1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maas dëshiron t'i përmirësojë marrëdhëniet me Izraelin

26 Mars 2018

Përkujtimi i Holokaustit karakterizoi ditën e parë të vizitës prezantuese të ministrit të jashtëm gjerman Heiko Maas në Izrael. Kryediplomati bëri thirrje për luftë kundër antisemitizmit dhe racizmit.

Israel Besuch Außenminister Maas in Yad Vashem
Fotografi: picture-alliance/dpa/I. Yefimovich

"Çdo formë të antisemitizmit dhe racizmit ne duhet ta kundërshtojmë me vendosmëri - çdo ditë dhe kudo!" Këto ishin fjalët që shkroi ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas në librin e vizitorëve të muzeut qendror të qendrës përkujtimore të Holocaustit Yad Vashem. Politikani i SPD e kishte vizituar disa herë që më parë këtë vend, që atij i kujton "krimet më mizore të historisë njerëzore" dhe përgjegjësinë gjermane. Por në rolin e ministrit të Jashtëm vizita ishte e veçantë.

Luftë kundër antisemitizmit

Ishte një orë në heshtje, dukshëm e mendueshme për kryediplomatin e ri gjerman në Muze. Shoa luan në karrierën e tij politike një rol të veçantë - këtë Maasi e bëri të qartë që ditën e tij të parë në detyrë. Në fjalën e tij prezantuese ai tha se "nuk ka hyrë në politikë për shkak të Willy Brandtit ose politikës së paqes, por për shkak të Aushvicit".

Fjalë që i dëgjoje prej politikanësh të brezave më të vjetër tingëllojnë si premtim te kryediplomati relativisht i ri. Disa herë e përmendi ai ditën e parë në Izrael luftën kundër antisemitizmit që është ringjallur dhe racizmit, edhe në Gjermani. Pak para përvjetorit të 70-të të themelimit të shtetit të Izraelit, ky ishte një sinjal i rëndësishëm nga Gjermania. "Shoa mbetet për ne paralajmërim dhe porosi, për t'u angazhuar në të gjithë botën për të drejta njeriu dhe për tolerancë", tha Maas.

Izraeli mund të mbështetet tek Gjermania

Ministri i Jashtëm gjerman iu referua në vizitën e tij prezantuese së veçantës së partneritetit dhe dha siguri se Gjermania e mbështet edhe më tej "vendin që i kujton të gjithë këtu, jetët dhe ëndrrat e të cilëve u shkatërruan".

Fotografi: Getty Images/AFP/M. Kahana

Ministri i ri i Jashtëm i Gjermanisë do ta bëjë përmirësimin e marrëdhënieve gjermano-izraelite si pikërëndesë të mandatit të tij. Po ky mision do të kërkojë angazhim të veçantë prej tij. Prej shumë kohësh raporti me Vendin e Shenjtë nuk ka qenë kaq i ndërlikuar sa tani.

Udhëtimet e politikanëve gjermanë në Izrael dhe në zonat palestineze bëjnë pjesë në më të vështirat. Parardhësi në post i Maasit, Sigmar Gabriel (SPD) u bind për këtë vitin e kaluar. Meqenëse ministri i Jashtëm gjerman takoi organizata kritike ndaj qeverisë, kryeministri i Izraelit e anuloi në minutën e fundit një takim me Gabrielin.

Heiko Maas do të veprojë ndryshe. Në vizitën e tij prezantuese ai shqipton tone të qeta dhe deklaron qartë mbështetjen për Izraelin. "Pikërisht në këtë vit - në ditëlindjen e 70-të - shteti i Izraelit mund të jetë i sigurtë se Gjermania është në anën e tij", tha Maas në Jeruzalem. Një premtim që ai e përsëriti edhe përballë Presidentit Reuven Rivlin.

Akt barazpeshimi i diplomacisë

Edhe më i vështirë mund të jetë për ministrin e Jashtëm gjetja e barazpeshimit ditën e dytë. Në vizitën në Ramallah dhe në takimin me Presidentin Mahmud Abas dhe më pas me kryeministrin Benjamin Netanjahu temat nuk mungojnë: zgjidhja me dy shtete, politika izraelite e kolonive dhe çështja e Jeruzalemit. Pasi SHBA duan ta zhvendosin në Jeruzalem ambasadën e tyre, në Evropë janë nën presion. Berlini i përmbahet pozicionit të deritashëm për ta përcaktuar statusin e Jeruzalemit me një marrëveshje multinacionale paqeje.

Dhe pastaj ka edhe një mosmarrëveshje për njërin nga vendet jo të përhershme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Gjermania kandidon për njërin nga vendet jo të përhershme në vitin 2019/2020 dhe është me këtë hap në konkurencë të drejtpërdrejtë pikërisht me Izraelin. Pritjet ndaj Heiko Maasit janë të mëdha. Në këshillimet e ardhshme qeveritare në vjeshtë 2018 synohet thellimi i mëtejshëm i marrëdhënieve.