Hapa para drejt Evropës
24 Shkurt 2012"Pa paragjykim për pozicionin e palëve për statusin, në përputhje me Rezolutën1244 dhe Opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës". Ky është formulimi i fusnotës, me të cilën Kosova tani e tutje do të përfaqësohet në nismat rajonale. Për arritjen e marrëveshjes për përfaqësimin rajonal të Kosovës në tre ditët e fundit u zhvilluan bisedime intensive në Bruksel.
Ashton: Të dy vendet kanë bërë hapa para drejt Evropës
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së Catherine Ashton dhe Komisioneri për Zgjerim Stefan Fule kanë mirëpritur marrëveshjet e arritura. "Ne mirëpresim marrëveshjet e arritura sot për bashkëpunimin rajonal dhe implementimin e menaxhimit të integruar të pikave kufitare. Këto marrëveshje janë një hap i madh përpara. Ato janë të rëndësishme jo vetëm për Serbinë dhe Kosovën por edhe për stabilitetin e rajonit dhe si rrjedhim edhe për Bashkimin Evropian. Të gjitha vendet anëtare të BE-së i kanë dhënë mbështetjen rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Shtator të vitit 2010, e cila qe pikënisja e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit. Objekti i këtij dialogu është të ndihmojë të dyja palët të arrijnë progres në rrugën drejt Evropës", kanë deklaruar zyrtarët e lartë të BE-së.
Në këtë kontekst shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton tha: “Unë dua të përgëzoj palët për arritjen e këtyre marrëveshjeve themelore. Njëra vë në jetë menaxhimin e integruar të pikave kufitare dhe tjetra konsolidon bashkëpunimin rajonal dhe siguron një përfaqësim në mënyrën e duhur për të gjithë. Ty dy vendet kanë bërë hapa para drejt Evropës”.
Sa i përket Serbisë, marrëveshjet e bashkëpunimit rajonal dhe menaxhimi i pikave kufitare, do të shihen me sy të mirë nga Këshilli Evropian, i cili javën që vjen do të diskutojë për dhënien e statusit kandidat për Serbinë. Edhe Kosova mund të përfitojë nga marrëveshja e re. KE kërkon të propozojë fillimin e studimit të fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Kosovën që shihet si hapi i parë drejt anëtarësimit në BE, por ka kundërshtime nga disa vende evropiane.
Füle: Marrëveshja forcon axhendën e zgjerimit
Ndërkohë sa i përket Kosovës, i rëndësishëm është fakti se ajo do të marrë pjesë si e barabartë në takimet rajonale dhe do ta lejojë të zhvillojë kontaktet kontraktuale me Bashkimin Evropian. Si rrjedhim Kosova do te ndjekë të njëjtën rrugë si vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor në drejtim të Bashkimit Evropian.
Stefan Füle, komisioner për zgjerimin e BE-së theksoi se: “Marrëveshja tregoi një vullnet nga të dyja palët drejt një të ardhme të përbashkët evropiane. Marrëveshja e sotme forcon bashkëpunimin rajonal, fqinjësinë e mirë dhe axhendën e zgjerimit në Ballkanin Perëndimor."
Westerwelle: Marrëveshjet janë një hap në drejtimin e duhur
Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle ka përshëndetur arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë që çon në bashkëpunim më të ngushtë mes dy vendeve. Politikani liberal gjerman u shpreh në kuadër të një konference për Sirinë në Tuniz për marrëveshjen e përfaqësimit të Kosovës dhe kontrolleve kufitare. "Marrëveshjet janë një hap në drejtimin e duhur" që të çojnë drejt " një rajoni më paqësor dhe të stabilizuar" tha ministri i Jashtëm gjerman. Mendoj se Beogradi dhe Prishtina do t'i përforcojnë rezultatet e bisedimeve. Kjo do të ishte edhe një piketë shumë e rëndësishme për perspektivën e Serbisë në Bashkimin Evropian në konsultimet e javës së ardhshme" deklaroi ëesterëelle. Ai e vlerësoi marrëveshjen si sukses të "politikës së jashtme të përbashkët evropiane".
Thaçi: Marrëveshja nuk e zbehë shtetësinë e Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për bashkëpunim rajonal e ka cilësuar si jashtëzakonisht të rëndësishme për Kosovën. Sipas tij, përfaqësimi i Kosovës me fusnotë, nuk është ideale, por është më e pranueshmja për momentin politik, në të cilin po kalon Kosova.
Kryeministri, Hashim Thaçi, tha se kjo marrëveshje dhe përfaqësimi i Kosovës në nisma rajonale në këtë formë nuk e zbehë shtetësinë e Kosovës. “Kosova me këtë marrëveshje u përcaktua për integrim dhe jo për izolim. Kosova u përcaktua të përfaqësojë vetvetën dhe jo të përfaqësohet nga të tjetër. Me këtë marrëveshje, ne larguam përgjithmonë UNMIK-un nga tavolina e përfaqësimit të Kosovës”, tha kryeministri Hashim Thaçi.
Kryeministri Thaçi, tha se rezoluta 1244 e KS-it, megjithëse e përfshirë në fusnotën e përfaqësimit të Kosovës është një mbetje e historisë: “Rezoluta 1244 ka mbetur si mbetje për shkak të vetos së Rusisë në Këshillin e Sigurimit. Jemi përpjekur disa herë që ta tejkalojmë disi, por s’kemi pasur sukses që ta bindim Rusinë që ta tërheq veton e saj”, tha kryeministri Hashim Thaçi.
Feith: Marrëveshja e rëndësishme për integrimet evropiane
Marrëveshjen e arritur në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e ka përshendetur edhe shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Pieter Feith. “Ky rezultat është shumë i rëndësishëm për lëvizjen domethënëse të të dy vendeve drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Unë e përgëzoj Qeverinë e Kosovës për përkushtimin e treguar për të marrë vendime të rëndësishme të cilat do të çojnë përpara synimin e Kosovës për tu integruar në BE dhe për të siguruar përfaqësim të pavarur të institucioneve të Kosovës në forumet dhe organizatat rajonale dhe në ato të BE-së.”, thotë Pieter Feith, në një deklaratë të shkruar.
Opozita: Kosova duhet të përfaqësohet vetëm me emrin e saj kushtetues
Partitë politike opozitare në Kosovë, vazhdojnë ta kundërshtojnë marrëveshjen Prishtinë Beograd, që Kosova të përfaqësohet me fusnotë nën rezolutën 1244 të KS-it. Ato thonë se Kosova duhet të përfaqësohet vetëm me emrin e saj kushtetues, Republika e Kosovës.
Sipas agjencive kosovare të lajmeve Lidhja Demokratike e Kosovës rikonfirmon qëndrimin e vet se, Republika e Kosovës duhet të përfaqësohet në të gjitha nismat rajonale si vend sorvan e i pavarur, me emrin e vet kushtetues. "Duke ritheksuar përkushtimin e vet të përhershëm për perspektivën e Republikës së Kosovës në BE dhe në strukturat euroatlantike, si dhe duke ritheksuar përkushtimin e thellë për miqësi të përhershme me SHBA-të", LDK-ja vlerëson se aspirata historike e popullit të Kosovës për integrime mund të arrihet vetëm duke i forcuar institucionet e pavarura të vendit, demokracinë dhe pavarësinë e vendit brenda dhe në raportet ndërkombëtare.
Ndërkaq lëvizja Vetëvendosje, paralajmëron që të hënën do të mbajë një protestë në qendër të Prishtinës dhe do ta bllokojë ndërtesën e qeverisë për disa orë, në shenjë kundërshtimi për marrëveshjen e arritur të premten në Bruksel.
Stefanoviq: Marrëveshja mbron interesat e Serbisë dhe Rezolutës 1244
Shefi i delegacionit serb në bisedimet për çështje teknike mes Prishtinës dhe Beogradit Borisllav Stefanoviq sqaroi në përfundim të bisedimeve që zgjatën tre ditë në Bruksel se përfaqësimi i Kosovës në takimet rajonale do të jetë asimtrik "në mënyrën që edhe është kërkuar nga Serbia". Kjo asimetri është pasqyruar përmes një fusnote e cila i referohet Rezolutës 1244 të KS të OKB-së dhe vendimi i GJND-së për deklaratën e pavarësisë së Kosovës.
Stefanoviq shprehu kënaqësinë e tij për marrëveshjen e arritur dhe shtoi se me të "mbrohen interesat e Serbisë dhe Rezolutës 1244". Ai shtoi se me arritjen e kësaj marrëveshje "Serbia ka plotësuar të gjitha kushtet për marrjen e statusit të kandidatit për anëtarësim javën e ardhshme."
Udhëheqësja e grupit negociator nga Prishtina Edita Tahiri ashtu si gjatë dy ditëve të kaluara të bisedimeve nuk i është drejtuar përfaqësuesve të mediave.
Autorë: E. Ahmeti / A. Topi / B. Shehu
Redaktoi: Lindita Arapi