Handke ka takuar Karaxhiçin, para se ai të arratisej
29 Tetor 2010Shkrimtari Peter Handke, në bazë të një biografie të re për udhëheqësin serb të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, e ka takuar këtë të fundit pak para arratisë së tij gati dymbëdhjetëvjeçare në dhjetor 1996. Në këtë kohë Tribunali i Hagës për Krime lufte kishte nxjerrë urdhër arresti kundër Karaxhiçit.
Vizita te Karaxhiçi kishte qenë për të "shumë e vetëkuptueshme". "Njeriu duhet ta kuptojë historinë", citohet Handke në biografi. "Këtë unë do ta bëja në çdo kohë sërish." Handke shprehu dyshim për informacionet për krimet në ish-Jugosllavi, shkruan Herwig. Poetin e ka interesuar çështja, nëse psikiatri Karaxhic nuk ka qenë vetëm një i dyshuar për krime lufte, por me të vërtetë "Dr. i Çuditshmi", siç e paraqisnin atë mediet.
Karaxhici ndodhet që prej korrikut 2008 në Hollandë në arrest. Ai duhet të përgjigjet para Tribunalit Ndërkombëtar për Krimet kundër Jugosllavisë për genocid dhe krime kundër njerëzimit. Shkrimtari austriak Handke ka shkaktuar shpeshherë me deklarata proserbe diskutime të ashpra. Në varrimin e presidentit të Jugosllavisë, Slobodan Milosheviç, në prill 2006 Handke mbajti një fjalim.
Autor: dpa/ Auron Dodi
Redaktoi: Angjelina Verbica