Hapet në Hagë procesi kundër ish gjeneralit kroat Ante Gotovina
11 Mars 2008Nëse do të ishte ende gjallë ish presidenti i Kroacisë Franjo Tuxhman, sot ai do të gjendej me siguri në bankën e të akuzuarve të Gjykatës për Krime Lufte në Hagë. Ka qenë ai që pati dhënë urdhrin për ripushtimin e rajonit të Krajinës të kontrolluar nga serbët, u shpreh prokurori Alan Tieger: "Të nderuar zotërinj të trupit gjykues, këtu nuk vihet në pikëpyetje e drejta e Kroacisë për riintegrimin e Krajinës. Por gjatë operacionit për çlirim "Stuhia" fjala ishte për dëbimin afatgjatë të popullsisë serbe nga ky rajon."
Gusht 1995 Operacioni "Stuhia"
Ante Gotovina, një legjionar në ushtrinë frnaceze dhe ish i dënuar për vjedhje bizhuterish, ishte komandanti i kësaj ofensive ushtarake, ndërsa dy gjeneralët e paditur Mlladen Markac dhe Ivan Cermak, ekzekutuesit e urdhërave të tij. Me sulmin kundër qytetit Knin, u shpreh prokurori drejtues Tieger, filloi në gusht të vitit 1995 operacioni "Stuhia" .
"Gjeneral Gotovina nuk ishte aspak i interesuar në objektivat ushtarakë. Ai bëri atë për të cilën ishte rënë dakord me Tuxhmanin: demoralizoi civilët serbë dhe i shtrëngoi ata të largoheshin nga vendi."
Sipas tekstit të padisë rreth 200.000 serbë të Krajinës janë bërë viktimë të këtij pastrimi etnik. Ata patën lëshuar shtëpitë e tyre të përfshirë nga frika dhe paniku. "Të paktët që qëndruan, në pjesën më të madhe pleq dhe të sëmurë, përjetuan një ankth. Fshatrat e tyre u shkatërruan, shtëpitë u plaçkitën, ata vetë u arrestuan, u rrahën dhe shumë prej tyre u vranë."
Qëllimi i operacionit dekurajimi i civilëve
37 viktima përmenden me emër në aktpadi. Ndër ta edhe 90-vjeçarja Marija Grubor, e djegur e gjallë në 25 gusht 1995 dhe fqinji i saj Milos, 80 vjeç i pushkatuar në të njëjtën ditë. Si komandant suprem i një trupe prej rreth 30.000 vetësh, Ante Gotovina ka qenë përgjegjës për këto akte të tmerrshme, tha Tieger në deklaratën e tij në hapje të seancës. Ai citoi nga protokollet e bisedave të cilat vërtetojnë se Gotovina e mbështeste plotësisht kursin e Tuxhmanit dhe se ishte gati të vepronte në mënyrë brutale kundër popullsisë jo kroate.
Dorëzimi i Gotovinës hapi rrugën e Kroacisë për BE
I padituri kryesor në proces, 52-vjeçari Gotovina, u arrestua në dhjetor të vitit 2005 në Tenerifa. Krahas Radovan Karaxhiçit dhe Ratko Mlladiçit ai konsiderohej atëherë si një nga të dyshuarit më të kërkuar për krime lufte në listën e Gjykatës së Hagës. Dorëzimi i tij hapi rrugën për negociatat e anëtarësimit në BE mes Zagrebit dhe Brukselit. Gotovia ka theksuar vazhdimisht se është i pafajshëm. Mbrojtësi i tij do të ketë mundësi ditët që vijnë të reagojë nga padisë. Vendimi i Gjykatës nuk pritet përpara vitit 2009.