1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

120410 Halal Burger Frankreich

13 Prill 2010

Një rrjet francez për ushqimet e shpejta "Fast food" ka shkaktuar një skandal të veçantë. Vitin e kaluar ky rrjet deklaroi se do të ofronte në dyqane vetëm ushqime që mund të konsumohen pa probleme nga myslimanët.

Quik ofron vetëm ushqime që mund të konsumohen pa probleme nga myslimanët.
Quik ofron vetëm ushqime që mund të konsumohen pa probleme nga myslimanët.Fotografi: AP

Në restorantin e shpejtë "Quick" Malek kafshon gjithë kënaqësi në hamburgerin e tij. "Më në fund mund të ha edhe unë pa merak fast-food", thotë ai: "Mua më pëlqen ky zhvillim. Të paktën këtu në Roubaix situata po përmirësohet. Njerëzit kanë filluar të hapen kundrejt myslimanëve."

Qyteti Roubaix ndodhet në veri të Francës fare pranë kufirit me Belgjikën, ku ndodhen gjithashtu zonat më të mëdha industriale në Francë. Qysh në fillim të viteve 60-të në këto zona erdhën sidomos punëtorë nga shtetet Magreb dhe ndërkohë këtu jetojnë qindra familje me rrënjë tuneziane, algjeriane dhe marokene - shumica e tyre janë myslimanë. Ata janë të gëzuar që tani mund të jenë të sigurtë se mishi i ushqimeve që konsumojnë në restorantet e shpejta rrjedh nga kafshë që janë therrur sipas ritualit islamik. "Hallall" quhet kjo mënyrë në gjuhën arabe. Edhe Abili vjen me kënaqësi këtu: "Është mëse logjike që kur shumica e klientëve që vijnë këtu kërkojnë prodhime hallall, pronarët reagojnë duke ofruar pikërisht produkte të tilla."

Në Francë ka mbi 360 filiale të rrjetit fast-food "Quick"

Në 8 prej tyre, ndër të tjera edhe në qytetin Roubaix, ofrohen tani vetëm produkte "hallall". Që prej kësaj kohe këto filiale pothuajse i kanë dyfishuar të ardhurat e tyre. Sidomos familje me shumë fëmijë i frekuentojnë shpesh këto restorante. Aty nuk shitet alkohol, mishi i grirë vjen vetëm nga kasapë myslimanë dhe hamburgeri me proshutë "Bacon Burger“ u hoq nga sortimenti, sepse mishi i derrit nuk shkon për klientelën myslimane.

Hallall apo jo hallall?Fotografi: picture-alliance / maxppp

Por ky zhvillim po i tejkalon kufijtë e mirëkuptimit, ankohet kryebashkiaku i qytetit Roubaix: "Duhet të kemi kujdes që të mos diskriminojmë jo-myslimanët. Por pikërisht kjo gjë po ndodh tani këtu, duke ofruar vetëm ushqime "hallall". Mendoj se duhen ofruar të gjitha tipet e ushqimeve, pra edhe produkte që nuk mbajnë vulën "hallall".

Në mbarë Francën u ndez një debat i ashpër

Socialisti Vandierendonck mendon se rrjeti për ushqimin e shpjetë "Quick" po e ekzagjeron marrjen parasysh të dëshirave të mbi tetë milionë myslimanëve në Francë. Dhe shumë francezë janë të të njëjtit mendim. Në fakt ai kishte ndërmend ta padiste rrjetin "Quick" për diskriminim e jo-myslimanëve por nuk e ndërmori këtë hap sepse u lavdërua nga një front, me të cilin nuk simpatizon: Pikërisht ekstremistja e djathtë Marine Le Pen, vajza e themeluesit të frontit kombëtar "Front-National", Jean Marie Le Pen, duartrokiti publikisht për socialistin: "Ku mbetet liria e të tjerëve? Liria e atyre qe besojnë në tjetër fe apo që nuk besojnë fare?"

Ndërkohë firma "Quick", e cili i përket një insitutit shtetëror financiar, ngul këmbë se vepron sipas të drejtës së saj si firmë e konsoliduar në treg. Dhe liberalët dhe të gjelbërit francezë e mbështesin hapur: "Në Francë ka gjithashtu shumë supermarkete që ofrojnë vetëm ushqim "Kosher" për hebrenjtë, dhe askush nuk ankohet", thekson francezi i gjelbër Daniel Cohn-Bendit.

Si i konsideron shteti laik drejtimet e caktuara fetare

Por debati rreth produkteve "hallall" është më i thellë, pikërisht për shkaqe fetare. Sociasti francez Philippe Le Breton thotë: "Kur mendoj për diskutimet që lindin nëse një grua lejohet të dalë në rrugë me ferexhe apo dhe tani për produktet "hallall", atëherë detyrohem t'ju kujtoj se jemi një shtet laik."

Ndarja e jetës publike nga feja ka nivel kushtetute në Francë dhe merret shumë seriozisht. Këshu debati rreth produkteve "hallall" fokusohet shpesh tek pyetja se sa konsideratë duhet t'u dhurojë një shtet laik drejtimeve të caktuara fetare.

NiceFotografi: picture alliance / dpa

Ndërkohë aspekti i mbrojtjes së kafshëve nuk luan ndonjë rol të veçantë në këtë debat. Vetëm aktorja e njohur Brigitte Bardot i kujtoi drejtorisë së firmës "Quick" në një letër të hapur faktin se gjatë therrjes sipas ritualit islamik, kafshët duhet të humbasin gjak 14 minuta të plota përpara se të therren plotësisht. I vetmi person që reagoi, ishte myftiu i madh i Parisit. Ai theksoi se Korani i shenjtë nuk e udhëzon në mënyrë kategorike këtë lloj therrjeje të kafshëve. Por ky reagim nuk u morr parasysh në debatet që vijuan.

Ndërkohë firma "Quick" vazhdon të ofrojë produkte të tipit "Hallall". Dhe biznesi ecën shumë mirë.

Autor: Christian Wöß/ Sonila Sand

Redaktoi: Aida Cama