1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hapi i parë drejt Unionit Bankar

Bernd Riegert/Angjelina Verbica16 Tetor 2013

Ministrat e financave të BE-së bënë hapin e parë drejt Unionit Bankar duke miratuar ngritjen e një autoriteti qendror të mbikëqyrjes bankare. Por problemet e vërteta s'janë zgjidhur ende. Kush paguan në rast falimentimi?

Shumë çështje ende të pazgjidhura: Ministri gjerman i Financave në Luksemburg
Shumë çështje ende të pazgjidhura: Ministri gjerman i Financave në LuksemburgFotografi: DW/B.Riegert

Presidenti i Komisionit të BE-së, Jose Barroso, e ka shpallur krijimin e Unionit Bankar në Evropë projektin më të rëndësishëm të BE. Me mbikëqyrjen e përbashkët të bankave me rëndësi sistemike dhe me shpërbërjen e përbashkët të bankave të falimentuara duhet të pengohet në të ardhmen një krizë bankare, si ajo pas falimentimit të bankës Lehman pesë vjet më parë.

Pas konsultimeve të vështira disamujore ministrat e Financave të BE hodhën tani në Luksemburg edhe formalisht hapin e parë. Banka Qendrore Evropiane (BQE) në Frankfurt mbi Main, e cila mbikëqyr politikën monetare dhe stabilitetin e vlerës së euros, do të marrë përsipër mbikëqyrjen e bankave të mëdha private. "Eshtë një hap i rëndësishëm, që BQE ka edhe bazën ligjore për të shpejtuar punën për ngritjen e mbikëqyrjes bankare në BQE. BQE punon nën trysni të lartë," tha ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schäuble, në Luxemburg. 130 banka të mëdha në 18 shtete të eurozonës do të kontrollohen nga vjeshta e vitit 2014 nga BQE. "Ne tani mund të marrin ndërtesa me qera, të punosojmë personel. Kjo është një ditë e mirë për Evropën", tha Jërg Asmussen, anëtar i bordit të Bankës Qendrore.

Bankat duhet të tregojnë bilancet

Para se BQE të marrë përsipër mbikëqyrjen dhe me të edhe një pushtet të konsiderueshëm, të gjitha 130 bankat duhet t'i nënshtrohen kontrollit të bilanceve, për të zbuluar bizneset e rrezikshme dhe kreditë e këqija. BQE nuk do të trashëgojë rreziqe financiare, nëse mban përgjegjësinë për bankat. Kur është fjala për pasojat e mundshme të këtij testi stresi, aty përfundon konsensi ndërmjet ministrave të Financave. Sepse në fund të fundit bëhet fjalë për para. Kush do t'i financojë zbrazëtitë, që mund të dalin në bilancet e bankave?

Filiale e bankës spanjolle Bankia në MadridFotografi: DW/V. Tscherezki

Ekspertët në Komisionin e BE mendojnë se pikërisht në vendet në krizë, si Spanja, Irlanda, Italia, Sllovenia, Qipro dhe Greqia ka supriza të tjera negative nga bankat. Disa ministra të Financave nga jugu mendojnë se taksapaguesit evropianë duhet të paguajnë. "Ashtu mund të jetë, por Republika Federale e Gjermanisë do të këmbëngulë që taksapaguesit të mbrohen", tha qartë ministri gjerman i Financave Wolfgang Schäuble.

Fundja qëllimi i të gjithë Unionit Bankar është, që jo më taksapaguesit, por pronarët privatë të përgjigjen për rreziqet, që kanë shkaktuar. Olli Rehn, komisioneri i BE për Çështjet Monetare u shpreh: "Fatura duhet paguar së pari nga fondet private. Kjo do të thotë nga pronarët, aksionarët dhe kreditorët e bankave." Presidenti Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi, i vlerëson se rreziqet, që fshihen sot në bankat evropiane, janë shumë më të pakta, se para dy vjetësh. Pajisja me kapital vetjak është sot shumë më e mirë, u shpreh Draghi në fundjavë në takimin vjetor të Fondit Monetar Ndërkombëtar në Uashington.

Llogarinë duhet ta paguajnë pronarët e bankave

Lidhur me detyrimet për ristrukturimin financiar, apo për likuidimin e mundshëm të bankave ministrat e Financave kërkojnë që të ketë një rend të qartë. Buxhetet kombëtare apo fondet europiane të shpëtimit duhet të qëndrojnë në fund të zinxhirit të përgjegjësisë. Është ende e diskutueshme, nëse fondi ekzistues i shpëtimit, ESM, me paratë e përbashkëta mund të furnizonte bankat direkt me para të reja. Shtetet në borxhe do të ishin të çliruara nga përgjegjësitë, ato do të mbaheshin nga ESM.

Banka Qendrore Europiane në Frankfurt mbi Main: Kontroll i rreptë bankar nga vjeshta e vitit 2014Fotografi: picture-alliance/dpa

Ministri irlandez dhe spanjoll i Financave do të ishin për këtë model, ndërsa ministri gjerman i Financave e kundërshton atë kategorikisht. "Ideja e disave, që shumë shpejt të arrihet në rikapitalizimin e drejtpërdrejtë të bankave, që nuk përputhet me ligjin gjerman, shpjegohet me mungesën e të qënit në dijeni. Mosdija justifikohet vetëm, kur nuk dëgjon si duhet. Unë e kam thënë mjaft shpesh, si është situata ligjore", tha Schäuble. Për ta ndryshuar këtë situatë ligjore do të jetë shumë e vështirë edhe për një qeveri të re gjermane. "Shumë punë bindesë do të ishte e nevojshme."

Ministri holandez i Financave, Jeroen Dijsselbloem, i cili është edhe kryetar i Eurogrupit mund të imagjinojë fare mirë injeksione të drejtpërdrejta të kapitalit nga fondi i shpëtimit ESM për bankat e dëmtuara. "Instrumenti i rikapitalizimit të bankave është ende në zhvillim. Momentalisht mendoj se ai mund të përdoret në rrethana të jashtëzakonshme". Këto raste të jashtëzakonshme janë përkufizuar aq ngushtë, saqë praktikisht mund të mos ndodhnin kurrë, u tha nga delegacioni gjerman.

Ministri holandez i Financave Jeroen DijsselbloemFotografi: DW/B. Riegert