Haradinaj sërish në Hagë
21 Korrik 2010Gjykata për krime lufte në ish-Jugosllavi vendosi mbajtjen e një procesi të ri kundër ish-kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj. Vendimi vjen dy vjet pas lirimit të tij nga akuzat e ngritura prej gjykatës. Dhoma e apelit e Tribunalit të Hagës për Krime lufte i shfuqizoi në seancën e së mërkurës, vendimet e marra më parë dhe urdhëroi rigjykimin dhe ndaljen në paraburgim të Ramush Haradinajt, Lahi Brahimajt dhe Idriz Balajt.
Kryetari i dhomës së apelit, Patrick Robinson, tha se procesi i parë kundër Haradinajt dhe dy ish-komandantëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte dëmtuar prej frikësimeve ndaj dëshmitarëve. Më tej Robinson shtoi se gjykata nuk e kishte vlerësuar siç duhej seriozitetin e tyre.
Partia Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK)e quajti si një lajm të keq rihapjen e gjykimit ndaj kreut të saj, Ramush Haradinaj.
dpa/dw