1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hakerët shqiptarë sulmojnë me sukses webfaqet malazeze

Vesna Rajkoviç17 Korrik 2008

Gjatë tre ditëve të fundit, faqet e internetit të kompanisë kombëtare malazeze "Monetenegro Airlines" dhe të gazetës me tirazhin më të madh në Mal të Zi, "Vijesti", janë manipuluar nga hakerë shqiptarë

Fotografi: APTN

Hakerët, të cilët prezantohen si "Grupi i hakerëve nga Kosova" dhe "Hakers forever" në webfaqen e kompanisë malazeze të fluturimeve kanë vendosur flamurin shqiptar dhe mesazhe në gjuhën shqipe dhe angleze si: "Shqipëria e Bashkuar", "Qoftë e bekuar toka shqiptare dhe populli i saj, duam bashkimin".

E përditshmja "Vijesti", e cila ishte e vetmja që ka shkruajtur për sulmin e hakerëve ishte edhe vetë në shënjestër të tyre. I njëjti grup në webfaqen e gazetës me tirazhin më të madh në Mal të Zi ka vendosur flamurin shqiptar, hartën e Kosovës dhe mesazhin në gjuhën angleze " Jam krenar që jam shqiptar", dhe e tëra kjo shoqërohej me tinguj të muzikës shqiptare.

Kryeredaktori dhe redaktori përgjegjës i "Vijestit", Ljubisha Mitroviq thotë se sulmet e hakerëve nuk kanë prapavijë politike. "Këtë ne e shohim si lojë të hakerëve. Nga kjo nuk ka mbrojtje të qindpërqindtë, asnjë kompani nuk mund të mbrohet nëmënyrë absolute", tha ai.

Ndërkaq mjeshtri dhe autori i webfaqes së gazetës Vijesti, Andrej Minevski sqaron se për shkak të moskujdesit të administratorit të faqes, hakerët e kanë të lehtë të kryejën punën e vet. "Në thelb ata nuk kanë bërë asgjë të mençur. Ka qenë fjala për fjalëkalime, përshembull kodi identifikues ka qenë Marko e edhe fjalëkalimi ka qenë Marko".

Ekspertët tregojnë se kompanitë malazeze investojnë shumë pak në sigurinë e prezantimeve të tyre në internet. Përveç kësaj policia malaeze nuk është në gjendje dhe nuk ka kapacitetet e duhura profesionale dhe teknike që të luftojë këtë lloj kriminaliteti.