Hapet Qendra Memoriale e Holokaustit të hebrenjve të Maqedonisë
10 Mars 2011
Me këndime fetare Kadish dhe El Rahamim te kënduar nga rabinët dhe me nderime të larta ushtarake, në lagjen e vjetër të hebrenjve në Shkup u hap Qendra Memoriale e Holokaustit ndaj Hebrenjve nga Maqedonia. Në mars të vitit 1943, 7200 hebrenj nga Maqedonia u deportuan në kampin e përqëndrimit Treblinka prej nga ku nuk u kthyen më. Hiri i tyre nga e enjtja (10.03) do të qëndrojë në qendrën memoriale në Shkup.
Hebrenjtë nga Maqedonia nuk ishin ardhacakë
Mësimet që nxorrëm nga Holokausti janë të rëndësishme edhe ne ditët e sotme. Ideologjia fanatike nuk mund të luftohet me indiferencë, perëndimi duhet të mësojë nga e kaluara dhe duhet te tregojë vendosmëri për kërcënimet bashkëkohore ka theksuar zëvëndëskryeministri i Israelit, Moshe Jallon. “Hebrenjtë nga Maqedonia nuk ishin ardhacakë në këtë vend, ata jetonin në shtëpitë ku lindën, por me dhunë u deportuan në kampet naziste për të mos u kthyer të gjallë në vendlindjen e tyre. Por, ja që historia ndryshon, trupi i tyre tani do të prehet në vendlindjen e tyre “, ka thënë Moshe Jallon.
Gruevski: Qendra kthim i borxhit moral
Kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski ka theksuar se hapja e Qendrës Memoriale të Holokaustit ndaj hebrenjve të Maqedonisë është kthim i një borxhi moral për shokët, fqinjët dhe bashkëqytetarët që me dhunë u deportuan nga Maqedonia. “Kjo qendër memoriale është shprehje e besimit të thellë se me punë dhe vepra mund të kontribuosh për një satisfaksion moral për fitoren e së mirës ndaj të së keqes”, është shprehur Nikolla Gruevski.
Rabini Endrju Bejker ka folur për rëndësinë e hapjes së qendrës jo vetëm për hebrenjtë nga Ballkani por edhe më gjërë në rajon. “Në këtë qendër do t'i shohim fytyrat, do t'i përkujtojmë emrat , do të njihemi me tregimet e tyre, të hebrenjve të deportuar, jeta e të cilëve ndryshoi kahun e historisë”.
Në ceremoninë e hapjes së Qendrqs Memoriale të Holokaustit në Maqedoni ishin të pranishëm edhe presidenti i Shqipërisë Bamir Topi, ai i Malit të Zi, Filip Vujanoviç dhe deputetë nga Kneseti Izraelit. Qendra Memoriale e Holokaustit të hebrenjve nga Maqedonia është e katërta e këtij lloji krahas atyre në Jerusalem, Uashington dhe Berlin.
Autor: Fatos Musliu
Redaktoi: Lindita Arapi