Herët a vonë Kosova do të bëhet e pavarur edhe de jure
14 Korrik 2007
Për negociatat për statusin e ardhshëm të Kosovës dhe qendrimin e Rusisë, e përditshmja ruse, MOSKOVSKI KOMSOMOLEC në edicionin e internetit:
"Sot askush nuk mendon se mund të ketë luftë mes Rusisë dhe Perëndimit për shkak të Kosovës; madje nuk ka nevojë as që të kihet frikë, se për këtë shkak do të keqësohen edhe më tej marrëdhëniet e Rusisë me Shba-të dhe BE-në. Por në qoftë se Uashingtoni, sikurse ka paralajmëruar do ta njohë Kosovën, ..., atëherë ekziston rreziku, që OKBja, e cila që tani nuk ka shumë peshë, të ngjajë gjithnjë e më tepër me bashkësinë e pafuqishme të viteve tridhjetë.... Përveç kësaj, në Kosovë mund të shpërthente sërish konflikti. ... Në fakt, Serbia e ka humbur praktikisht Kosovën... Pakica (serbe) që sa vjen e bëhet më e vogël, nuk mund të diktojë atë shumicë aq dërrmuese, aq më tepër kur kjo gëzon mbështetjen unike të perëndimit. Herët a vonë, krahina do të bëhet e pavarur edhe de jure. Kjo është e pashmangshme dhe Moska veçse mund ta shtyjë, por nuk mund ta pengojë. Politikanët serbë me siguri që e dinë këtë, por askush nuk do që të hyjë në librat e historisë, si dikush që humbi Kosovën. Prandaj edhe serbët do të këmbëngulin deri në momentin e fundit, dhe disa politikanë nga Beogradi ndoshta do të përpiqen që fajin t'ia lënë në derë Rusisë."
HÜRRYIET nga Stambolli justifikon bojkotimin e samitit të integrimit në Berlin nga shoqatat turke:
"... politika e dikurshme "raciste" kundër hebrejve këtë radhë ka kapur turqit, bëhet fjalë për ligjin e ri të migracionit, që u miratua nga Këshilli Federal. Përse këto kritika kaq të ashpra në adresë të gjermanëve? Në Gjermani jetojnë afro 3 milionë turq, një pjesë e tyre ndërkohë ka nënshtetësinë gjermane. Por, me a apo pa nënshtetësi, kur një turk martohet dhe e sjell me vete të shoqen në Gjermani, ai nuk i ka punët mirë. Sepse sipas ligjit të ri, gruaja që dëshiron t'i bashkangjitet të shoqit në Gjermani, duhet të bëjë fillimisht provimin e gjuhës. Por në se një turk martohet me një amerikane, israelite ose koreane, atëherë ajo nuk është e detyruar të bëjë një provim të tillë. Po ashtu, një gjerman i lindur lejohet ta tërheqë gruan pa qenë nevoja që ajo të njohë gjuhën. Kur dy njerëz, që i përmbushin të njëjtat kushte, ligji nuk i trajton njësoj për shkak të prejardhjes së ndryshme, kjo nuk është gjë tjetër, veçse racizëm i mirëfilltë. Për të protestuar kundër këtij "skandali" e ngritën zërin turqit që jetojnë në Gjermani. Ata nuk morën pjesë në samitin e integrimit të organizuar nga qeveria gjermane..."
E përditshmja austriake,DER STANDARD, është e mendimit, se bojkotimi i samitit nga ana e shoqatave turke, është rruga e gabuar:
"Problemet nuk zgjidhen duke heshtur, por duke folur. Që prej shumë vjetësh, shoqatat e migrantëve në Gjermani, kërkojnë një dialog në nivel të barabartë me qeverinë. Tani që për herë të parë u jepet një shans i tillë, ata ikin sapo të mos u pëlqejë diçka. Shoqatat e prekura të turqve që jetojnë në Gjermani në këtë mënyrë bëhen të sulmueshme. Argumenti që sjellin skeptikët, "se ata nuk janë të interesuar të integrohen", mbas këtij bojkotimi nuk mund të hidhet poshtë aq lehtë."
THE GUARDIAN nga Londra për trupat amerikane në Irak:
"Presidenti Bush ende nuk pranon të shohë realitetin në Irak. Me këtë ai pengon çdolloj përparimi. Ai pengon edhe të gjitha palët për hartimin e një plani bindës për tërheqjen e trupave. Bushi do ta shtyjë katastrofën e dukshme, deri sa të ketë përfunduar mandati i tij si president. Kryengritësit dhe milicët në Irak do ta durojnë katastrofën e dukshme derisa amerikanët të largohen. Por përmendorja që do të mbetet është që civilët në Irak, që janë shumë të varfër për t'u larguar do të vazhdojnë të vdesin."
E përditshmja daneze POLITIKEN nga Kopenhagen:
"Ka mbetur vetëm tërheqja. Jo, sepse ajo është zgjidhja ideale, kjo nuk ekziston. Por sepse të paktën ajo hap disa opsione. Një hap i tillë do të rriste presionin ndaj palëve në Irak për të bërë kompromise. Ai do të detyronte shtetet fqinje të Irakut, përfshirë këtu Sirinë dhe Iranin, që të gjejnë një rrugë për të dalë nga lufta civile. Dhe ai do të nxiste vendet evropiane, para së gjithash kundërshtarët e luftës, si Francën dhe Gjermaninë, që të marrin në dorë stabilizimin e vendit. Ndryshe nga besimi i përsëritur i Bushit tek fitorja, tërheqja të paktën do të kishte lidhje me realitetin."