1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hamburgu demonstron kombinimin e ekonomisë me ekologjinë

3 Janar 2011

Titulli "kryeqyteti ekologjik i Evropës" jepet nga Komisioni Evropian. Pas Stokholmit në vitin 2010 Hamburgu është i dyti qytet me këtë titull. Ky është vlerësim që i bëhet arritjeve të shkëlqyera në ruajtjen e mjedisit

Qyteti port i HamburgutFotografi: Fotolia/ArTo

Pas Stokholmit 2010 Komisioni Evropian i ka dhënë Hamburgut titullin "kryeqyteti ekologjik i Evropës për vitin 2011". Ky qytet i Gjermanisë së Veriut do të dëshmojë përmes shumë shembujve praktikë, se edhe në një qytet të madh industrial dhe port mbrojtja e mjedisit mund të gërshetohet me zhvillimin ekonomik. Hamburgu prezantoi programin e tij ambicioz në Stokolm në "European Green Capital Conference".

Titulli nxit konkurrencën për mbrojtjen e mjedisit

Në të njëjtën kohë Komisioni i BE-së shpreson, që përmes kësaj gare për titullin e lakmuar qytetet t'i shtojnë përpjekjet për ruajtjen e mjedisit dhe të mësojnë nga njëri-tjetri përmes shkëmbimit të përvojave.

Urë në HamburgFotografi: Fotolia/Stefan Lenz

Hamburgu si qytet i rëndësishëm industrial dhe porti i tretë për nga madhësia në Evropë ndodhet para sfidave të mëdha përsa i përket mjedisit dhe ka shansin dhe detyrimin që të kombinojë në mënyrë konsekuente me njëra-tjetrën ekologjinë dhe ekonominë. Qyteti prezantoi në një konferencë projekte të ndryshme si për shembull: zgjerimin e rrjetit të transportit publik, rivendosjen e linjës hekurudhore në qytet, planet për mbulimin e autostradës A7 në mes të qytetit dhe projektet e zhvillimit urban të qytetit port të Hamburgut - projekti më i madh urbanistik në Evropë -, ekspozitën ndërkombëtare të ndërtimit IBA 2013 dhe ekspozitën ndërkombëtare të kopshtarisë igs 2013.

Ekspozita mobile "treni i ideve"

Ekspozitë mobile me projekte të rëndësishme ekologjikeFotografi: picture alliance / dpa

Për të nxitur shkëmbimin e përvojave ndërmjet qyteteve evropiane, dërgohet në një udhëtim nëpër Evropë "treni i ideve", një ekspozitë mobile me projekte të rëndësishme ekologjike me shembuj nga Hamburgu. Treni nis udhëtimin në prill 2011 dhe do të kalojë gjithsej në 17 qytete evropiane, ndër ta në Zyrih, Vjenë, Kopenhagen, Paris, Bruksel dhe në Barcelonë. Ky është pa dyshim projekti më i shtrenjtë për Public Relations i qytetit në këtë vit.

Herlind Gundelach, senatore për çështjet e mjedisit në Hamburg, thotë: "Koncepti ynë i komunikimit me"trenin e ideve" ka gjetur një rezonancë kaq të madhe tek Komisioni Evropian për shkak se ky tren lidh me njëri-tjetrin të gjitha qytetet evropiane, si të thuash përmes këtij treni mund të shkëmbehen informacionet. Ne tregojmë, se çfarë jemi në gjendje të bëjmë, se ku i kemi prioritetet tona, se në cilat fusha jemi veçanërisht në gjendje."

Ekspozita do të jetë gati pas katër muajsh. 7 kontejerë të mëdhenj po kthehen në vagonë specialë, të pajisur me teknikën e fundit, si rrjetet interaktive. Waldemar von Bülow, nga Hanse Repair, thotë: "Nëqoftëse dikush hipën në këtë tren në Zyrih, ka përshtypjen se udhëton në Hamburg, shtyp sustën dhe ndalon në stacion, ose nëqoftëse i duket e mërzitshme, mund të hipë në biçikletë në Hamburgu të bëjë një udhëtim me biçiklete në atë zonë, mund ta shikojë në ekran rrugën që bën, këto janë pikat kryesore, që na pëlqejnë dhe që i gjejmë këtu."

Rreth 4 milionë euro do t'i kushtojë qytetit "treni i ideve"

Mbrojtja e mjedisit mund të gërshetohet me zhvillimin ekonomikFotografi: DW-TV

Paratë mund të investoheshin për të mbrojtur mjedisin, thonë kritikët. Për shembull në projekte ekologjike ndërtimi, që mund të përmirësonin klimën në qytet, që do t'u shërbenin qytetarëve të Hamburgut dhe jo firmave, të cilat sponsorizojnë kryeqytetin ekologjik 2011. Siemens dhe Deutsche Bahn (hekurudhat gjermane) sponsorizojnë "trenin e ideve" me afro një milionë euro.

Herlind Gundelach, senatore për mjedisin në Hamburg thotë: "Sigurisht që është edhe Public Relation, por edhe mbrojtja e ambjentit është një sferë e politikës , që nuk mund të jetojë pa Public Relation. Herë pas here duhet tërhequr vemendja për mbrojtjen e mjedist dhe kësaj i shërben ky tren."

Krahas sponsorizuesve kryesorë Siemens dhe Deutsche Bahn qyteti i Hamburgut ka zgjedhur edhe 600 firma të tjera si "partnere në mbrojtjen e mjedisit". Pa mbështetjen e tyre nuk do të kishin qenë të mundura aktivitetet e shumta në vitin e kryeqytetit ekologjik.

Autor: dpa/Angjelina Verbica

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora