1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hadzic Regierung Belgrad

20 Korrik 2011

Goran Hadžić , i dyshuari i fundit për krime lufte në ish-Jugosllavi i akuzuar prej Tribunalit të OKB-së në Hagë, u arrestua të mërkurën në Serbi. Qeveria serbe e konsideron këtë si hap drejt BE-së.

Arrestimi i kriminelit të supozuar të luftës Goran Hadžić
Arrestimi i kriminelit të supozuar të luftës Goran HadžićFotografi: Government ho/AP/dapd

Atë që mediet serbe e komunikuan më parë si lajm urgjent, e konfirmoi të mërkurën (20.07.2011) presidenti i Serbisë Boris Tadić zyrtarisht: Me Goran Hadžićin tashmë është kapur edhe i kërkuari i fundit prej Tribunalit të OKB-së për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi.

Tadić: "Kapitulli më i vështirë i bashkëpunimit me Tribunalin e Hagës është mbyllur. Serbia do të vazhdojë t'i përmbushë detyrimet e saj ndërkombëtare. Njëkohësisht dua të theksoj, se arrestimi i Goran Hadžićit nuk është vetëm rezultat i zbatimit të ligjeve serbe, por ky veprim është në harmoni edhe me detyrimin tonë moral."

Boris Tadić duke folur për arrestimin e Goran HadžićitFotografi: dapd

Goran Hadžić u arrestua sot në mëngjes në afësri të qytetit të Novi Sadit në një zonë kodrinore pyjore, tha presidenti serb. Prej kohësh qarkullonin fjalë, se atje ai ndoshta kish gjetur strehë në një manastir ortodoks. Ndaj ka pasur edhe akuza, se me gjasë prej kohësh instancat zyrtare e kanë ditur vendndodhjen e tij - të tilla supozime janë shfaqur qysh në maj të këtij viti, teksa pas shumë vitesh arratie u arrestua i dyshuari për krime lufte Ratko Mladić. Presidenti Boris Tadić i hodhi poshtë këto: "Qysh pas arrestimit të Ratko Mladićit në opinion ka pasur spekulime, sipas të cilave Serbia prej vitesh e ka ditur, se ku ndodhet ai. Këto informacione kanë qenë absolutisht të gabuara. Po aq pak ka ditur Serbia edhe për vendndodhjen e Goran Hadžićit."

Në aktkakuzën e Tribunalit të Hagës Goran Hadžić akuzohet, të këtë marrë pjesë në politikën e dëbimeve gjatë luftës në Kroaci në fillimin e viteve 1990-të. Serbia kish drejtuar dëbimet duke marrë në fund përkohësisht nën kontroll një të tretën e territorit kroat.

Deri në fillim të luftës Hadžić kishte fituar merita si punëtor magazine dhe krahas kësaj ishte i angazhuar në Partinë Komuniste. Më vonë ai kaloi në kampin politik të nacionalistëve dhe u zgjodh prsident i republikës së vetëshpallur serbe në Krajina - një produkt i fantazisë së nacionalistëve serbë në territorin kroat, që në fakt nuk u njoh prej askujt.

Ushtarë serbë duke shoqëruar një civil kroat pas hyrjes në Vukovar më 1991Fotografi: AP

Konkretisht sot 52 vjeçarit i ngarkohet një masakër e njësive serbe në Vukovar, në lindje të Kroacisë në nëntor 1991. Asokohe mbi 260 kroatë dhe të tjerë civilë joserbë fillimisht u rëmbyen nga një spital kroat në një fermë derrash dhe më pas u vranë, ndër ta kishte edhe gra e të moshuar.

Në vitin 2004 policia serbe donte ta arrestonte Goran Hadžićin. Por ai doli në ilegalitet - pak orë pasi Tribunali i OKB-së publikoi aktakuzën ndaj tij.

Fakti që Hadžić tani është arrestuar dhe me gjasë brenda pak ditëve do të ekstradohet për në Hagë, konsiderohet si një kusht i rëndësishëm për afrimin e mëtejshëm të Serbisë në BE.

Autor: Jörg Paas / Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Elert Ajazaj

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë