Hagë: Më 16 shtator shpallet vendimi ndaj ish-krerëve të UÇK
1 Korrik 2026
Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, e njohur në opinion si Gjykata Speciale, bënë të ditur të mërkurën (01.07.2026) pasdite se aktgjykimi për katër të akuzuarit për krime lufte, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, do të shpallet më 16 shtator të këtij viti. Katër ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi, të cilët mbahen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, akuzohen nga Prokuroria Speciale për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit për veprat penale: vrasje, torturim dhe përndjekje të kryera gjatë luftës në Kosovë të vitit 1998-99.
Trupi Gjykues, thuhet në njoftim, "shpjegoi se koha e nevojshme për kuvendimet ishte zgjatur në përputhje me rregulloren, për shkak të vëllimit të madh të provave të marra dhe kompleksitetit të procesit gjyqësor", duke shtuar se "kjo zgjatje përligjej nga nevoja për të bërë një vlerësim të arsyetuar, të tërësishëm dhe të drejtë të dokumentacionit të çështjes". Trupi Gjykues i Dhomave të Specializuara kishte afat deri më 19 maj të këtij viti për të shpallur vendimin, por, duke arsyetuar, siç thuhet, në kompleksitetin e rastit, vendosi ta shtynte këtë afat deri më 20 korrik 2026. Por, tash bëri edhe një shtyrje, duke vendosur përfundimisht që aktgjykimi për Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin të shpallet më 16 shtator. Prokuroria Speciale ka kërkuar që ata të shpallen fajtorë dhe secili të dënohet me nga 45 vjet burgim për krimet e pretenduara.
Mbrojtja kërkon shpalljen të pafajshëm
Që të katërt, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi, i kanë mohuar akuzat e Prokurorisë, ndërsa mbrojtja e të akuzuarve ka argumentuar se ata duhet të shpallen të pafajshëm. Trupi Gjykues, më 18 dhjetor të vitit 2025, mbylli fazën e paraqitjes së provave. Në këtë proces gjyqësor kanë dhënë dëshmi 134 dëshmitarë, 125 të thirrur nga Prokuroria, dy të thirrur nga Mbrojtja e Viktimavedhe shtatë dëshmitarë të thirrur nga ekipet e Mbrojtjes.