1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hanoveri, Obama dhe protestat

Sabine Kinkartz24 Prill 2016

Në prag të samitit në Hanover ҁdo gjë ёshtё bllokuar: Barack Obama vjen në vizitën e fundit në Gjermani. SHBA është partner në panairin më të madh të industrisë në botë. Qyteti do të jetë i paralizuar deri të hënën.

Merkel dhe Obama
Merkel dhe ObamaFotografi: picture-alliance/dpa/V. Mayo

Hanoveri është në parim një qytet i qetë: gjysmë milioni banorë të metropolit të Saksonisë së Poshtme duhet të përshtaten me tollovi vetëm në kohën e hapjes së panairit më të madh të industrisë në botë, kur mesatarisht këtë qytet e vizitojnë edhe 200.000 vizitorë. Por këtë vit do të ketë tollovi edhe më të madhe dhe kufizime në trafik. Për herë të parë partner i panairit në këtë qytet janë SHBA-të. Në hapje të tij vjen madje edhe vet presidenti i SHBA, Barack Obama. Nëse nuk ndodh diçka e paparashikuar, do të jetë kjo vizita e fundit e Obamës në Gjermani, si president i SHBA.

Samiti politik

Mysafiri nga Uashingtoni është ftuar nga kancelarja Angela Merkel, e cila Obamën dhe një delegacion të madh amerikan do t'i prese ditën e diel. Deri në mbrëmje, kur mbahet edhe hapja e panairit, nuk do të bisedohet vetëm për çështje ekonomike por edhe për politikë. Hanoveri është shndërruar në një kështjellë sigurie, pasi këtu janë ftuar edhe disa liderë të tjerë perëndimorë - presidenti i Francës Hollande, kryeministri britanik Cameron dhe ai italian Renzi.

HerrenhausenFotografi: picture-alliance/dpa/H.Hollemann

Por para takimit Obama, Hollande, Cameron dhe Renzi të hënën (25.04) në kështjellën Herrenhausen, ku do të flasin edhe për krizën e refugjatëve dhe tema të tjera ekonomike, të shtunën ka pasur protesta. Ndërsa tema kryesore e takimit të liderëve megjithatë do të jetë Marrëveshja Transatlantike dhe Investimet( TTIP). Kjo marrëveshje ka shkaktuar protesta të shumta në vende të ndryshme të Evropës.

Protestat

Protesta kunder TTIPFotografi: Getty Images/AFP/J. Macdougall

Rezistenca është gjithnjë e më e madhe. Në Hanover janë mbledhur dhjetra mijëra kundërshtarë. Shefi i sindikatës Verdi Frank Bsirske, një ndër organizatorët e protestave, mendon se Hanoveri është vendi më i përshtatshëm që kancelares Merkel dhe Obamës t'u thuhet qartë se ata janë kundër TTIP Analistët vlerësojnë se pas largimit të Obamës nga Shtëpia e Bardhë, edhe negociatat për TTIP do të ngadalësohen.

Por qyteti është paralizuar. Në lagjen ku do të vendoset Obama dhe në rrugët ku kalon ai me makinë nuk do të ketë lëvizje. Madje as fëmijët nuk guxojnë të luajnë në rrugë. Kontrollet janë të jashtëzakonshme. Qyteti do të jetë i paralizuar deri të hënën pasdite, kur liderët të largohen nga Hanoveri. Më pas Hanoveri mund t'i kthehet jetës së përditshme.