131210 Schweden Attentat Ermittlungen
13 Dhjetor 2010Stokholmi të dielën në mbrëmje. Në fund të një të diele me dyqane të hapura, qyteti nis e ul ritmin. Aty, ku 24 orë më parë shpërtheu një bombë, që plagosi dy vetë, rripi i sigurisë i kujton banorëve se kësaj here shpëtuan pa shumë dëme nga sulmi.
Kalimtarët janë ende të shokuar
"Kjo më kujton vdekjen e Olof Palmes. Banoj këtu që prej 70 vjetësh. Është e frikshme, se si terrori mbërriti edhe në kryeqytetin tonë të vogël." Ndërsa një kalimtar tjetër: "Atentati nuk shkoi, ashtu siç e kishin menduar dhe ai nuk ka për ta provuar më. Megjithatë është shqetësuese, ishte hera e parë tek ne."
Kjo nuk ka ndodhur më parë në Suedi
"Hera e parë" dhe "pikërisht tek ne" janë fjalë, që i dëgjon shpesh. Por askush nuk mund ta shpjegojë atë, që ndodhi të shtunën në Stokholm, ose atë që mund të kishte ndodhur, po qe se jo vetëm një bombë, por të gjashtë bombat, që kishte me vete atentatori do të kishin shpërthyer.
Në kasetën, që kishte marrë policia pak para atentatit dhe që me sa duket ishte dërguar nga vetë atentatori, arsyet për "thirrje për luftë të shenjtë" kundër mbretërisë suedeze janë pjesëmarrja në luftën e Afganistanit dhe skicat e Lars Vilks, që ndërkohë ka marrë mbrojtje të posaçme nga policia.
Ekspertët e sigurisë punojnë për të zbuluar arsyet
Magnus Remberg, ekspert për sigurinë e brendshme thotë: "Nuk ka arsye të forta, pse Suedia papritur tani të jetë objektiv i terroristëve. Për misionin tonë në Afganistan nuk ka debate të mëdha, edhe skicat e Lars Vilks nuk e patën atë jehonë, që shkaktuan karikaturat daneze."
Apartementi i personit, në emrin e të cilit ishte shkruar automjeti i atentatit, është kontrolluar. Ai ndodhet në një qytet të vogël në Suedinë e jugut. Nëse ai ishte edhe apartamenti i autorit të atentatit, nëse kishte bashkëpunëtorë të tjerë, cilat janë motivet - përgjigjen e pyetjeve të tilla Andreas Thornberg, shef i policisë së sigurisë, do ta mësojë sa më shpejt.
"Një gjë e tillë nuk ka ndodhur më parë tek ne. Kjo është tendencë e re. Po punojmë shumë për të patur qartësi. Po qe se ka qenë një atentat terrorist, atëherë ky ishte atentati i parë."
Autor: Albrecht Breitschuh/Lindita Arapi
Redaktoi: Angjelina Verbica