Kureshtja ndesh në mirësjelljen e njohur
19 Janar 2013"Në shkollë kam mësuar dikur frengjisht por për shumë vjet nuk e kisha përdorur. Megjithatë vazhdoja të isha e interesuar për gjuhën dhe tani gjeta mundësinë të hyja sërish në kontakt me të",
...thotë Brigitte Kühn, kryetare e shoqatës së partneritetit, kur flet për rëndësinë që ka për të partneriteti me qytetin Hauteville. Ajo qendron në hyrje të qytezës franceze e cila ndodhet plot një orë me makinë nga metropoli francez Lyon. Këtu ndodhet një nga tabelat që tregojnë për partneritetin me Ronneburg-un në Turingji. Që prej 20 vjetësh qytetet janë të lidhura miqësisht me njëra-tjetërën dhe që prej vitit 2003 përmes kornizës ligjore të një partneriteti mes qytetesh.
Vazhdim i historisë në sensin e miqësisë
Christian Borrou e ka shoqëruar projektin që nga fillimi. Ky partneritet është i rëndësishëm, thotë ai, për shkak të historisë gjermano-franceze e cila në shumë faza është karakterizuar nga armiqësia.
"Kjo histori duhet të vazhdojë tani në sensin e miqësisë. Për këtë arsye është e rëndësishme të takohemi dhe të kujtojmë së bashku gjërat e bukura por edhe të ndajmë shqetësimet", thotë Borrou.
Kontaktet janë të ngushta megjithë distancën prej 1000 kilometrash. Një herë në vit mbahet një takim, me radhë një herë në Hauteville dhe një herë në Ronneburg. Mirësjellja e njerëzve në Hauteville bën që të harrohet shpeht lodhja e orëve të gjata të udhëtimit me autobus. Regina Born, cila ka ardhur në Francë në 1992 si infermiere, kujton: "Mua Franca m'u duk aq e bukur pasi sa i përket bashkëjetesës dhe zhvillimit ishte një shkallë e ndërmjetme mes Gjermanisë Perëndimore dhe asaj Lindore."
Regina Born thotë se në Francë përjetoi një dashamirësi që e njihte nga vendlindja dhe që në perëndim të Gjermanisë i kishte munguar.
Por në Hauteville në fillim jo të gjithë ishin të gazuar për partneritetin pikërisht me një komunë gjermane. Disa madje ishin të tronditur, thotë Marie-Hélène Oucherfi, kryetare e Komitetit të Binjakërisë. Zona përreth Hauteville gjatë Luftës së Dytë Botërore kishte qenë territor strehimi i rezistencës franceze dhe Lyon, ku krimineli i dënuar i luftës Klaus Barbi ka kryer shumë krime, nuk është larg, thotë Oucherfi: "Në shoqatë kemi dy anëtarë që kanë përjetuar Luftën e Dytë Botërore dhe tani e përkrahin me zjarr partneritetin me miqtë gjermanë."
Këmbim përvoje
Për kryetarin e bashkisë Maclet, kjo miqësi është etabluar ndërkohë në mënyrë të tillë që p.sh. mund të mësojnë nga njëri-tjetri në përballimin e problemeve strukturore respektive.
Megjithë pengesat ekzistuese të gjuhës komunikimi në takime është shumë i mirë. Maclet pranon me shaka se problemi më i madh i francezëve është që flasin vetëm frengjisht: "Është një pengesë e kapërcyeshme. Me fjalor, duar dhe gjeste ia dalim mbanë të merremi vesh."
Tanimë edhe të rinjtë nga të dy qytetet janë të entuziasmuar nga partneritetit të cilin nuk e konsiderojnë aspak model të vjetëruar edhe në kohën e internetit. Në kuadër të një partneriteti mbahen shumë takime të bukura gjë që nuk mund të bëhet në internet.