.webp)
Jan Rudolph, drejtues i programeve për bashkëpunimin dhe zhvillimin në ambasadën gjermane në Tiranë, u shpreh gjatë një konference për turizmin, se: "zgjidhja e problemit aktual të pronave në Shqipëri ka rëndësi të madhe për tërheqjen e investitorëve të huaj dhe krijimin e besimit tek ta për t´u angazhuar në industrinë shqiptare të turizmit."Shoqata e Turizmit Shqiptar, ATA, ka rreth 10 muaj që është krijuar me mbështetjen e fuqishme të GTZ-së gjermane (Shoqata gjermane për Bashkëpunimin Teknik). Kjo shoqatë ka një aktivitet intensiv në Shqipëri dhe synon ta shtrijë aktivitetin e saj në të gjithë territorin e vendit. Konferenca që zhvilloi punimet ditën e enjte (15.01)me temën: "Sigurimi zhvillimit të qëndrueshëm të industrisë së turizmit në Shqipëri" kishte si bosht pikërisht veprimtarinë e kësaj shoqate në nivel kombëtar. Në konferencë merrnin pjesë ekspertë shqiptarë dhe të huaj, drejtues të agjencive private dhe përfaqësues nga qeveria dhe institucionet përkatëse shtetërore.
Në konferencë u trajtuan çështje të tilla si: Tendencat botërore dhe lidhjet e tyre me realitetin shqiptar në fushën e turizmit, çfarë përftion Shqipëria nga procesi i integrimit euroatlantik, zhvillimi i infrastrukturës, mbrojtja e mjedisit, shërbimi që ofrohet nga turizmi privat.
Jan Rudolph, drejtues i programeve për bashkëpunimin dhe zhvillimin në Ambasadën gjermane në Tiranë e vuri theksin tek rëndësia që ka zhgjidhja e problemit të pronës në Shqipëri: "Nga kontaktet që kam pasur, investitorë të ndryshëm gjermanë vazhdimisht janë shprehur, se ata janë të gatshëm të investojnë në sektorin e industrisë së turizmit, të blejnë territore, por këtë duan ta bëjnë vetëm me tituj të qartë dhe të ligjshëm të pronësisë", tha Rudolph.
Gjermania në programet e saj të mbështetjes për Shqipërinë ka përfshirë edhe projektet për përmirësimin e infrastrukturës rrugore e të sistemit energjetik. Këta sektorë janë mëse relevantë për përmirësimin e gjendjes së zonave turistike dhe për lidhjen e tyre me njera - tjetrën. Në kuadër të përpjekjeve që bën vendi për integrimin euroatlantik, u tha në konferencë, "zhvillimi i turizmit ka një potencial të madh, për ta afruar më shumë Shqipërinë me Bashkimin Evropian, për të sjellë më shumë evropianë, që të njihen me Shqipërinë dhe mikpritjen e njerëzve".
Nga pjesmarrësit në konferencë u theksua edhe nevoja e rritjes së botimeve për promovimin e turizmit, për zgjerimin e kalendarit turistik në të gjitha stinët, ndërkohë që aktualisht ai është vetëm veror. Në këtë kontekst synohet shfrytëzimi i burimeve të paprekura siç janë zonat kodrinore e malore.
(VFB)