1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hahn në Tiranë: “Pa dialog nuk ecet përpara!”

Arben Muka24 Mars 2015

Komisioneri i BE Johannes Hahn, në vizitën e parë zyrtare në Tiranë bëri një bilanc të procesit të integrimit të vendit, theksoi nevojën imediate për reformën në drejtësi e forcimin e luftës kundër krimit e korrupsionit.

Johannes Hahn
Fotografi: AFP/Getty Images

Komisioneri i BE-së për Politikën e Fqinjësisë Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, përpara se të fillonte agjendën politike në Shqipëri ka preferuar që të jetë në një mjedis diskutimi me shoqërinë civile, për t'u njohur me optikën dhe angazhimet e rrjetit të organizatave joqeveritare, kryesisht në procesin e integrimit të vendit në familjen europiane. Ky ka qenë dhe një sinjal i Komisionerit për rëndësinë e madhe, që Brukseli i jep forumeve të shoqërisë civile në pjesëmarrjen në reforma, në oponencën për legjislativin dhe ekzekutivin, në forcimin e rolit të komunitetit në vendimmarrjen në nivel qendror dhe lokal. BE në vitet e fundit ka adresuar projekte mbështetëse për rritjen e kapaciteteve të instrastrukturës së organizatave joqeveritare, sidomos ato që janë jashtë qëndrave të mëdha urbane.

Gjatë takimeve, që ka pasur me përfaqësues të mazhorancës dhe opozitës, zyrtari i lartë i Brukselit në ndalesën e parë zyrtare në Shqipëri ka përsëritur nevojën imediate për reformën në sistemin e drejtësisë, që sipas tij “duhet të jetë gjithëpërfshirëse”, për të siguruar funksionin e pavarur dhe efektiv. Po ashtu ai kujtoi nevojën për “politika koherente dhe serioze për luftën kundër krimit dhe korrupsionit.” Për Hahn, për 5 prioritetet, që duhet të përmbushë Shqipëria në procesin e integrimit, ka pasur ecuri progres. “Fokusi duhet të jetë tek të gjitha çështjet, të cilat kanë të bëjnë me sundimin e ligjit. Lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar ka nevojë për një gjyqësor të pavarur. Ky është parakusht për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin.” Nisur nga situata e brendshme politike në Shqipëri ai vuri theksin te nevoja e dialogut me forcave politike, pa të cilin nuk mund të bëhet përpara.

Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me median, së bashku me Komisionerin Johannes Hahn, u shpreh se është qartësuar fakti se “nuk jemi në kohën më të mirë në Europë për të folur për zgjerimin, por ama jemi në kohën më delikate për të mos e lënë procesin e zgjerimit pa e shtyrë na vazhdimësi dhe vendosmëri. Negociatat i shohim jo si një tjetër proces, por si vetë procesi”.

Mungesa e dialogut është mungesa e sharmit në politikë

Për kryeredaktorin e gazetës Shekulli, Elton Metaj, fokusimi i Komisionerit Hahn tek nevoja e zbatimit të ligjit dhe realizimi i reformave në drejtësi, nuk përbëjnë mesazhe të reja për shqiptarët. Megjithatë në situatën aktuale kjo kërkesë merr një rëndësi të madhe, pohon ai për Deutsche Welle-n.

Elton Metaj, kryeredaktor i gazetës ShekulliFotografi: DW/A. Muka

“BE kërkon më tepër forcë në zbatimin e ligjit dhe Shqipëria duhet të ndërmarrë hapa për ta forcuar më tepër ligjshmërinë në një vend, që ka vuajtur prej vitesh nga një situatë e afërt me kaosin apo mungesën e kontrollit. Zbatimi i ligjit do të thotë në vetvete një drejtësi më efikase, pasi do ta detyrojë sistemin të vetëpërmirësohet, në rast se hallkat e tjera do të ‘shtojnë' besnikërinë ndaj kuadrit ligjor. Gjithashtu kërkesa për dialog, që na përsëritet kudo nga zyrtarët evropianë, të rangjeve të ulët apo të lartë, na kujton nivelin e ulët të të bërit politikë në Shqipëri. Mungesa e dialogut është mungesa e sharmit në politikë”.

Analisti i medias Robert Goro ka mendimin se mesazhet, që dha në Tiranë Komisioneri Hahn nuk ndryshojnë as në thelb, as në formulim nga ato, që ka thënë paraardhësi i tij Fule, apo edhe të tjerë më herët. Janë po ato këshilla, po ato fjalë dhe togfjalësha, gjë që për mendimin tim nuk tregon thjesht dhe vetëm këmbënguljen e Brukselit në përmbushjen e pesë prioriteteve kyçe, shprehet Goro në një intervistë për Deutsche Welle-n.

“Tregon më së shumti pamundësinë, apo ngurrimin e politikës dhe të shoqërisë shqiptare në përgjithësi, që të mund t'i përgjigjen sfidës së integrimit, duke e shndërruar aspiratën e shqiptarëve për anëtarësim në BE, në një lloj ‘Kalaje të Rozafës.'

Anëtare e BE-së, vetëm kur të jenë plotësuar standardet

Për Goron procesi i integrimit të Shqipërisë në BE ka ecur jashtëzakonisht ngadalë, në kohën që ky do të duhet të ishte, sipas tij, një stimul fantastik, që shoqëria dhe politika shqiptare të europianizoheshin në kuptimin e mirëfilltë të fjalës.

Analisti i medias Robert GoroFotografi: DW/A. Muka

“Nuk besoj se është çështja thjesht tek konceptimi i reformave si ‘detyra shtëpie', por te mungesa e një obligimi qytetar e kombëtar prej politikës, shoqërisë civile, mediave, që të bëhet më i mirë vendi dhe njerëzit, të fuqizohet ekonomia, si një element vendimtar i integrimit europian”.

Ndërkohë edhe Elton Metaj nga gazeta Shekulli është në të njëjtën linjë me intensitetin e ngjarjeve, kur shprehet se ndër vite afrimi i Shqipërisë me Bashkimin Europian ka qenë i ngadaltë, për shkak të mungesës së stabilitetit politik dhe qeverisjes jo të mirë. Për këto arsye, sipas tij, janë humbur shumë shanse për të qenë më pranë këtij Bashkimi, sepse mbi të gjitha anëtarësimi është konsideruar si një dhuratë, apo favor nga Brukseli e kryeqytetet e rëndësishëm të Europës.

“Në mënyrë graduale Shqipëria po kupton se ajo do të jetë anëtare e BE-së, vetëm atëherë kur të kenë plotësuar standardet e BE-së dhe jo, kur disa liderë europianë do të vendosin ta kenë vendin tonë në gjirin e tyre. Pra, nëse nuk e realizojmë BE-në në Shqipëri, nuk do të ketë Shqipëri në BE.”