1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Prokuroria speciale: 180 vite burg për Thaҫin dhe të tjerë

9 Shkurt 2026

Prokurorët e Gjykatës Speciale të Kosovës me seli në Hagë kërkuan 45 vite burgim për secilin nga ish-drejtuesit e UҪK-së. Thaҫi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi akuzohen për “krime lufte” dhe “krime kundër njerëzimit".

Hashim Thaҫi, ish-president i Kosovës dhe kreu i Drejtorisë Politike të UҪK-së me kufje në vesh i ulur në sallën e gjyqit në Hagë.
Pas tre vjetësh të nisjes së procesit kundër ish-krerëve të UҪK-së në Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë, prokuroria mbajti pretencën. Fotografi: Koen van Weel/REUTERS

Në portën numër 47, në ndërtesën me tulla të kuqe të selisë së Dhomave të Specializuara të Kosovës, gjyqi ndaj Hashim Thaҫit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit po vjen drejt fundit.Pas rreth tri vitesh nga nisja e procesit në ngarkim të ish-drejtuesve të lartë të Ushtrisë Ҫlirimtare të Kosovës (UҪK) dhe ish-politikanëve të niveleve më të larta në Kosovë, prokurorët e Gjykatës Speciale nisën leximin e pretencës në orën 09:00 të mëngjesit të 9 shkurtit.

180 vite burg në total

Në një sallë gjysmë të mbushur me familjarë, media dhe vëzhgues ndërkombëtarë, prokurorja speciale Kimberly West, nisi e para parashtrimin e konkluzioneve të akuzës. West, kreu i grupit të akuzës prej 6 prokurorësh, ishte ajo që artikuloi numrin "45” për vitet e burgimit për secilin prej të akuzuarve, ndaj të cilëve rëndojnë akuza të rënda penale, si ajo për "krime lufte” dhe "krime kundër njerëzimit”.  

West tha para trupit gjykues se "të akuzuarit fajësohen për 100 vrasje dhe mbi 100 të pagjetur,që janë keqtrajtuar në mbi 50 kampe ndalimi në Kosovë dhe Shqipërinë veriore”.   

Ndërtesa ku është selia e Dhomave të Specializuara të Kosovës. Prokurorët, gjyqtarët dhe stafi i kësaj gjykate, me seli në Hagë të Holandës, janë ndërkombëtarë.Fotografi: Elona Elezi/DW

Ajo u ndal gjithashtu edhe tek dëshmitarët ndërkombëtarë të thirrur nga mbrojtja gjatë procesit, të cilët sipas saj "duhen falenderuar për punën e bërë në ndërmjetësimin e arritjes së paqes në Kosovë”, por përmes dëshmive të tyre nuk u kuptua siҫ duhet hierarkia e Ushtrisë Ҫlirimtare të Kosovës, edhe për shkak të mungesës së njohurive të gjuhës shqipe.

"Organigrama” e Ushtrisë Ҫlirimtare të Kosovës

Në bazë të dëshmive dhe informacioneve të siguara, prokurorët specialë kanë ndërtuar organigramën e Ushtrisë Ҫlirimtare të Kosovës gjatë viteve të funksionimit të saj.

Sipas akuzës, Hashim Thaҫi ka qenë kreu i Drejtorisë Politike të UҪK-së, informacion ky i shkruar edhe në CV-në e Thaҫit, të publikuar në faqen zyrtare të kohës kur ai ishte President i Kosovës. Në kundështrim me atë ҫka kanë pretenduar dëshmitarët e mbrojtjes në këtë proces - si James Rubin, ish-Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit apo ish-gjenerali Wesley Clark – prokurorët specialë thanë se „Drejtuesi politik i UҪK-së ka qenë Hashim Thaҫi dhe jo Adem Demaҫi" dhe se ky i fundit, „ka qenë vartës i Thaҫit dhe nuk ka qenë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Ҫlirimtare të Kosovës".

Për Rexhep Selimin, emri i të cilit ishte ai që u përmend më shumë nga akuza në ditën e parë të konkluzioneve të saj, kjo e fundit tha se ai kishte qenë Drejtuesi i Inspektoriatit të UҪK-së, Kadri Veseli kreu i Drejtorisë së Inteligjencës ndërsa Jakup Krasniqi, drejtues i Informacionit, pra në rolin e zëdhënësit të UҪK-së.

Sipas pretendimeve të prokurorëve, Ushtra Ҫlirimtare e Kosovës nuk ka qenë një organizim spontan, por ka funksionuar me rregullore dhe komunikata periodike.

Kampet e ndalimit dhe "shënjestrat"

Sipas prokurorit James Pach, qendrat ku janë mbajtur viktimat, kanë qenë të shtrira në të gjithë Kosovën dhe në pjesën veriore të Shqipërisë.

"Gjatë periudhës prill 1998 – gusht 1999 janë regjistruar 437 incidente" – tha Pach. Në bazë të provave që prokuroria ka vënë në dispozicion, mësohet se personat e ndaluar në këto kampe, kanë qenë punonjës shtetërorë, fermerë, të moshuar, gra dhe fëmijë, që konsideroheshin spiunë, tradhtarë dhe bashkëpunëtorë të "pushtuesit”, duke iu referuar Serbisë. Mes rasteve të përmendura nga prokuroria evidentohen dhe raste të keqtrajtimit të rivalëve politikë, anëtarë ose mbështetës të Lidhjes Demokratike të Kosovës, që mbështesnin presidentin e asaj kohe, Ibrahim Rugova.

Krijimi i Gjykatës Speciale

Dhomat e Specializuara të Kosovës, njohur ndryshe si Gjykata Speciale, u votua në nëntor të vitit 2015 nga Parlamenti i kohës në Kosovë, fillimisht me qëllim hetimin e akuzave të raportuesit zviceran të Këshillit të Europës Dick Marty për trafikimin e organeve, akuzë e cila ra gjatë hetimeve të prokurorisë speciale. Gjatë konkluzioneve përfundimtare të akuzës këtë të hënë (09.02.2026), këto pretendime nuk u përmendën në asnjë moment. Prokurorët, gjyqtarët dhe stafi i kësaj gjykate, me seli në Hagë të Holandës, janë ndërkombëtarë.

Thaҫi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi u arrestuan në vitin 2020 dhe dy vite më vonë nisi procesi gjyqësor në ngarkim të tyre.

Në ditët në vijim, pritet të dëgjohen dhe pretendimet e familjarëve të viktimave dhe konkluzionet e mbrojtjes.

 

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë
Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW