1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hagë: Prokuroria kërkon 45 vjet burg për ish-krerët e UÇK-së

9 Shkurt 2026

Kimberly West, kryeprokurore e Dhomave të Specializuara në Hagë, kërkon nga 45 vjet burgim për ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Hashim Thaçi në Gjykatën e Hagës
Kimberly West, kryeprokurore e Dhomave të Specializuara në Hagë, kërkon nga 45 vjet burgim për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.Fotografi: Jerry Lampen/ANP/picture alliance

Në fillim të fjalës përmbyllëse të Prokurorisë Kimberly West, kryeprokurore e Dhomave të Specializuara në Hagë, kërkoi nga 45 vjet burgim për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Në fjalën përfundimtare ajo tha se: "ZPS-ja kërkon dënimin e të akuzuarve për të gjitha pikat e aktakuzës dhe vendosjen e një vendimi të vetëm prej 45 vitesh, të bazuar në kontributet individuale të krimeve, të kryera apo të bëra prej secilit prej të akuzuarve - Hashim Thaçi, Kadri Veseli,  Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi”.

West tha se "këto krime janë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe janë të rënda si natyrë". Sipas saj, akuzat ndaj të akuzuarve "nuk e kanë humbur peshën, por vazhdojnë ende të jenë të rënda", edhe pse kanë kaluar më shumë se 25 vite.

Frikësimi i dëshmitarëve

Sa u përket dëshmive të ndërkombëtarëve, ajo tha se "dëshmitarët ndërkombëtarë kanë pasur probleme me njohjen e gjuhës" dhe se "ata nuk kanë pasur informacionet e duhura", duke mos ditur gjuhën. Sipas saj ata nuk i kanë pasur informacionet e plota.

Sipas Prokurorisë të akuzuarit kanë pasur një rol vendimtar deri në vitin 1998, kur filluan të funksionojnë edhe strukturat e UÇKFotografi: Koen van Weel/REUTERS

Kryeprokurorja Kimberly West foli edhe për dëshmitarët, për frikësimin e tyre, dhe mbrojtjen e tyre, duke shtuar se "Jemi bërë një gjykatë funksionale e suksesshme në një periudhë relativisht të shkurtër”. Ajo falënderoi viktimat dhe dëshmitarët në këtë çështje duke thënë se janë më meritorët.

Më pas filloi paraqitja e akuzave dhe dëshmive deri në vitin 1998, kur ka filluar të funksionojnë edhe strukturat e UÇK, ku sipas Prokurorisë, një "rol vendimtar kanë pasur të akuzuarit".

Në ditën e parë prokuroria do të paraqesë dëshmitë e saj për përfshirjen e të akuzuarve në krime. Ndërsa nesër do të flasin edhe përfaqësuesit e viktimave. Të mërkurën dhe të enjten do të praqiten dëshmitë e mbrojtjes dhe të akuzuarve. Më pas trupi gjykues ka 90 ditë kohë të marrë vendimin.

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW