1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëShtetet e Bashkuara të Amerikës

Harris dhe Trump përplasen për çështjet kyçe

11 Shtator 2024

Debati presidencial në SHBA: Harris dhe Trump përplasen për çështje kyçe të politikës së SHBA. Por pati edhe akuza të shumta personale mes tyre.

Dueli Trump - Harris
Dueli Trump - HarrisFotografi: Alex Brandon/AP/picture alliance

Kandidatët për garën presidenciale Donald Trump dhe Kamala Harris u përballën në debatin e tyre të parë – dhe ndoshta të vetmin – të martën para zgjedhjeve të 5 nëntorit. Vetëm 55 ditë para zgjedhjeve, Harris, pas kritikave për mungesën e një plani konkret të qeverisjes dhe pas kritikave se i mungon transparenc për prioritetet e saja, u paraqit me një retorikë të fokusuar në planifikimin e të ardhmes, zhvillimin e shtresës së mesme, dhe përforcimin e të gjithë informacioneve që ajo dha më herët - nga migrimi e deri tek ndryshimi klimatik.

Në anën tjetër, Donald Trump zhvilloi vazhdoi me retorikën e mëparshme dhe të zakonshme të dëgjuar në tubimet e tij parazgjedhore – me shumë diskutime sensitive mbi abortin, nivelin e krimit dhe besimin e tij në fitoren e zgjedhjeve të 2020-së.

Dueli Trump - HarrisFotografi: Alex Wong/Getty Images

Trump argumentonte me dezinformata

Gjatë debatit, Donald Trump vazhdimisht shpërndau dezinformata për të argumentuar qëndrimet e tija. Ai vazhdoi me retorikat e dëgjuara edhe më parë në lidhje me zgjedhjet e vitit 2020, e foli edhe për "Projektin 2025” – një plan konservativ për të ndryshuar mënyrën e qeverisjes. Trump u distancua nga sulmi në Capitol me 6 janar. Ai po ashtu "gabimisht tha se shkalla e krimit ishte rritur në SHBA në kohën e qeverisjes së Biden, kur ajo në fakt ka rënë”. Moderatorët disa herë u detyruan të ndërhyjnë dhe të korrigjojnë pohimet. Për moderimin e tyre ata u cilësuan lartë pas debatit.

Harris mbrojti pozitën e demokratëve

Mbi temën e abortit, Trump dha deklarata alarmuese, duke thënë që demokratët mbështesin "ekzekutimin e foshnjëve pas lindjes". Trump më pas shpjegoi se ai beson në përjashtime, si në raste të incestit, të përdhunimeve dhe në rastet kur shëndeti i nënës ndikohet nga shtatzania. Ndërsa Harris u përgjigj se "qëndrimi i Trump-it është fyerje për gratë e Amerikës”, duke nënvizuar problemet që gratë hasin në shtetet konservatore për aborte dhe qasje në metodat e reja të shtatëzanisë (IVF).

Kamala Harris, duke folurFotografi: Brian Snyder/REUTERS

"Të huajt po na i hanë kafshët shtëpiake"

Një deklaratë tjetër e Trumpit zgjoi shumë vëmendjen e opinionit. Ai akuzoi Harris për dështim në politikën ndaj të huajve. Ai tha madje se të huajt po vijnë në Amerikë dhe po i "hanë kafshët shtëpiake të amerikanëve". “Në Springfield, ata [migrantë] po hanë qentë, ata po hanë macet”, tha Trump. "Ata po hanë kafshët shtëpiake të njerëzve që jetojnë atje", dkelaroi Trump. Në këtë moment ndërhynë edhe moderatorët duke i quajtur këto të dhëna të diskutueshme.

Çështjet ekonomike

Kandidatja demokrate Kamalla Harris prezantoi një plan më të detajuar për të ulur taksat për bizneset e vogla, ndihma për prindër të rinj dhe për blerësit e shtëpive për herë të parë, si dhe parandalimin e korporatave në kontrollimin e çmimeve. Trump beson se ai do të sigurojë një "ekonomi më të mirë", pavarësisht pandemisë Covid-19. Ai akuzoi kundërshtarën e tij për rritjen e kostove të jetesës. Inflacioni u rrit gjatë administratës Biden-Harris, por tani po bie. Aktualisht inflacioni në SHBA është 2.9%, që është nën mesatarën e parashikuar prej 3.3%.

Donald Trump duke folur gjatë duelitFotografi: Win McNamee/Getty Images

Ukraina dhe Lindja e Mesme

Harris tha se po të ishte Trump në pushtet, Putini tani më do të ishte në Kiev. Trump nuk dha ndonjë strategji se si do të ndalonte luftën në Ukrainë, por tha që e mbeshtet këtë iniciativë. Harris theksoi se Izraeli ka të drejtë të vetëmbrohet, por ajo tha se duhet të ketë armëpushim dhe se pengjet hebreje duhet të lirohen nga grupi terrorist Hamas. Ajo po ashtu nënvizoi mbështetjen e saj për "zgjidhjen përmes dy shteteve”. Ndërsa Trump tha se Harris e urren Izraelin, dhe nese ajo do të bëhet presidente, "Izraeli do të përfundojë së ekzistuari brenda dy viteve.”

Vlerësimet e moderatorëve

Moderatorët David Muir dhe Linsey Davis, gazetarë me eksperiencë të gjatë në prezantimin para publikut të garave presidenciale u vlerësuan lartë për aftësitë e tyre për të kontrolluar retorikat dezinformuese dhe për të mbajtur një debat të koncentruar në tema sensitive si ekonomia, imigrimi, dhe aborti.

Debati u organizua nga ABC News dhe u mbajt në Qendrën Kushtetuese Kombëtare në Philadelphia, që konsiderohet si një prej shteteve të rëndësishme në zgjedhje. Në sallë nuk kishte aduencë live, ndërsa bashkëbiseduesit ishin relativisht afër mes vete.